“Ju bëtë që dikush që ndodhet larg të ndihej si një prej jush. Ju lutem, dijeni se dhimbja juaj nuk më duket e largët”
Sara Khan, aktorja indiane që fitoi zemrat e publikut shqiptar me rolin e Sadnës në serialin e njohur “Bidai”, ka ndarë një mesazh prekës për shqiptarët, duke shprehur shqetësimin për të rinjtë dhe familjet e tyre në këto momente të vështira.
Përmes një postimi në Instagram, aktorja ka kujtuar lidhjen e veçantë që krijoi me publikun shqiptar dhe dashurinë që mori ndër vite, pavarësisht largësisë dhe gjuhës.
“Të dashur shqiptarë, ju më mirëpritët në shtëpitë tuaja si Sadna dhe më dhuruat aq shumë dashuri, sa gjuha dhe largësia nuk dukeshin se kishin ndonjë rëndësi. E kam mbajtur me vete atë dashuri që nga ajo kohë”, shkruan ajo në mesazhin e saj.
Këtë herë, fjalët e aktores vijnë në një kontekst më të ndjeshëm. Sara Khan shprehet se mendimet e saj janë me shqiptarët, veçanërisht me të rinjtë dhe familjet që shqetësohen për sigurinë e tyre.

“Sot, zemra ime është e rënduar kur mendoj për ju, veçanërisht për të rinjtë tuaj, shpresat e tyre dhe familjet që presin që ata të kthehen shëndoshë e mirë në shtëpi”, vijon aktorja.
Ajo ndalet te vështirësitë emocionale që përjetojnë të rinjtë, duke theksuar se është e dhimbshme kur ata detyrohen të jetojnë me frikën, në një periudhë të jetës kur duhet të kenë shumë arsye për të shpresuar dhe për të parë përpara.
“Është thellësisht zemërthyese kur zemrat e të rinjve duhet të përballojnë kaq shumë frikë, ndërkohë që duhet të kenë kaq shumë gjëra për të cilat të shpresojnë”, shkruan Khan.
Aktorja thekson gjithashtu rëndësinë që çdo i ri të ndihet i dëgjuar dhe i respektuar, si dhe të ketë mundësinë të ndërtojë të ardhmen e tij në vendin ku është rritur.
“Çdo i ri meriton të ndihet i dëgjuar, të trajtohet me butësi dhe dinjitet, si dhe të besojë se në shtëpinë e tij ka një vend për ëndrrat e tij”, shprehet ajo.
Në vijim, Sara Khan përcjell një mesazh ngushëllimi për të gjithë ata që po përballen me momente të vështira, duke përmendur posaçërisht prindërit e shqetësuar dhe të rinjtë që po përjetojnë frikë.
“Uroj që këto fjalë të mund t’u sjellin sadopak ngushëllim të gjithë atyre që po vuajnë. Çdo prindi të shqetësuar, çdo të riu të frikësuar dhe kujtdo që po lufton në heshtje: ju jeni në mendimet dhe lutjet e mia”, shkruan aktorja.
Pjesa më prekëse e mesazhit lidhet me afërsinë që ajo vazhdon të ndiejë me shqiptarët, edhe pse i ndan një distancë e madhe fizike.
“Ju bëtë që dikush që ndodhet larg të ndihej si një prej jush. Ju lutem, dijeni se dhimbja juaj nuk më duket e largët”, shprehet Sara Khan.
Aktorja e përfundon postimin me një dedikim të përzemërt, duke u uruar shqiptarëve ditë më të qeta dhe duke e firmosur mesazhin me fjalët:
“Me dashuri dhe një lutje të heshtur për ditë më të qeta,
Sadna juaj 🤍🇦🇱”
Seriali “Bidai” la gjurmë të veçanta te publiku shqiptar, duke e kthyer Sadnën në një personazh të dashur që, edhe pas shumë vitesh, vazhdon të ruajë një vend të veçantë në kujtesën dhe zemrat e shikuesve.







