Aksidentet rrugore përbëjnë një nga grupimet më të mëdha të çështjeve që shqyrtohen në sallat e gjyqit. Proceset më të komplikuara janë ato ku ka viktima, të cilat, siç është evidentuar edhe më herët, ndërlikohen më tej nga mbivendosja e disa ekspertizave.
Nëse shumë qytetarë shpresojnë te drejtësia për familjarët e tyre, ka edhe nga ata që përballen me një mjedis veçanërisht të vështirë. Më vulnerabël janë ata që ndodhen larg vendit të tyre, veçanërisht shtetasit e huaj.
Rritja e numrit të turistëve në Shqipëri ka sjellë edhe raste të shumta të aksidenteve ku përfshihen shtetas të huaj.
Më 6 qershor 2026, në aksin Fier–Levan, një tjetër aksident i rëndë tronditi vendin. Në përplasje u përfshinë një taksi dhe një automjet tip “Audi”. Në drejtimin e taksisë ndodhej 28-vjeçari nga Letonia, Daniels Rjabcevs.

Ai kishte ardhur në Shqipëri për dasmën e një miku të tij. Por nuk arriti të kthehej në shtëpi.
“Djali im erdhi këtu vetëm për pesë ditë për dasmën e shokut të tij më të mirë dhe më 6 qershor familja mike në Londër erdhi në shtëpinë time dhe më tha se ai kishte pësuar një aksident shumë të rëndë dhe ishte në koma.”
Sipas akteve procedurale, Rjabcevs u transportua fillimisht në Spitalin Rajonal të Fierit dhe më pas në Spitalin e Traumës në Tiranë. Pavarësisht ndërhyrjes mjekësore, ai nuk mbijetoi.
Në dosje është urdhëruar kryerja e ekspertizës mjekoligjore për të përcaktuar mekanizmin e dëmtimeve dhe dinamikën e aksidentit.
Por përtej dokumenteve të një dosjeje penale, mbetet historia e një nëne që udhëtoi me urgjencë nga Anglia drejt Shqipërisë, me shpresën se do ta gjente të gjallë djalin e saj.
“Shkuam menjëherë në spital dhe pamë se gjendja ishte shumë e rëndë. Ai ishte në koma dhe më pas ndërroi jetë.”
Në dëshminë e saj nuk ka akuza. Ka vetëm boshllëk dhe pyetje që presin përgjigje. Ajo thotë se nuk di detajet e aksidentit dhe se nuk ka informacion mbi përgjegjësit, ndaj kërkon ndihmë.
“Për momentin nuk kemi asnjë informacion. Na thonë se ende nuk është gati. Kemi një avokate dhe po presim dokumentacionin.”
Për më shumë se 24 orë, askush nuk dinte se ku ndodhej Daniels. Miqtë e kërkonin, familja priste një telefonatë, ndërsa ai luftonte për jetën në spital.
Sipas të dhënave, ai ishte larguar për pak minuta nga dasma për të marrë një karikues telefoni. Më pas, mungesa e tij u kthye në një sagë që përfundoi në mënyrë tragjike.
Por pas çdo dosjeje penale nuk mbetet vetëm një viktimë. Mbeten familje që udhëtojnë nga një vend në tjetrin për të marrë trupin e të dashurit të tyre.
Mbeten histori që përfundojnë në arkivol, ndërsa kanë nisur si festa, udhëtime apo një ditë e zakonshme.
Më pas nis një tjetër proces, më pak i dukshëm, por po aq i rëndësishëm: vlerësimi financiar i jetës së humbur. Kjo është një fushë ku, siç është evidentuar edhe në investigime të mëhershme, ngrihen shqetësime për ndërhyrje dhe praktika korruptive. Sipas këtyre pretendimeve, përmes manipulimeve në proceset gjyqësore dhe ekspertizave, përgjegjësia mund të orientohet në drejtime të tjera.
“Është një gangrenë shumë e madhe fakti që, sa ndodh aksidenti automobilistik, të gjithë mendjen e kanë te dëmshpërblimi dhe mënyra sesi do të ecë procesi civil në dëmshpërblimin e aksidenteve automobilistike, duke u anashkaluar hetimi penal”, u shpreh Eugen Beci, ish-prokuror.
Ndërsa Gedeon Dudushi theksoi se proceset për dëmshpërblimin po zgjasin gjithnjë e më shumë.
“Procesi i dëmshpërblimit është një proces që, fatkeqësisht, po bëhet çdo herë e më i gjatë, dhe kjo për disa arsye. Prokuroritë, për shkak të ngarkesave të tyre, i zgjasin shumë hetimet e tyre. Gjykatat, po ashtu, zgjasin shumë hetimet dhe në momentin kur ti ke plotësuar të gjithë pjesën e dokumentacionit të nevojshëm, me kompaninë e sigurimit ka gjithmonë debate në vlera. Nuk po them për rastet me vdekje, pasi ato kanë një lloj rregullimi me ligj”, u shpreh Dudushi.








