HomeBotaNesër shpallet fituesi i çmimit Nobel për Paqen – Trump kërkon dekorimin:...

Nesër shpallet fituesi i çmimit Nobel për Paqen – Trump kërkon dekorimin: Kam ndaluar 8 konflikte në botë

Advertismentspot_img

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka rritur ndjeshëm presionin publik për marrjen e Çmimit Nobel për Paqen 2026, vetëm një ditë përpara se Komiteti Norvegjez i Nobelit të shpallë zyrtarisht laureatin e këtij viti.

Gjatë një deklarate për mediat në Zyrën Ovale, Trump pretendoi se arritjet e tij diplomatike kalojnë ato të çdo fituesi të mëparshëm, duke theksuar se ka arritur të ndalë tetë konflikte ndërkombëtare që nga rikthimi i tij në Shtëpinë e Bardhë në janar 2025.

“Kam bërë gjëra që askush tjetër nuk i ka bërë. Nuk po mburrem, thjesht po thotë faktet. Ndoshta asnjë president nuk ka zgjidhur ndonjëherë luftëra. Unë kam zgjidhur tetë luftëra. Do të ishte një diskreditim i madh për Komitetin e Nobelit nëse nuk do të përzgjidhesha,” u shpreh Trump para gazetarëve.

Ndër përplasjet që Trump pretendon se ka zgjidhur ose parandaluar përfshihen ato mes Indisë dhe Pakistanit, Izraelit dhe Hamasit, Izraelit dhe Iranit, Kamboxhias dhe Tajlandës, Serbisë dhe Kosovës, Ruandës dhe RDK-së, Armenisë dhe Azerbajxhanit, si dhe mosmarrëveshja mes Egjiptit dhe Etiopisë.

Megjithatë, roli i Uashingtonit në disa prej këtyre çështjeve është pritur me skepticizëm apo kundërshtuar hapur. India, për shembull, ka mohuar që SHBA-ja të ketë ndërmjetësuar armëpushimin e majit 2025 me Pakistanin, duke deklaruar se marrëveshja u arrit dypalësh. Po ashtu, kritikët vënë në dukje se në disa prej këtyre rajoneve dhuna është rikthyer, duke vënë në dyshim pretendimin se luftërat janë “zgjidhur” përfundimisht.

Trump nuk ngurroi të lëshojë kunja edhe ndaj paraardhësit të tij, Barack Obama, i cili mori Çmimin Nobel për Paqen në vitin 2009.

“Obama nuk bëri asgjë për ta merituar atë çmim. Ndërsa liderja e opozitës venezueliane, María Corina Machado [fituese e Nobelit 2025], kur erdhi në Shtëpinë e Bardhë në janar ma dorëzoi medaljen e saj, duke thënë se nuk e meritonte ajo, por unë,” deklaroi kreu i Shtëpisë së Bardhë.

Pavarësisht kësaj fushate aggressive, Trump pranoi se nuk është i sigurt për vendimin përfundimtar, duke pretenduar se komiteti ka prirje të mos u japë çmime “njerëzve si ai”.

Komiteti Norvegjez i Nobelit shpall laureatin e vitit 2026 këtë të premte, më 9 tetor në Oslo. Për çmimin e këtij viti janë dorëzuar gjithsej 287 nominime (208 individë dhe 79 organizata).

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular