Policia ekuadoriane arrestoi sot një ish-kryetar bashkie, i cili konsiderohet financuesi kryesor i organizatës kriminale Los Lobos, e përfshirë në trafikun e drogës dhe minierat e paligjshme.
Bëhet fjalë për Elias Baldor Bermeo, i njohur edhe me nofkën “BB”, i cili sipas Ministrit të Brendshëm John Ryberg konsiderohet “financuesi kryesor i një prej organizatave më të përgjakshme që vendi ka njohur ndonjëherë”.
Sipas autoriteteve, arrestimi i ish-kryetarit të bashkisë së Camilo Ponce Enrique shënon një goditje të rëndësishme ndaj organizatës kriminale Los Lobos, e cila për vite me radhë ka përdorur minierat e paligjshme për të siguruar miliona dollarë fitime.

Qeveria e presidentit Daniel Noboa, me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara, po intensifikon përpjekjet për të goditur bandat kriminale dhe kartelet e drogës që veprojnë në vend, si edhe për të frenuar aktivitetin e minierave të paligjshme.
Gjatë operacionit policor në provincën andine të Azuay, autoritetet zbuluan shufra ari që mbanin foton e bosit të ndjerë kolumbian të drogës, Pablo Escobar. Në total u arrestuan gjashtë persona, mes tyre edhe të afërm të Bermeos.
Ministri Ryberg deklaroi se Elias Baldor Bermeo dyshohet gjithashtu se është përgjegjës për organizimin e minierave të paligjshme dhe sulmeve me pajisje shpërthyese.
Sipas tij, gjatë periudhës 2023–2025, Bermeo ka lëvizur rreth 3.2 milionë dollarë përmes kompanive të minierave.







