Matematikania kineze Hong Wang është një nga katër fituesit e këtij viti të Medaljes Fields, çmimi më prestigjioz në botën e matematikës, i njohur si ekuivalenti i Çmimit Nobel për këtë fushë.
Vlerësimi jepet çdo katër vjet nga Unioni Ndërkombëtar i Matematikës për studiues nën moshën 40 vjeç.
E lindur në Kinë në vitin 1991, Hong Wang u nderua për kontributet e saj në analizën harmonike dhe teorinë gjeometrike të masës. Që nga viti 2025 ajo është pedagoge në Institut des Hautes Études Scientifiques në Francë.
Me këtë çmim, Hong Wang bëhet gruaja e tretë në historinë 90-vjeçare të Medaljes Fields që arrin këtë sukses.
Së bashku me të u vlerësuan edhe matematikani kinez Yu Deng nga Universiteti i Çikagos, kanadezi Jacob Tsimerman nga Universiteti i Torontos dhe amerikani John Pardon nga Simons Center for Geometry and Physics në Stony Brook, Nju Jork.
Fituesit u shpallën në Filadelfia të SHBA-së, gjatë ceremonisë hapëse të Kongresit Ndërkombëtar të Matematikës (ICM 2026).
Gruaja e parë që fitoi Medaljen Fields ishte matematikania iraniane Maryam Mirzakhani, në vitin 2014. Ajo ndërroi jetë tre vjet më vonë, ndërsa data e lindjes së saj, 12 maji, është shpallur Dita Ndërkombëtare e Grave në Matematikë.
Në edicionin e vitit 2022, çmimi iu dha matematikanes ukrainase Maryna Viazovska, e cila punon që prej vitit 2018 në Politeknikun e Lozanës.
Medalja Fields mban emrin e matematikanit kanadez John Charles Fields dhe u krijua për të nxitur kërkimin shkencor në matematikë. Ajo u dha për herë të parë në vitin 1936.
Mes fituesve italianë të këtij çmimi janë Enrico Bombieri, i vlerësuar në vitin 1974 për studimet në teorinë e numrave, dhe Alessio Figalli, fitues i Medaljes Fields në vitin 2018 për kontributet në llogaritjen e variacioneve dhe transportin optimal.







