Moderatorja dhe sipërmarrësja amerikane Oprah Winfrey ka njoftuar se shkolla për vajza që themeloi në Afrikën e Jugut gati 20 vjet më parë, do të mbyllet vitin e ardhshëm.
Sipas një deklarate zyrtare, në përfundim të vitit akademik 2027, kampusi i internatit pranë Johanesburgut do t’u dorëzohet autoriteteve lokale të arsimit, në përputhje me marrëveshjen fillestare.
Nxënëset që nuk do të kenë përfunduar studimet deri në mbylljen e shkollës do të përfitojnë bursa të plota për të vazhduar arsimin në institucione të tjera.
Mbi 1 mijë vajza janë diplomuar në Oprah Winfrey Leadership Academy for Girls (OWLAG), një shkollë e krijuar për të mbështetur vajzat nga familje me të ardhura të ulëta. Projekti lindi pasi Winfrey u frymëzua nga takimi me ikonën e luftës kundër aparteidit dhe ish-presidentin e Afrikës së Jugut, Nelson Mandela, në vitin 2002.
Shkolla hapi dyert në vitin 2007. Ndërtimi i saj kushtoi rreth 40 milionë dollarë dhe ndodhet në fshatin Henley-on-Klip, në jug të Johanesburgut.
Megjithatë, gjatë viteve institucioni është përballur edhe me polemika, çka ka nxitur spekulime se mbyllja lidhet me probleme të menaxhimit.
Fondacioni Oprah Winfrey Leadership Academy i hodhi poshtë këto pretendime, duke sqaruar se Winfrey do ta vazhdojë misionin e saj arsimor përmes një programi bursash për vajza të talentuara nga e gjithë Afrika e Jugut, të cilat do të studiojnë në shkollat më të mira të vendit.
“Ëndrra nuk ishte thjesht të ndërtoja një shkollë. Qëllimi ishte të investoja në potencialin e pakufizuar të vajzave të reja. Ky mision nuk përfundon me një kampus, por vazhdon te çdo vajzë, e ardhmja e së cilës mund të ndryshohet përmes arsimit”, tha Winfrey.
Ajo shtoi se faza e re e projektit do t’i lejojë fondacionit të ndihmojë edhe më shumë vajza në të gjithë Afrikën e Jugut.
Ende nuk dihet se për çfarë do të përdoret kampusi pas dorëzimit te autoritetet lokale, por Departamenti i Arsimit i provincës Gauteng deklaroi se do të ruajë trashëgiminë e akademisë dhe do të sigurojë që institucioni të vazhdojë t’i shërbejë komunitetit.
Kur u inaugurua në vitin 2007, shkolla u kritikua për luksin e saj, pasi kampusi përfshinte dy teatro, një studio joge dhe një sallon bukurie. Disa kritikë argumentuan se fondet mund të ishin përdorur për të ndihmuar një numër më të madh nxënësish në mbarë vendin.
Pak muaj pas hapjes, disa nxënëse akuzuan një ish-punonjëse për abuzim, por ajo u shpall e pafajshme për të gjitha akuzat.
Aktualisht, në shkollë studiojnë 281 nxënëse.
Sipas faqes Oprah Daily, shumë prej ish-nxënëseve janë bërë mjeke, avokate, inxhiniere, artiste, drejtuese kompanish dhe sipërmarrëse.
Një prej tyre, Andronica Klaas, e diplomuar në vitin 2012 dhe aktualisht drejtuese e lartë e inxhinierisë në kompaninë Meta, tha:
“Çdo cep i kampusit ishte i mbushur me dashuri, përkujdesje dhe vëmendje ndaj detajeve. OWLAG më bindi se përgatitja, karakteri dhe qëllimi kanë më shumë rëndësi sesa prejardhja ime.”







