Nga Frank Shkreli * Ish-Drejtor i VOA-s për Euro-Azinë*
Dhjetë vjet më parë, në Washington, u ngrit flamuri amerikan në nderim të Engjëll Musait, drejtorit të gazetës Telegraf të Tiranës. Më 2016, me kërkesë të kongresistit amerikan Eliot L. Engel flamuri i Shteteve të Bashkuara u ngrit në Capitol Hill në nderim të Engjëll Musait. Dokumentimi i kohës e lidhte këtë nderim me kontributin e tij në forcimin e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane dhe me punën e gazetës “Telegraf” në mbështetje të demokracisë, drejtësisë, lirisë dhe barazisë

3 tetor 2026, shënoi dhjetë vjetorin e një ngjarjeje që nuk mbetet vetëm një kujtim personal i një gazetari, por duhet të ruhet si pjesë e kujtesës së gazetarisë shqiptare në përgjithsi dhe e lidhjeve të veçanta shqiptaro-amerikane, në veçanti. Dhjetë vjet më parë, në Washington, u ngrit flamuri amerikan në nderim të Engjëll Musait, drejtorit dhe kryeredaktorit të gazetës Telegraf të Tiranës, me botues Agim Çirakun. Një flamur në Capitol Hill. Më 2016, me kërkesë të kongresistit amerikan Eliot L. Engel flamuri i Shteteve të Bashkuara u ngrit në Capitol Hill në nderim të Engjëll Musait. Dokumentimi i kohës e lidhte këtë nderim me kontributin e tij në forcimin e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane dhe me punën e gazetës “Telegraf” në mbështetje të demokracisë, drejtësisë, lirisë dhe barazisë Nuk ishte një dekoratë në kuptimin tradicional të fjalës. Ishte një simbol. Dhe ndoshta pikërisht për këtë arsye ka mbetur në kujtesë. Sepse flamuri amerikan, sidomos në Washington, nuk është një simbol i zakonshëm. Ai shte një gjest simbolik, por me një domethënie shumë më të madhe se ceremonia në vetvete e 10-viteve më parë (tetor, 2016). Flamuri i Shteteve të Bashkuara, në kryeqytetin amerikan, nuk është thjesht një simbol shtetëror. Për shqiptarët, ai flamur mbart edhe historinë e një miqësie të jashtëzakonshme, midis Shteteve të bashkuara dhe shqiptarëve të një marrëdhënieje që është forcuar gjatë dekadave dhe të një besimi të ndërsjellë që ka kaluar sprova të shumta prej më shumë se një shekull.
Prandaj, fakti që flamuri amerikan është ngritur në nderim të një gazetari shqiptar merr një kuptim të veçantë. Një kujtim që meriton të rikthehet sot — megjithse kanë kaluar dhjetë vjet — ia vlen të ndalemi edhe një herë te ajo ngjarje. Në portalin personal të Engjëll Musait është rikujtuar ky moment i veçantë, së bashku me vlerësimin që iu bë atij dhe gazetës Telegraf. Është një dëshmi se gazetaria, kur ushtrohet me përkushtim, mund të kapërcejë kufijtë e një vendi dhe të krijojë ura me botën shqiptare në diasporë dhe me Shtetet e Bashkuara.
Engjëll Musai ka qenë për vite me radhë një nga zërat e gazetarisë shqiptare, në një periudhë kur shtypi shqiptar ka kaluar ndryshime të mëdha, nga një system komunist i mbyllur dhe i kontrolluar, drejt pluralizmit, debatit publik dhe një hapësire mediatike gjithnjë e më të hapur. Në këtë rrugëtim, gazeta Telegraf ka qenë pjesë e rëndësishme e peizazhit të shtypit shqiptar për mbi 20-vjet. Nuk duhet harrzar se pas kësaj gazete qëndron puna e njerëzve që e kanë mbajtur gjallë çdo ditë, gazetarë, redaktorë, drejtues dhe botues. Njëri prej tyre është Engjëll Musai.

