HomePolitikeNesër në protestë janë të gjithë qytetarët e vendit/nga Bujar Leskaj

Nesër në protestë janë të gjithë qytetarët e vendit/nga Bujar Leskaj

Advertismentspot_img

nga Bujar Leskaj
Protesta kombëtare e 8 tetorit 2026, e thirrur nga Partia Demokratike, nuk duhet të konsiderohet vetëm si një protestë e qytetarëve të 15 bashkive që rrezikojnë të humbasin statusin e bashkisë nga reforma-masakër territoriale e autokratit dhe antikombëtarit Rama.

I. 15 bashkitë e bëra kurban nga Rama janë dimension dhe hall kombëtar!

Ajo duhet të shihet si një protestë me dimension kombëtar, sepse çështja që ngrihet përmes saj prek drejtpërdrejt të ardhmen demografike, ekonomike dhe sociale të të gjithë Shqipërisë. Qytetarët e Fushë-Arrëzit, Klosit, Rrogozhinës, Dimalit, Poliçanit, Patosit, Divjakës, Selenicës, Maliqit, Këlcyrës, Memaliajt, Libohovës, Cërrikut, Belshit dhe Prrenjasit janë ata që e ndjejnë më drejtpërdrejt rrezikun e ndryshimit të hartës territoriale. Por problemi nuk është vetëm i tyre.

Është problem i të gjithë qytetarëve shqiptarë. Sepse pas çdo bashkie që humbet funksionet, pas çdo institucioni që largohet nga një qytet, pas çdo shërbimi publik që centralizohet dhe pas çdo familjeje që largohet jashtë vendit, ekziston një pyetje më e madhe: A po boshatiset Shqipëria jashtë qendrave të mëdha?!

Nëse varianti socialist i reformës territoriale prek 15 bashki, kjo nuk do të thotë se pasojat do të kufizohen vetëm në territorin administrativ të tyre. Bashkitë janë pjesë e një sistemi ekonomik dhe social të ndërlidhur.

Kur një bashki dobësohet institucionalisht dhe praktikisht zhduket, pakësohen vendet e punës, preken bizneset lokale, shërbimet publike, arsimi publik, shëndetësia publike, transporti, tregtia, investimet, aktiviteti social, vlera e pronave dhe perspektiva e të rinjve.

Prandaj edhe qytetarët e Tiranës, Durrësit, Shkodrës, Elbasanit, Korçës, Fierit, Vlorës, Gjirokastrës dhe çdo qyteti tjetër kanë arsye të interesohen për atë që ndodh në bashkitë e vogla.

II. Reforma territoriale nuk mund të shihet vetëm si një çështje administrative

Hartat administrative nuk janë thjesht vija në hartë. Ato përcaktojnë se ku ndodhen institucionet, ku ofrohen shërbimet dhe ku përqendrohen burimet publike.

Një ndryshim territorial mund të ketë kuptim vetëm nëse sjell më shumë eficiencë, shërbime më të mira, më shumë zhvillim dhe më shumë mundësi për qytetarët. Prandaj dhe Partia Demokratike këmbëngul për një reformë territoriale me 100 bashki funksionale.

Nëse bashkimi i njësive administrative sjell vetëm centralizim, largim të shërbimeve dhe dobësim të ekonomive lokale, sikurse me siguri 1 milion përqind varianti socialist i 46 bashkive do të pjellë, atëherë duhet të ketë një debat dhe protestë të thellë publike për efektet reale shkatërruese të tij.

Problemi më i madh është boshatisja demografike e vendit. Në themel të debatit për territorin qëndron një problem shumë më i madh: emigrimi. Shqipëria ka humbur një pjesë të konsiderueshme të popullsisë së saj përmes emigrimit dhe tkurrjes demografike.

Goditja është veçanërisht e fortë në zonat periferike, rurale dhe në qytetet e vogla. Kur largohen të rinjtë mbyllen biznese, ulet numri i nxënësve në shkolla, zvogëlohet fuqia punëtore, bien konsumi dhe investimet dhe plaken komunitetet, pasi zvogëlohet kërkesa për shërbime lokale.

Në këtë kuptim, reforma territoriale dhe emigrimi duhet të diskutohen së bashku, se janë vëllezër siamezë!

III. Rreziku real: krijimi i një Shqipërie me dy shpejtësi!

Një Shqipëri ku Tirana dhe disa qendra të mëdha vazhdojnë të rriten, ndërsa qytetet e vogla dhe zonat periferike vazhdojnë të humbin popullsi, është një Shqipëri me zhvillim të pabalancuar.

