Më 7 qershor të vitit 1945, në një nga ditët më të errëta të represionit politik të pasluftës në Shqipëri, 13 burra u morën nga burgu i Tiranës për t’u ekzekutuar nga regjimi komunist.
Mes tyre ishte Murat Basha, nacionalist dhe atdhetar, ishoficer i lartë i Mbretërisë Shqiptare. Ajo që do të ndodhte pak çaste përpara pushkatimit do të mbetej në kujtesën e bashkëvuajtësve si një nga episodet më tronditëse dhe njëkohësisht më simbolike të historisë së burgjeve politike shqiptare. Ata nuk u larguan në heshtje drejt vdekjes. Sipas dëshmisë së Xhemal Alimehmetit, i cili kishte qëndruar në të njëjtën dhomë burgu me Murat Bashën dhe të dënuarit e tjerë, në çastet e fundit, kur 13 burrat ishin lidhur dhe po përgatiteshin për t’u çuar drejt vendit të ekzekutimit, Murat Basha nisi të këndojë Himnin Kombëtar. Pas tij u bashkuan shokët e tij dhe më pas, sipas dëshmisë, zëri i tyre u përhap në të gjithë burgun. Atë mëngjes, në korridoret dhe oborrin e burgut, ajo u shndërrua në një këngë lamtumire. Të dënuarit po shkonin drejt vdekjes, por përmes himnit kërkonin të dëshmonin se nuk po dorëzonin dinjitetin e tyre.
MËNGJESI I FUNDIT
Sipas rrëfimit të Xhemal Alimehmetit, në dhomë ndodheshin rreth 14-15 persona. Ndërsa pritej ora kur do të merreshin të dënuarit për t’u ekzekutuar, Murat Basha shfaqej i qetë. Ai bisedonte me bashkëvuajtësit, ndërsa të tjerët e shikonin me habi përballë qetësisë së tij. Ata e dinin se çfarë do të ndodhte. Vendimi për ekzekutimin ishte marrë dhe ora e fundit po afrohej. Në një atmosferë ku frika, dëshpërimi dhe pasiguria mbizotëronin, qetësia e Murat Bashës u dukej bashkëvuajtësve e pazakontë. Pastaj erdhën policët dhe ushtarët e togës së pushkatimit. Të 13 burrat u nxorën nga dhoma dhe u vendosën në korridor. Ata u lidhën dorë për dorë, dy nga dy. Në atë moment, Murat Basha kërkoi Mustafa Vrapin, i njohur si Fagu, i cili ishte vetëm 19 vjeç. I tha të lidhej me të. Ky detaj, i rrëfyer nga Alimehmeti, e bën edhe më tronditëse skenën e fundit. Përballë vdekjes, Murat Basha nuk mendoi vetëm për veten. Ai u afrua me më të riun e grupit dhe kërkoi ta kishte pranë. Më pas, të lidhur dy nga dy, ata u lidhën të gjithë së bashku me një tel me gjemba, nga fillimi deri në fund. Ishte një varg njerëzish të lidhur, që do të shkonin drejt vendit të ekzekutimit. Por para se të dilnin nga burgu, Murat Basha iu drejtua shokëve. “Na e bani hallall, burra.”. Më pas, sipas dëshmisë së Alimehmetit, ai thirri: “Rroftë Shqipnia. Rroftë Mbreti”. Në dhomat e burgut, bashkëvuajtësit u përlotën. Disa, sipas dëshmisë, nisën të qanin me dënesë. Të tjerë iu afruan dritareve për të parë burrat që po nxirreshin nga burgu. Ishte një ndarje përfundimtare. “Ishim 14-15 vetë në dhomë, Murat Basha i qetë, po bisedonte me z.Xhemal Kusin…unë shifsha i çudit, si rri kaq i qetë, sepse i kishin lajmëru që në orën 10.00 do i merrshin me i pushkatu…Erdhën policët dhe ushtarët e togës pushkatimit, i nxorrën në korridor dhe i lidhën dorë për dorë 2 nga 2. Murati thirri Fagun (Mustafa Vrapin) që ishte me i riu vetëm 19 vjeç dhe i tha “Hajde lidhemi bashkë”… Mbasi i lidhën 2 nga 2 i lidhën dhe me nji tel me gjemba të gjithë bashkë nga fillimi në fund… Në këtë moment ndigjohet zani i Murat Bashes. “Na e bani hallall burra”…”Rroftë Shqipnia. Rroftë Mbreti”. Të gjithë u përlotëm, por disa edhe qanin me dënesë, të gjithë dolëm te dritaret e dhomave, duke pa….”, ka rrëfyet Alimehmeti.
