Partia Demokratike thotë se ditën e sotme do të zhvillohet një dëgjesë e përfaqësuesve të Shoqatës së Bashkive dhe të Zgjedhurve Vendorë të Shqipërisë dhe Kongresit të Autoriteteve Lokale e Rajonale të Këshillit të Evropës. Kjo vjen pas kërkesës urgjente të Shoqatës për shqyrtimin e procesit të rishikimit të Reformës Administrativo-Territoriale të vitit 2014.
Në njoftimin e saj, PD thotë se qëllimi i takimit është angazhimi i Kongresit të Këshillit të Evropës lidhur me shqetësimet për shkeljen e parimeve dhe standardeve të Kartës Evropiane të Autonomisë Vendore, si dhe kërkesa për frenimin e procesit të njëanshëm të rishikimit të hartës territoriale.
Propozimi i mazhorancës socialiste për ndarjen e re territoriale parashikon shkrirjen e 15 bashkive. Ndërkohë qytetarët e këtyre njësive vendore prej javësh kanë dalë në protestë, duke kundërshtuar reformën e propozuar nga qeveria.
Sipas Shoqatës së Bashkive, disa prej fazave të parashikuara në kalendarin e Komisionit të Posaçëm Parlamentar nuk janë zhvilluar. Në mënyrë të veçantë, ngrihen shqetësime për raundin e dytë të konsultimeve, sondazhin publik dhe prezantimin e varianteve të mundshme.
Po ashtu, Shoqata ngre si problem moszhvillimin e dëgjesës së parashikuar për Bashkinë e Tiranës.
Njoftimi i plotë:
Sot në mesditë, do të zhvillohet një dëgjesë e përfaqësuesve të Shoqatës së Bashkive dhe të Zgjedhurve Vendorë të Shqipërisë dhe Kongresit të Autoriteteve Lokale e Rajonale të Këshillit të Evropës, pas kërkesës urgjente të Shoqatës për shqyrtimin e procesit të rishikimit të Reformës Administrativo-Territoriale të vitit 2014.
Qëllimi i takimit është angazhimi i Kongresit të Këshillit të Evropës lidhur me shqetësimet për shkeljen e parimeve dhe standardeve të Kartës Evropiane të Autonomisë Vendore, si dhe kërkesa për frenimin e procesit të njëanshëm të rishikimit të hartës territoriale.
Më 17 gusht 2026, Shoqata iu drejtua Presidentes së Kongresit, Claudia Luciani, duke kërkuar një takim për të paraqitur shqetësimet e saj, gjë që u pranua. Shoqata ka theksuar se nuk kërkon mbështetjen e një harte apo force politike të caktuar, por kërkon që procesi të zhvillohet në mënyrë të plotë, transparente dhe në përputhje me standardet evropiane të demokracisë dhe autonomisë lokale.
Sipas Shoqatës, procesi i ndjekur deri më tani ka krijuar shqetësim të gjerë lidhur me mundësinë e ndryshimit arbitrar të strukturave territoriale, duke sjellë kundërshtime dhe protesta në disa zona të vendit.
Një prej shqetësimeve kryesore lidhet me mënyrën e zhvillimit të procesit. Shoqata argumenton se disa nga fazat e parashikuara në kalendarin e Komisionit të Posaçëm Parlamentar nuk janë zhvilluar, përfshirë raundin e dytë të konsultimeve, sondazhin publik dhe prezantimin e varianteve. Po ashtu, është ngritur shqetësimi për moszhvillimin e dëgjesës së parashikuar për Bashkinë e Tiranës.
Në këtë kuadër, Shoqata i kërkon Kongresit të Këshillit të Evropës të shqyrtojë dokumentacionin e procesit, konsultimet e zhvilluara në qarqe, qëndrimet e bashkive dhe këshillave bashkiakë, reagimet e komuniteteve dhe alternativat e paraqitura.
Shoqata kërkon që Kongresi të vlerësojë nëse procesi është në përputhje me Kartën Evropiane të Autonomisë Vendore dhe standardet e Këshillit të Evropës, duke kërkuar që t’i jepet fund një procesi që, sipas saj, është zhvilluar pa konsensusin dhe përfshirjen e nevojshme të autoriteteve vendore dhe komuniteteve.
Sipas qëndrimit të Shoqatës, përmes procedurës së ndjekur dhe përmbajtjes së propozuar, reforma ka humbur legjitimitetin dhe ngre pikëpyetje serioze mbi kushtetutshmërinë e saj. Shoqata argumenton se në këtë proces rrezikohet jo vetëm e drejta e qytetarëve për ruajtjen e kufijve të njësive të tyre vendore, por edhe një sërë të drejtash dhe parimesh të mbrojtura nga Karta Evropiane e Autonomisë Vendore.
Shoqata nuk i kërkon Kongresit të përcaktojë hartën territoriale të Shqipërisë, por të vlerësojë procesin dhe respektimin e standardeve evropiane. Kërkesa kryesore është që çdo ndryshim i ardhshëm territorial të mbështetet në konsultim real, transparencë, evidencë, pjesëmarrje të komuniteteve dhe konsensus.
Kongresi i Këshillit të Evropës ka konfirmuar marrjen e kërkesës dhe dokumentacionit të paraqitur nga Shoqata dhe ka shprehur gatishmërinë për zhvillimin e një videothirrjeje me përfaqësuesit e saj.
Takimi i sotëm pritet të fokusohet pikërisht te përfshirja e autoriteteve vendore dhe komuniteteve në proces, respektimi i parimeve të autonomisë vendore dhe shqetësimet e ngritura nga Shoqata lidhur me mënyrën se si po zhvillohet rishikimi i Reformës Administrativo-Territoriale.
Kongresi i Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës do të përfaqësohet nga drejtueset e larta Claudia Luciani dhe Carolin Dubois-Leinihan, të shoqëruara nga ekipet përkatëse.
Nga pala shqiptare, në takim do të marrin pjesë përfaqësues të Shoqatës së Bashkive dhe të Zgjedhurve Vendorë, konkretisht:
* Fisnik Qosja – President i Shoqatës dhe Kryetar i Bashkisë Kavajë;
* Albert Malaj – Zv.president i Shoqatës dhe Kryetar i Bashkisë Memaliaj;
* Hilë Curri – Kryetar i Bashkisë Fushë-Arrëz;
* Arlind Hoxha – Drejtor Ekzekutiv i Shoqatës;
* Skeldi Sedi – Koordinator i Projektit;
* Ylli Asllani – Ekspert i Nivelit të Lartë për Reformën Territoriale-Administrative në Komisionin e Posaçëm Parlamentar;
* Agron Haxhimali – Ekspert i Nivelit të Lartë për Reformën Territoriale-Administrative në Komisionin e Posaçëm Parlamentar.
Takimi shihet nga Shoqata si një mundësi për t’i paraqitur drejtpërdrejt strukturave të Këshillit të Evropës shqetësimet mbi procesin dhe për të kërkuar një vlerësim të tij në raport me standardet evropiane të autonomisë vendore.







