Zjarret masive në jug të Francës kanë nxjerrë në dritë një zbulim të papritur: rreth 400 predha dhe municione historike të varrosura prej dekadash në zonën e fshatit Le Porge, në rajonin Gironde.
Sipas autoriteteve lokale, shpërthimet e dëgjuara gjatë zjarrit, të cilat fillimisht u menduan se ishin shkaktuar nga bombola gazi, mund të kenë ardhur nga municione të Luftës së Dytë Botërore, të aktivizuara nga temperaturat e larta, shkruan BBC.
Kryetari i bashkisë së Le Porge, Martial Zaninetti, tha për median franceze France Info se gjatë natës së dytë të zjarrit u dëgjuan më shumë se 100 shpërthime, duke e krahasuar zhurmën me “tingujt e luftës”.
Sipas kryebashkiakut, në territorin e komunës kishte depo municionesh të varrosura, por autoritetet nuk kishin dijeni për ekzistencën e tyre.
“Kishte depo municionesh të varrosura në tokën e komunës sonë, por ne nuk e dinim. Ato shpërthyen”, deklaroi Zaninetti.
Ai shtoi se disa prej predhave u shpërndanë në drejtime të ndryshme gjatë shpërthimeve, ndërsa njëra prej tyre madje depërtoi përmes një banese.
Operacionet për çminimin e zonës kanë bërë që shumica e banorëve të rikthehen në shtëpitë e tyre, por disa zona vazhdojnë të mbeten të mbyllura për publikun.
Qasja në plazh, një kamping dhe fshati La Jenny janë ende të ndaluara për shkak të rrezikut nga municionet e mbetura.
Zjarri masiv në Gironde, i cili zgjati rreth 10 ditë, tashmë është vënë nën kontroll, por pasojat janë të mëdha.
Më shumë se 180 banesa në zonën e Le Porge janë shkatërruar nga flakët. Pamjet nga vendi i ngjarjes tregojnë familje që kërkojnë mes rrënojave të shtëpive të tyre të djegura.
Kryeministri francez Sébastien Lecornu falënderoi zjarrfikësit për përpjekjet e tyre, duke deklaruar se Franca kishte përballuar një “krizë të paprecedentë”.
Ai tha se beteja kundër zjarreve kishte hyrë në një fazë të re dhe se personat e evakuuar po riktheheshin gradualisht në banesat e tyre.
Zjarret pyjore kanë përfshirë pjesë të ndryshme të Evropës gjatë dy javëve të fundit, veçanërisht Francën dhe Spanjën, duke detyruar më shumë se 330 mijë persona të largohen përkohësisht nga shtëpitë e tyre.
Franca ishte ndër vendet më të prekura, me rreth 42 mijë hektarë pyje të djegura në jugperëndim të vendit, një nga zjarret më të mëdha që prej Luftës së Dytë Botërore.







