Një 17-vjeçare gjermane ka denoncuar një sulm të dyshuar seksual pas një nate në një klub nate në Rimini të Italisë.
Ngjarja ka ndodhur gjatë natës së së premtes, më 11 shtator, ndërsa vajza ndodhej në Itali me një grup miqsh për pushime.
Sipas raportimeve të mediave italiane, e mitura u kthye në hotel në orët e mëngjesit e hutuar dhe tha se nuk kishte kujtime për atë që kishte ndodhur gjatë natës. Ajo u tha miqve se dyshonte se mund të ishte përdhunuar dhe kërkoi të dërgohej në spital, shkruajnë mediat.
Në urgjencë, 17-vjeçarja iu nënshtrua kontrolleve mjekësore dhe procedurave të parashikuara për rastet e dyshuara të dhunës seksuale. Raporti mjekësor iu përcoll Policisë së Shtetit italian, e cila ka nisur hetimet.
Një prej pistave që po shqyrtojnë hetuesit lidhet me amnezinë e plotë të vajzës, e cila ka deklaruar se kishte konsumuar alkool gjatë mbrëmjes. Autoritetet po verifikojnë nëse mund të jetë përdorur edhe ndonjë substancë narkotike.
Sipas dëshmive të mbledhura, vajza ishte parë duke kërcyer në klub me miqtë e saj përpara se të largohej nga ambienti me një të ri.
Policia ka identifikuar një 27-vjeçar, turist që qëndronte në të njëjtin hotel me grupin gjerman. Në dhomën e tij është kryer një kontroll, gjatë të cilit janë sekuestruar disa sende personale dhe telefoni celular.
I riu është marrë në pyetje dhe, sipas raportimeve, ka mohuar kategorikisht se ka ushtruar dhunë ndaj 17-vjeçares. Ai nuk ka precedentë penalë dhe deri tani nuk është marrë asnjë masë ndaj tij, ndërsa hetimet vijojnë për të sqaruar rrethanat e ngjarjes.
Autoritetet italiane pritet të mbështeten edhe te rezultatet e ekzaminimeve mjekësore dhe analizave laboratorike për të përcaktuar se çfarë ka ndodhur gjatë natës.







