Aktivisti i protestës qytetare Ilir Xhemalaj tha se janë të mirëpritur në bulevard të gjithë demokratët e zhgënjyer, por nuk janë të mirëpritur Sali Berisha, apo deputetë të PD-së.
Duke folur për emisionin “Off the Record” në A2CNN, Xhemalaj i konsideroi të kapur deputetët socialistë dhe ata demokratë.
“Nuk ftojmë në shesh Sali Berishën, por forcat opozitare. Të gjithë ata opozitarë të zhgënjyer nga PD dhe nga PS. Ne duam që të gjithë këta persona të vijnë në shesh, të lirë, jo të kryesuar nga një parti apo kryetar. Të vijnë në shesh si opozitarë, dhe si opozitarë të përpiqemi të rrëzojmë qeverinë Rama. PD s’mund të përfaqësohet nga ata deputetë që ka, ka një bazë të gjerë. Ne këta njerëz duam. Nuk po kërkojmë që të vijë Klevis Balliu në protestë. Ne duam që të gjithë ata demokratë të zhgënjyer të dalin në shesh, jo deputetët. Deputetët ne e dimë shumë mirë, si nga PS apo PD, është i kapur”, u shpreh Xhemalaj.
Krydemokrati Sali Berisha, pasi fillimisht paralajmëroi një protestë të madhe kombëtare më 8 tetor dhe u bëri thirrje qytetarëve e mbështetësve të opozitës për mobilizim, sot deklaroi se demokratët do t’i bashkohen protestës qytetare të paralajmëruar më herët nga “Revolucioni Flamingo”.
Në konferencën për mediat këtë të hënë, Berisha u bëri thirrje demokratëve nga Tirana dhe rrethet që të marrin pjesë në protestën e së enjtes, por këtë herë kërkoi që ata të shkojnë pa flamuj dhe pa simbolet e Partisë Demokratike.
“Ditën e enjte, në protestën kombëtare qytetare, demokrate e demokratë nga e gjithë Shqipëria dhe Tirana do t’i bashkohen dhe do të jenë në protestën qytetare pa simbole, pa flamuj! Jemi në protestë qytetare rinore, për një kauzë jashtëzakonisht të madhe!”, deklaroi Berisha.







