Zhytësit italianë kanë zbuluar në brigjet e Siçilisë një anije të lashtë romake, që besohet të jetë rreth 2,100 vjeçare.
Zbulimi u bë rreth 3 milje detare nga brigjet në perëndim të Siçilisë në një thellësi prej 46 metrash.
Policia italiane e ka cilësuar vendin si një sit të rëndësishëm arkeologjik nënujor ndërsa vlerësimet paraprake tregojnë se anija daton nga shekulli II ose I para Krishtit.
Ministri italian i Kulturës, Alessandro Giuli, e ka përshkruar zbulimin si një nga më të rëndësishmit e viteve të fundit.
Në rrënojat e anijes janë gjetur qindra amfora, enë të mëdha qeramike që në atë periudhë përdoreshin kryesisht për transportin e verës. Sipas mediave lokale, anija ishte rreth 21 metra e gjatë dhe 6 metra e gjerë.
Zbulimi u bë pas një informacioni të dhënë nga peshkatarë vendas.
Zhytësi Giacomo De Mola tregoi se fillimisht mendoi se kishte parë vetëm një shkëmb të madh. Por, kur u afrua, kuptoi se nën të shtrihej një numër i madh amforash të ruajtura në fund të detit për më shumë se 2,000 vjet.
Sipas De Molës, zbulimi është një dëshmi e jashtëzakonshme e rrugëve tregtare që lidhnin Mesdheun më shumë se dy mijëvjeçarë më parë.







