Kombëtarja ka gjetur portierin e tretë për ndeshjen ndaj San Marinos, me një emër surprizë i cili do të grumbullohet për herë të parë me ekipin A kuqezi.
Portieri 19-vjeçar Alain Taho, i cili është pjesë e akademisë së Interit por është ulur në pankinë disa herë me ekipin e parë të zikaltërve në vitin e fundit si portier i tretë, do të ketë këtë rol edhe në ndeshjen e Shqipërisë ndaj San Marinos këtë të martë në darkë.
Portieri ka qenë pjesë e grumbullimit të Shqipërisë U21 dhe sot luajti ndaj Ukrainës. Por ai është ftuar të marrë pjesë në ndeshjen e Kombëtares A pasi kjo e fundit humbi shërbimet e Berishës dhe Sherrit, përkatësisht për pezullim dhe dëmtim.
Kjo ftesë ishte shumë e papritur pasi emri i Tahos për momentin nuk qarkullonte në radarët e ekipit A. Në të kaluarën, pjesë e kuqezinjve kanë qenë emra si Elhan Kastrati e Pano Qirko, ndërsa ka qarkulluar edhe një kandidaturë si Klidman Lilo i cili po bën mjaft mirë në Greqi. Por në FSHF kanë preferuar Tahon, i cili do të vihet në dispozicion të Maran sapo të mbërrijë në vendin tonë ditën e nesërme.