Për mua, si bashkpuntor i ngushtë i gazetës Telegraf ky përvjetor ka edhe një dimension tjetër. Si i tillë, kam pasur privilegjin ta ndjek gazetarinë shqiptare nga afër për shumë vite dhe të dëshmoj transformimet e saj. 20-vjetori i themelimit të gazetës “Telegraf”/ Frank Shkreli: Një trashëgimi gazetareske bazuar në vlera dhe integritet dhe etikë gazetareske | Gazeta Telegraf. Por kam parë gjithashtu se sa e rëndësishme ka qenë lidhja e gazetarëve shqiptarë me botën perëndimore dhe veçanërisht me Shtetet e Bashkuara. Sepse gazetaria nuk është vetëm profesioni i informimit. Në periudha të caktuara të historisë, ajo bëhet edhe urë komunikimi, kujtese dhe besimi. E në rastin e Shqipërisë, kjo ka një rëndësi të veçantë. Për dekada, Amerika ka qenë për shqiptarët një pikë referimi e lirisë, demokracisë dhe shpresës. Pas shembjes së komunizmit, marrëdhëniet shqiptaro-amerikane morën një dimension të ri dhe media shqiptare luajti një rol të rëndësishëm në përcjelljen e kësaj marrëdhënieje te shqiptarët kudo.
Në këtë kuadër duhet parë edhe simbolika e atij flamuri të ngritur në Washington, 10-vjet më parë. Sot, dhjetë vjet më vonë, ajo fotografi e flamurit amerikan të kujton se disa momente nuk duhen lënë të humbasin në harresën e përditshme. Ato duhen dokumentuar, duhet t’u tregohen brezave të rinj. Sepse historia e një kombi nuk ndërtohet vetëm nga ngjarjet e mëdha politike. Ajo ndërtohet edhe nga njerëzit që, në mënyrën e tyre, kanë kontribuar në jetën publike, në kulturë, në gazetari dhe në forcimin e lidhjeve me botën demokratike. Engjëll Musai dhe gazeta Telegraf janë pjesë e kësaj historie. Prandaj, 10-vjetori i ngritjes së flamurit amerikan në Washington është një rast për të kujtuar jo vetëm një nderim, por edhe një parim. Se gazetaria shqiptare ka një histori të sajën, me njerëz që kanë punuar për ta mbajtur të gjallë fjalën e lirë dhe lidhjen e Shqipërisë me botën perëndimore, veçanërisht, me Shtetet e Bashkuara. Dhjetë vjet kalojnë shpejt Por disa simbole nuk plaken. Flamuri amerikan që u ngrit në Washington në nderim të Engjëll Musait 10- vjet më parë është një prej tyre.
Ai flamur mund të shihet sot, jo vetëm, si një simbol i miqësisë shqiptaro-amerikane, por edhe si një homazh për gazetarinë shqiptare dhe për njerëzit që i kanë shërbyer asaj me përkushtim, megjithse shpesh nën rrethana të vështira. Kjo në një kohë kur media përballet me sfida të reja, kur teknologjia ka ndryshuar mënyrën se si informohet shoqëria dhe kur fjala e shkruar konkurron çdo ditë me rrjetet sociale dhe informacionin e pakontrolluar, kujtime të tilla bëhen edhe më të rëndësishme. Sepse gazetaria e vërtetë nuk matet vetëm me numrin e faqeve, klikimeve apo titujve. Ajo matet edhe me gjurmën që lë në kujtesën e shoqërisë të cilëss i shërben. Dhe një flamur që valëviti në Washington në nderim të një gazetari shqiptar, dhjetë vjet më parë, është një gjurmë që meriton të kujtohet. Dikush mund të pyes se ç’rëndësi ka ta kujtojmë sot këtë përvjetor. Jo, për nostalgji. Por ka rëndësi se Shqipëria dhe shqiptarët vazhdojnë të kenë një lidhje të veçantë me Shtetet e Bashkuara. Dhe se kjo lidhje nuk duhet marrë si e mirëqenë. Ajo duhet ushqyer me njohje, komunikim, respekt dhe mbi të gjitha me vlera të përbashkëta. Në këtë pikë, gazetaria ka një mision të pazëvendësueshëm. Një gazetë shqiptare, siç është gauzeta Telegraf që i kushton vëmendje marrëdhënieve me Amerikën nuk është duke bërë thjesht politikë të jashtme. Ajo po ndihmon, njëkohsisht, lexuesin shqiptar të kuptojë më mirë demokracinë, institucionet, lirinë e fjalës, drejtësinë dhe përgjegjësinë qytetare.
Prandaj, sot, në 10-vjetorin e asaj dite, le të kujtojmë Engjëll Musain, gazetarin dhe drejtuesin e Telegraf – por edhe botuesin Agim Çiraku dhe të gjithë stafin e gazetës — dhe atë moment të veçantë kur flamuri amerikan u ngrit në Washington në nderim të Engjëll Musait. Një flamur që valëviti për një gazetar shqiptar në Kongresin amerikan. Një flamur që, në mënyrën e vet, dëshmoi edhe një herë se – në historinë e saj mbi 100-vjeçare — miqësia shqiptaro-amerikane ka shumë histori njerëzore për të treguar.







