Gazetarja e Daily Mail, Elina Shiraz, ka zbuluar detaje nga prapaskenat e largimit të Kimberly Guilfoyle nga posti i ambasadores së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Greqi, duke deklaruar se ajo ishte në dijeni të zhvillimeve që do të çonin në largimin e saj.
Sipas Shiraz, Guilfoyle e dinte se largimi i saj ishte duke u përgatitur që në momentin kur sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, vizitoi Athinën disa ditë më parë.
“Ajo e përqafoi, ndihej e fortë dhe e sigurt, por njerëzit prapa skenave më thanë se ajo e dinte se do të largohej”, deklaroi gazetarja në një intervistë për televizionin ERT, duke shtuar se vendimi për largimin e ambasadores u mor brenda vetëm dy ditësh.
Shiraz tregoi se kishte marrë një numër të madh ankesash dhe materialesh, përfshirë mesazhe dhe regjistrime audio, nga persona në Greqi dhe në SHBA. Sipas saj, informacionet e mbledhura tregonin për pakënaqësi edhe brenda qarqeve diplomatike.
Gazetarja shpjegoi gjithashtu se pyetja e saj drejtuar zëdhënëses së Shtëpisë së Bardhë, Katie Zacharia, nuk kishte si qëllim të nxirrte një njoftim të menjëhershëm për largimin e Guilfoyle, por të kuptonte nëse administrata amerikane kishte ndërmend të ndërmerrte hapa lidhur me akuzat e publikuara.
Ajo tha se më vonë ia drejtoi të njëjtën pyetje edhe presidentit Donald Trump, i cili, sipas saj, u përpoq ta shmangte çështjen.
Largimi i Guilfoyle vjen pas raportimeve mediatike për sjelljen e saj dhe marrëdhëniet me biznesmenë grekë. Publikimet kanë ngritur pikëpyetje edhe për përdorimin e avionëve privatë gjatë udhëtimeve dhe pjesëmarrjen në aktivitete shoqërore, shpenzimet e të cilave dyshohet se mbuloheshin nga biznesmenë.
Ndërkohë, Guilfoyle dhe avokatët e saj i kanë mohuar akuzat, duke deklaruar se ajo kishte informuar Departamentin amerikan të Shtetit për aktivitetet e saj dhe se kishte vepruar në përputhje me rregullat në fuqi.
Sipas raportimeve, në Departamentin e Shtetit është duke u zhvilluar një proces shqyrtimi lidhur me çështjen, ndërsa mbetet e paqartë nëse ai do të marrë formën e një hetimi formal nga Inspektori i Përgjithshëm.
Pas largimit të saj, një nga çështjet kryesore mbetet emërimi i pasardhësit. Deri atëherë, detyrat në ambasadën amerikane në Athinë do të mbulohen nga i ngarkuari me punë, Joshua Haque.
Pavarësisht zhvillimeve, gazetarja Elina Shiraz vlerëson se largimi i Guilfoyle nuk pritet të ndikojë në marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Greqisë.







