Bashkëpiloti i FlyDubai, i cili goditi me thikë kapitenin dhe tentoi që të rrëzonte avionin që ishte nisur për në Tel Aviv, më parë ishte ndaluar të fluturonte për në Oman për shkak të shqetësimeve se ai kishte pikëpamje radikale ideologjike, sipas njerëzve të njohur me çështjen.
Pavarësisht pezullimit të tij, piloti u punësua më vonë nga FlyDubai, sipas të njëjtave burime, dhe mori përsipër fluturime në rrugën që lidh Emiratet e Bashkuara Arabe me Izraelin. Persona të tjerë të informuar mbi hetimin thanë se autori i dyshuar është një shtetas omani i quajtur Hamam al-Hamami.
Nuk është e qartë nëse autoritetet e Omanit i kanë informuar vendet e tjera ose linjat ajrore për shqetësimet e tyre në lidhje me pilotin dhe nuk janë publikuar detaje të mëtejshme rreth natyrës së radikalizimit të tij.
Emiratet e Bashkuara Arabe po udhëheqin hetimin për incidentin. Një këshilltar i lartë i udhëheqësit të Emirateve të Bashkuara Arabe dhe kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu e përshkroi incidentin e së mërkurës si një akt terrorist.
“Autori i krimit kishte pësuar radikalizim islamik. Ai erdhi për të rrëzuar aeroplanin me pasagjerët e tij.”, tha Netanyahu.
Si ndodhi ngjarja
Fluturimi nga Dubai për në Tel Aviv pothuajse përfundoi në tragjedi të mërkurën në mëngjes kur bashkëpiloti dyshohet se e goditi me thikë kapitenin, duke bërë që aeroplani të binte ndjeshëm dhe pothuajse të rrëzohej.
Pavarësisht lëndimeve të rënda, kapiteni arriti të hapte derën e kabinës së pilotit, duke u lejuar pasagjerëve dhe anëtarëve të ekuipazhit ta frenonin sulmuesin. Në të njëjtën kohë, dy pilotë rezervë në bord të avionit arritën të rifitonin kontrollin, ta stabilizonin atë dhe përfundimisht ta ulnin atë, sipas rrëfimeve të pasagjerëve.