Në njërën anë kemi përqendrimin e popullsisë, kapitalit, investimeve, vendeve të punës, universiteteve dhe shërbimeve në qytetet kryesore.

Në anën tjetër kemi me dhjetra e dhjetra zona ku popullsia pakësohet, të rinjtë largohen, bizneset mbyllen ose emigrojnë dhe shërbimet dobësohen.

Ky është një rrezik jo vetëm social, por edhe ekonomik dhe territorial. Një bashki e vogël nuk duhet parë si një kosto. Nëse një bashki ka më pak banorë, përgjigjja nuk duhet të jetë automatikisht eliminimi i saj.

Pyetja duhet të jetë: Pse ka më pak banorë? Nëse arsyeja është mungesa e vendeve të punës, mungesa e investimeve, infrastruktura e dobët, emigrimi dhe mungesa e perspektivës, atëherë problemi nuk zgjidhet duke ndryshuar kufijtë administrativë.

Problemi zgjidhet duke krijuar ekonomi lokale.

Fushë-Arrëzi, Klosi, Rrogozhina, Dimal, Poliçani, Patosi, Divjaka, Selenica, Maliqi, Këlcyra, Memaliaj, Libohova, Cërriku, Belshi dhe Prrenjasi nuk janë vetëm emra në një hartë. Ato përfaqësojnë ekonomi lokale, tradita, bujqësi, turizëm, industri, burime natyrore, sipërmarrje dhe komunitete. Çdo qytet i vogël që boshatiset përfaqëson humbjen e një pjese të potencialit ekonomik të Shqipërisë.

Emigrimi është edhe rezultat i mungesës së perspektivës. Njerëzit nuk largohen vetëm për shkak të pagave. Ata largohen edhe kur nuk shohin karrierë, arsim cilësor, shërbime shëndetësore, institucione funksionale, siguri ekonomike, mundësi për biznes dhe perspektivë për fëmijët.

Prandaj, beteja kundër emigrimit fillon dhe përfundon dhe përfundon në territor! Nëse një i ri në një qytet të vogël nuk sheh të ardhme aty ku ka lindur, ai do ta kërkojë atë diku tjetër.

Protesta e 8 tetorit 2026 është edhe një protestë për decentralizimin, për Kartën e Autonomisë Vendore. Një reformë territoriale moderne duhet të shkojë paralelisht me decentralizimin real. Dhe këtë decentralizim real e mundëson vetëm Partia Demokratike me projektin e saj të 100 bashkive. Dhe jo Ramë aventurieri me 46 bashki! Qytetarët duhet të kenë akses pranë vendbanimit të tyre në shërbimet publike. Në vend që të pyetet vetëm: “Sa bashki duhet të ketë Shqipëria?”, duhet pyetur: “Çfarë shërbimesh duhet të ketë çdo qytetar dhe sa larg duhet të jetë institucioni që i ofron ato?”. Ky është standardi real me të cilin duhet të matet reforma territoriale dhe të 100 bashkitë e demokratëve e plotësojnë këtë standard.

xxx

Çdo ndryshim i hartës territoriale duhet të jetë rezultat i një konsultimi real dhe jo thjesht i një vendimmarrjeje politike të shumicës. Duhet të dëgjohen qytetarët në protestë, bizneset, këshillat bashkiakë, shoqëria civile, universitetet, ekspertët e administrimit publik, organizatat e komuniteteve dhe Diaspora.

Një reformë që ndryshon jetën e komuniteteve për dekada nuk mund të trajtohet si një vendim administrativ rutinë.

Prandaj edhe protesta e 8 tetorit përfaqëson një alarm kombëtar. Një alarm kombëtar për boshatisjen e Shqipërisë. Qytetarët e 15 bashkive janë në vijën e parë të këtij problemi, por pas tyre janë miliona shqiptarë që preken nga emigrimi, tkurrja e popullsisë dhe përqendrimi i zhvillimit në pak zona.

Shqipëria nuk mund ta luftojë boshatisjen e vendit duke ndryshuar vetëm hartën. Ajo duhet të krijojë arsye ekonomike, sociale dhe institucionale që shqiptarët të qëndrojnë, të punojnë, të investojnë dhe të ndërtojnë të ardhmen e tyre në vendin e tyre. Dhe kjo është një çështje e të gjithë qytetarëve shqiptarë.

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular