Bashkitë e Qarkut të Kukësit kanë nivelin më të ulët të mbulimit të funksioneve në vend, ndërsa të dhënat tregojnë një hendek të thellë mes njësive vendore në aftësinë për të financuar dhe ushtruar përgjegjësitë që u ngarkon ligji.
Në rang kombëtar, 42 nga 61 bashki nuk arrijnë të financojnë as gjysmën e funksioneve të matshme.
Sipas të dhënave të Indeksit të Funksionalitetit të Bashkive (IFB), të përfshira në Raportin Përfundimtar për Reformën Administrativo-Territoriale 2.0 të mazhorancës, qarku i Kukësit regjistron nivelin mesatar më të ulët të mbulimit funksional, me vetëm 39,2%.
Në të njëjtën pjesë të poshtme të renditjes janë qarqet e Vlorës dhe Gjirokastrës, me nga 39,9%, ndërsa Elbasani arrin në 46,2%.
Në skajin tjetër, mbulimin më të lartë të funksioneve e ka qarku i Lezhës, me 56,9%, i ndjekur nga Durrësi me 53,9%. Dibra dhe Shkodra kanë një nivel mesatar prej 50%.
Dobësitë e qarkut të Kukësit pasqyrohen edhe në rezultatet individuale të bashkive. Bashkia Kukës merr vetëm 37,3 pikë nga 100 në Indeksin e Funksionalitetit, ndërsa Tropoja renditet me 36,5 pikë. Këto rezultate i pozicionojnë të dyja njësitë ndër bashkitë me kapacitetet më të dobëta financiare dhe administrative në vend.
Në nivel kombëtar, diferencat mes bashkive janë të ndjeshme. Kamza renditet e para me 100 pikë nga 100, e ndjekur nga Tirana me 99,4 pikë, Himara me 90,9 pikë dhe Durrësi me 87,2 pikë.
Në grupin e bashkive me rezultatet më të larta hyjnë gjithashtu Lezha me 79,8 pikë, Shijaku me 79,6, Shkodra me 77,1, Vlora me 74,2, Saranda me 73,6 dhe Patosi me 71,7 pikë. Gjirokastra dhe Korça qëndrojnë gjithashtu mbi nivelin e 70 pikëve, përkatësisht me 70,3 dhe 70,2 pikë.
Në fund të renditjes është Pusteci, me 0 pikë, ndërsa Rrogozhina merr vetëm 8,3 pikë. Rezultate të ulëta kanë edhe Konispoli me 30,7 pikë, Tepelena me 32,6, Fushë-Arrëzi me 34,2 dhe Memaliaj me 36,4 pikë.
Të dhënat tregojnë se madhësia e popullsisë apo pesha ekonomike nuk garantojnë automatikisht funksionalitet më të lartë. Kavaja, për shembull, merr 46,7 pikë, Dibra 48,6, Pogradeci 49,3 dhe Maliqi 49,7 pikë. Edhe Fieri, një ndër bashkitë më të mëdha në vend, arrin vetëm në 55,4 pikë.
42 bashki nuk financojnë as gjysmën e funksioneve
Problemi është më i gjerë se rezultatet e disa njësive të veçanta. Sipas raportit, 42 nga 61 bashki mbulojnë më pak se gjysmën e funksioneve të matshme, ndërsa vetëm pesë bashki arrijnë të financojnë dhe ushtrojnë të paktën 24 funksione.
Kjo tregon se ekzistenca e një buxheti dhe e një administrate vendore nuk do të thotë domosdoshmërisht se bashkia disponon burimet e nevojshme për të përmbushur të gjitha përgjegjësitë që i janë caktuar me ligj.
Indeksi i Funksionalitetit të Bashkive është ndërtuar në një shkallë nga 0 në 100 dhe synon të vlerësojë nëse njësitë vendore kanë kapacitetet financiare dhe organizative për të ushtruar në mënyrë të qëndrueshme funksionet e tyre.
Në përllogaritjen e tij përfshihen pesë elemente: autonomia fiskale, ngurtësia buxhetore, mbulimi funksional i ponderuar, eficienca e stafit dhe barra e detyrimeve të prapambetura.
Raporti sqaron se “funksionaliteti” nuk mat drejtpërdrejt cilësinë e shërbimeve që qytetarët marrin nga bashkia. Indeksi vlerëson kryesisht nëse ekzistojnë kushtet financiare dhe administrative që i mundësojnë një njësie vendore të ushtrojë funksionet e veta dhe ato të deleguara.
Kukësi, më i varur nga fondet e kushtëzuara
Funksionaliteti i dobët lidhet edhe me shkallën e kufizuar të autonomisë financiare të një pjese të bashkive.
Në nivel kombëtar, transferta e kushtëzuar arrin në 35,3 miliardë lekë, kundrejt 23,8 miliardë lekëve të transfertës së pakushtëzuar. Fondet që qeveria qendrore u jep bashkive për përdorime të përcaktuara paraprakisht janë kështu rreth 11,5 miliardë lekë më të larta se transfertat që njësitë vendore mund t’i përdorin sipas prioriteteve të tyre.
Varësia është më e dukshme në qarqe si Kukësi, Dibra dhe Gjirokastra, ku pesha e transfertave të kushtëzuara është më e lartë. Bashkitë e këtyre qarqeve kanë një bazë më të kufizuar të ardhurash të veta dhe, njëkohësisht, më pak hapësirë për të vendosur në mënyrë autonome se si do të përdoren fondet.
Raporti e lidh këtë problem edhe me parimet e Kartës Europiane të Autonomisë Vendore, sipas së cilës njësitë vendore duhet të disponojnë një pjesë sa më të madhe të burimeve financiare që mund t’i përdorin në përputhje me prioritetet lokale. Monitor