NËNA E 19-VJEÇARIT
Mes personave që ndodheshin në oborrin e burgut ishte edhe nëna e Mustafa Vrapit. Ajo kishte ardhur për të takuar djalin e saj. Ndoshta kishte shpresuar për një takim të fundit, ndoshta për një fjalë, një përqafim apo një mundësi për ta parë edhe një herë. Por në vend të takimit, ajo pa të birin të lidhur dhe duke u çuar drejt pushkatimit. Sipas dëshmisë së Xhemal Alimehmetit, nëna e 19-vjeçarit nisi të ulërinte dhe të kërkonte që të mos ia vrisnin djalin. “Mos ma vrisni djalin…”. Britma e saj u përplas me heshtjen e rëndë të atij mëngjesi. Sipas rrëfimit, një prej ushtarëve iu afrua dhe e goditi me kondakun e pushkës. Gruaja ra pa ndjenja. Për të riun që po shkonte drejt vdekjes, pamja e nënës së tij ishte një goditje e jashtëzakonshme. Ai u ligështua. Në atë çast, Murat Basha ndërhyri. Ai i futi krahun dhe i kërkoi të qëndronte i fortë. Fjalët e tij, sipas dëshmisë, ishin një përpjekje për ta mbajtur 19-vjeçarin në këmbë në momentin kur gjithçka dukej e humbur. “Fag, mbahu se je burrë, mos u dorëzo. Ti je më i fortë se komunistat. Ne nuk ligështohemi nga plumbi dhe vdekja.” “Dolën në oborr, aty ndodhi diçka e tmerrshme. Nëna e Fagut (Mustafa Vrapit) ishte ne oborr, kishte ardhë me taku djalin, kur e pa që po e çojshin me e pushkatu, filloi me ulërit me të madhe dhe thoshte: “Mos ma vrisni djalin….” Një ushtar ju afru dhe e goditi me kondak të pushkës, ajo ra pa ndjenja. Fagu kur pa nanën u ligshtu, atëherë Murat Basha i futi krahun dhe i thotë; “Fag mbahu se je burrë, mos u dorëzo, ti je më i fortë se komunistat, Ne nuk ligshohemi nga plumbi dhe vdekja…” Ndodhi e pabesueshmja Murat Basha filloi me këndue Hymnin Kombëtar, mbas dy tre sekondash edhe shokët e tij….e pasoi gjithë Burgu, ishte sa tragjike edhe madhështore, të shifshe ata burra që po shkonin drejt vdekjes duke këndu…..I çun drejt bregut lumit. Mbas pak u ndigjun krismat e armëve…. Nga ajo ditë, në burgun e Tiranës, kush shkonte me u pushkatu, këndonte Hymnin Kombëtar dhe kjo traditë mbeti prej Murat Bashës”, – rrëfeu disa vite më parë, Xhemal Alimehmeti.
ANGAZHIMET E MURAT BASHËS
Historia e Murat Bashës është e lidhur ngushtë me një nga periudhat më të trazuara të historisë politike dhe ushtarake të Shqipërisë së shekullit XX. Nga vitet e para të shërbimit në Xhandarmërinë Shqiptare, te qëndrimi pranë Ahmet Zogut, luftimet gjatë viteve të Monarkisë, rezistenca ndaj pushtimit italian dhe më pas përfshirja në strukturat e Legalitetit, jeta e tij përshkon disa prej ngjarjeve më të rëndësishme të Shqipërisë së viteve 1920-1944. Sipas dëshmive të njerëzve të afërt me familjen Basha, rrugëtimi i tij politik dhe ushtarak mori një kthesë të rëndësishme që në vitet e rinisë, kur u njoh me Ahmet Zogun, i cili sapo ishte kthyer nga Vjena. Që nga ajo periudhë, Murat Basha do të bëhej një prej njerëzve më besnikë të tij dhe do ta ndiqte në momente të rëndësishme të karrierës politike e ushtarake. Në vitin 1919, me interesimin e Ahmet Zogut, Murat Basha kreu një kurs gjashtëmujor në Tiranë për nënoficer të Xhandarmërisë. Pas përfundimit të kursit mori gradën e nëntogerit dhe u inkuadrua në armën e Xhandarmërisë. Ky ishte fillimi i një karriere që do të zgjaste për dekada.
