Një konflikt për linjën e ujit të pijshëm ka përfunduar me plagosjen e rëndë të administratorit të një pallati në Tiranë. Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e sotëm në një pallat në rrugën “Aleksandri i Madh”.
Sipas Policisë së Shtetit, administratori i pallatit, shtetasi F. G., 74 vjeç, është plagosur rëndë me mjete prerëse gjatë një konflikti me një prej banorëve të objektit.
Pas marrjes së njoftimit, policia ka arrestuar menjëherë shtetasin K. L., 35 vjeç, banor i të njëjtit pallat.
Nga hetimet paraprake dyshohet se 35-vjeçari ka përdorur mjete prerëse gjatë konfliktit me 74-vjeçarin. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar një thikë dhe një motosharrë.
Njoftimi:
Plagosi rëndë, me mjete prerëse, administratorin e pallatit ku banonte, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 arrestojnë menjëherë pas krimit, autorin.
Sekuestrohen mjetet prerëse (thikë dhe motorsharrë).
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, menjëherë pas njoftimit të mëngjesit të sotëm, se në ambientet e një pallati në rrugën “Aleksandri i Madh”, ndodhej i dëmtuar administratori i objektit, shtetasi F. G., 74 vjeç, shkuan në vendngjarje për të sqaruar autorësinë dhe rrethanat e rastit.
Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe operacionale, u identifikua dhe u arrestua menjëherë pas kryerjes së krimit, autori i dyshuar, shtetasi K. L., 35 vjeç, banor i këtij pallati.
Nga veprimet e deritanishme hetimore dyshohet se 35-vjeçari ka plagosur rëndë, me mjete prerëse, 74-vjeçarin, gjatë një konflikti për linjen e ujit të pijshëm në këtë pallat.
I dëmtuari është transportuar në spital, ku është në kujdesin e mjekëve.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, me qëllim zbardhjen dhe dokumentimin e rrethanave të këtij rasti.