Sipas materialeve të përcjella nga familjarë dhe dëshmitarë, që nga ajo kohë Murat Basha qëndroi vazhdimisht pranë Ahmet Zogut, duke marrë pjesë në një sërë operacionesh dhe përplasjesh të armatosura në Shqipëri. Ai u përfshi në luftimet kundër forcave serbe, si dhe në përpjekjet për shtypjen e rebelimeve dhe kryengritjeve të ndryshme që përfshinë vendin gjatë fillimit të viteve ’20. Për një oficer të ri të Xhandarmërisë, këto vite do të ishin një shkollë e fortë ushtarake dhe politike. Shqipëria e asaj kohe ishte ende një shtet i ri, me institucione të brishta dhe me konflikte të shpeshta të brendshme e të jashtme. Në këtë realitet, Murat Basha do të fitonte gradualisht përvojë dhe do të ngjitej në hierarkinë ushtarake. Një prej episodeve të rëndësishme të jetës së tij ndodhi gjatë një rebelimi të armatosur në Tiranë, në vitin 1922. Murat Basha u plagos në gju gjatë përleshjeve. Plaga do të kishte pasoja të përhershme për të, por Ahmet Zogu ndërhyri që ai të dërgohej në Austri për kurim. Qëndrimi në Austri nuk shërbeu vetëm për trajtimin e plagës. Gjatë periudhës së mjekimit, Murat Basha kreu edhe një kurs tjetër gjashtëmujor në armën e Xhandarmërisë, duke thelluar përgatitjen e tij profesionale. Edhe pse dëmtimi në këmbë e la me pasoja fizike, ai u kthye në Shqipëri dhe vazhdoi shërbimin në Xhandarmëri. Këmbëngulja për t’u rikthyer në detyrë, pavarësisht plagosjes, do të ishte një tjetër tregues i karrierës së tij ushtarake.
RIKTHIMI ME ZOGUN NË 1924
Viti 1924 do të sillte një tjetër kthesë në jetën e Murat Bashës. Në qershor të atij viti, forcat fanoliste ndërmorën kryengritjen e armatosur që çoi në rrëzimin e qeverisë së Shefqet Vërlacit. Në këtë situatë, Murat Basha, si një prej njerëzve besnikë të Ahmet Zogut, e shoqëroi atë gjatë periudhës së azilit politik në Jugosllavi. Qëndrimi jashtë vendit zgjati rreth gjashtë muaj. Në fund të vitit 1924, Murat Basha u kthye në Shqipëri bashkë me Ahmet Zogun dhe mbështetësit e tij. Data 24 dhjetor 1924 lidhet me atë që në histori njihet si “Triumfi i Legalitetit”, rikthimi i forcave të Zogut në pushtet. Për Murat Bashën, kjo periudhë do të shënonte një fazë të re të karrierës. Ai tashmë nuk ishte vetëm një oficer që kishte marrë pjesë në përplasje të ndryshme. Po shndërrohej në një prej ushtarakëve të besuar të strukturave që do të ndërtonin ushtrinë dhe institucionet e sigurisë së shtetit shqiptar. Pas vendosjes së Legalitetit më 24 dhjetor 1924, Ahmet Zogu, në cilësinë e Kryetarit të Republikës, ngarkoi Hysen Selmanin me detyrën e reformimit të Forcave të Armatosura dhe të Ushtrisë Kombëtare Shqiptare. Një prej objektivave kryesore ishte krijimi dhe modernizimi i strukturave speciale të Gardës Kombëtare. Në këtë proces, sipas materialit familjar, Hysen Selmani pati në krah major Murat Bashën, të cilin e konsideronte një prej njerëzve të tij më të besuar. Me urdhër personal të Mbretit Zog, Murat Basha u emërua më pas Komandant i Shkollës së Xhandarmërisë në Tiranë. Gjatë viteve të Monarkisë Shqiptare, Murat Basha u përfshi në operacione për shtypjen e kryengritjeve të armatosura. Mes tyre përmenden Kryengritja e Fierit në vitin 1935 dhe Kryengritja e Delvinës në vitin 1938. Këto ngjarje ndodhën në një periudhë kur regjimi i Zogut përballej me kundërshtime të ndryshme politike dhe përpjekje të armatosura.
INTERNIMI NË JUGOSLLAVI
Më 7 prill 1939, Italia fashiste ndërmori pushtimin e Shqipërisë. Pushtimi i vendit shënoi fundin e një epoke politike dhe fillimin e një periudhe të re pushtimi. Sipas të dhënave të përcjella nga familja Basha, major Murat Basha mori pjesë në rezistencën e armatosur kundër forcave italiane, duke drejtuar disa reparte të Xhandarmërisë në zonën e Vorës dhe Prezës. Rezistenca shqiptare ndaj pushtimit italian ishte e kufizuar përballë epërsisë së forcave pushtuese, por për shumë ushtarakë shqiptarë 7 prilli shënoi momentin kur ata duhej të zgjidhnin mes bashkëpunimit me pushtuesin dhe kundërshtimit të tij. Murat Basha u përfshi në këtë të dytën. Pas pushtimit, ai u detyrua të largohej nga Shqipëria, pasi ishte futur në listat e ushtarakëve shqiptarë që kishin kundërshtuar pushtimin me armë. Pas largimit nga Shqipëria, Murat Basha kaloi në Jugosllavi. Atje, bashkë me shumë patriotë të tjerë antifashistë, u izolua në një kamp të ngritur nga autoritetet serbe në rrethinat e Gostivarit. Qëndrimi në kamp do të vazhdonte deri në vitin 1941. Në atë vit, situata në Ballkan ndryshoi rrënjësisht pas pushtimit të Jugosllavisë nga Fuqitë e Boshtit. Në këto rrethana, Murat Basha u kthye në Shqipëri bashkë me major Abaz Kupin. Kthimi i tij do të shënonte fillimin e një faze tjetër të rezistencës së tij politike dhe ushtarake.
KTHIMI FATAL NË SHQIPËRI
Pas kthimit në atdhe, nën drejtimin e Abaz Kupit, Murat Basha vuri në dispozicion përvojën e tij ushtarake për organizimin e forcave zogiste të rezistencës. Ai mori pjesë dhe drejtoi luftime kundër forcave italiane, aktivitet që do të vazhdonte deri në kapitullimin e Italisë në vitin 1943. Kjo periudhë ishte veçanërisht e ndërlikuar. Rezistenca shqiptare nuk ishte një front i unifikuar politik. Brenda saj ekzistonin grupe dhe rryma të ndryshme, me objektiva të ndryshme për të ardhmen e vendit. Murat Basha u pozicionua në krahun zogist, duke e parë rikthimin e një rendi të lidhur me Legalitetin si alternativën e tij politike. Në nëntor 1943, në fshatin Zall-Herr të Tiranës, u formua Partia e Legalitetit. Murat Basha ishte ndër njerëzit që kontribuuan në krijimin e saj dhe një prej figurave të rëndësishme ushtarake pranë Abaz Kupit. Me krijimin e Lëvizjes së Legalitetit, Murat Basha u shndërrua në një prej drejtuesve ushtarakë më të spikatur të saj. Programi i kësaj force politike synonte të mbështeste modelin monarkik dhe trashëgiminë politike të periudhës së qeverisjes së Ahmet Zogut. Por situata në vend po përkeqësohej. Pas prishjes së Marrëveshjes së Mukjes në fillim të shtatorit 1943 dhe thellimit të konfliktit mes forcave politike shqiptare, përplasjet mes komunistëve dhe forcave nacionaliste u bënë gjithnjë e më të ashpra.
Në këtë klimë, Murat Basha mori një rol të rëndësishëm në organizimin e strukturave ushtarake të Legalitetit. Përvoja e tij e gjatë në Xhandarmëri dhe në ushtri e bënte një prej oficerëve më të përgatitur të grupimit zogist. Gjatë dimrit të viteve 1943- 1944 dhe pranverës së vitit 1944, ai ishte i angazhuar në konsolidimin e forcave të Legalitetit në zonat ku ato kishin mbështetjen kryesore. Në një prej fazave më të vështira të konfliktit, Abaz Kupi i besoi Murat Bashës drejtimin e forcave ushtarake të Legalitetit. Ai u emërua shef i Shtabit të forcave ushtarake të Legalitetit, të përqendruara në zonën e Prezës. Në krye të forcave të Legalitetit, Murat Basha mori pjesë në luftimet në grykën e Shpalit, në malësinë e Tiranës. Me vendosjen e pushtetit komunist, pozita e Murat Bashës ndryshoi rrënjësisht. Ai ishte një oficer i lidhur ngushtë me Ahmet Zogun, kishte shërbyer në strukturat e Monarkisë dhe ishte një prej drejtuesve ushtarakë të Legalitetit. Për regjimin e ri, këto rrethana e vendosnin atë në kategorinë e kundërshtarëve politikë dhe ushtarakë. Karriera e tij, e cila kishte nisur në Xhandarmërinë Shqiptare në vitin 1919 dhe kishte kaluar nëpër luftërat, kryengritjet, pushtimin italian dhe përplasjet e Luftës së Dytë Botërore, po përfundonte tashmë përballë një regjimi të ri. Pas vitit 1944, shumë prej figurave të Legalitetit u arrestuan, u burgosën, u internuan ose u ekzekutuan. Murat Basha do të ishte një prej tyre. Panorama







