Një raport i ri i Oxford Economics ka identifikuar 28 qytete në botë që pritet të fitojnë më shumë rëndësi në vitet e ardhshme, falë rritjes ekonomike, zhvillimit urban dhe gjallërimit të jetës kulturore. BBC Travel ka përzgjedhur pesë prej tyre, duke treguar se çfarë i bën të veçanta dhe cilat ndryshime po i kthejnë në destinacione gjithnjë e më tërheqëse për turistët: Toulouse në Francë, Ho Chi Minh City në Vietnam, Varshava në Poloni, Medellín në Kolumbi dhe Abu Dhabi në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Toulouse, Francë

Toulouse është ndër qytetet me rritjen më të shpejtë të popullsisë në Francë. Klima e butë, kostoja relativisht e përballueshme e jetesës dhe cilësia e mirë e jetës po tërheqin gjithnjë e më shumë të rinj dhe profesionistë.
Sipas banorëve, qyteti ndërthur gjallërinë e një metropoli me një ritëm më të qetë jetese. Kafenetë e pavarura, baret, restorantet dhe aktivitetet kulturore janë shtuar, ndërsa lagjet përtej qendrës historike po bëhen gjithnjë e më aktive. Toulouse është gjithashtu një qendër e rëndësishme e industrisë së hapësirës dhe aviacionit, ku ndodhet edhe selia qendrore e Airbus.
Vizitorët mund të zbulojnë këtë trashëgimi në qendrën tematike Cité de l’Espace, në muzeun e aviacionit Aeroscopia ose në La Halle de La Machine, ku arti ndërthuret me inxhinierinë përmes krijesave gjigante mekanike.
Ho Chi Minh City, Vietnam

Ho Chi Minh City, qyteti më i madh i Vietnamit, po përjeton zhvillim të shpejtë ekonomik dhe një rritje të ndjeshme të turizmit. Sipas parashikimeve të Oxford Economics, ai pritet të jetë ndër 50 qytetet me rritjen më të shpejtë ekonomike në botë gjatë pesë viteve të ardhshme.
Një nga shenjat më të dukshme të transformimit është linja e parë e metrosë, e hapur në fund të vitit 2024, e cila lidh qendrën e qytetit me parkun argëtues Suoi Tien.
Megjithatë, qyteti ruan edhe gjurmët e së kaluarës. Vizitorët mund të eksplorojnë ndërtesa të periudhës koloniale franceze, si Posta Qendrore dhe Opera, si dhe Muzeun e Mbetjeve të Luftës, që dokumenton historinë e konfliktit në Vietnam.
Kuzhina vendase mbetet një nga atraksionet kryesore, me specialitete si sanduiçi bánh mì, orizi cơm tấm dhe petullat krokante bánh xèo. Përtej zonave më turistike, lagjet rezidenciale, lagjja historike kineze Chợ Lớn dhe zona Thảo Điền ofrojnë tregje, tempuj, galeri arti dhe dyqane të pavarura.
Varshavë, Poloni

Kryeqyteti polak ka shënuar një përmirësim të dukshëm në renditjen e qyteteve globale, duke u ngjitur me më shumë se 100 vende në indeksin e Oxford Economics, deri në vendin e 61-të. Raporti vlerëson gjithashtu cilësinë e jetesës dhe parashikon rritje të qëndrueshme ekonomike.
Banorët e përshkruajnë Varshavën si një qytet që ka ndryshuar rrënjësisht gjatë dy dekadave të fundit. Ndërtimi i rrugëve, kullave dhe infrastrukturës së re ka transformuar pamjen e saj, ndërsa shumë zona janë bërë më të pastra dhe më të sigurta për të lëvizur në këmbë, edhe gjatë natës.
Për turistët, një mënyrë e mirë për ta zbuluar qytetin është të nisin nga Pallati i Kulturës dhe Shkencës, një ndërtesë e periudhës sovjetike, e të vazhdojnë përgjatë bulevardit Nowy Świat drejt Qytetit të Vjetër, i rindërtuar pas Luftës së Dytë Botërore.
Përvoja plotësohet me ëmbëlsirat tradicionale polake pączki dhe një vakt në bar mleczny, restorantet tradicionale me ushqime të thjeshta, të ngjashme me gatimet e shtëpisë dhe me çmime të përballueshme.
Medellín, Kolumbi

Medellín ka kaluar një transformim të rëndësishëm ekonomik dhe urban. Punësimi në sektorët e biznesit dhe shërbimeve financiare është më shumë se dyfishuar gjatë 20 viteve të fundit, ndërsa qyteti po fiton gjithnjë e më shumë vëmendje si destinacion turistik.
Zona që dikur njiheshin për pasigurinë ose ishin lënë pas dore, si Comuna 13, Perpetuo Socorro dhe Ciudad del Río, janë shndërruar në qendra të artit, kulturës dhe aktivitetit ekonomik.
Një nga elementet më karakteristike të qytetit është Metrocable, sistemi i teleferikëve të përdorur për transportin publik, që lidh zonat kodrinore me pjesën tjetër të qytetit.
Përveç kësaj, Medellín po tërheq vizitorë me skenën e tij të gastronomisë, artit dhe dizajnit. Zona Perpetuo Socorro është kthyer në një pikë takimi për krijuesit, me galeri, dyqane dizajni dhe kafene të specializuara. Ndërsa Comuna 13, e njohur për muralet, shkallët elektrike dhe muzikën në rrugë, vizitohet gjithnjë e më shumë nga turistët. Udhërrëfyesit vendas rekomandohen për të kuptuar historinë e lagjes dhe ndryshimet që ka përjetuar.
Abu Dhabi, Emiratet e Bashkuara Arabe

Abu Dhabi po diversifikon ekonominë e tij, duke ulur varësinë nga nafta dhe duke investuar në teknologji, energji të rinovueshme, pasuri të paluajtshme dhe financë. Sipas indeksit të Oxford Economics, kryeqyteti i Emirateve renditet i gjashti në botë për aftësitë dhe arsimimin e fuqisë punëtore.
Ndryshe nga ritmi më i shpejtë i Dubait, Abu Dhabi përshkruhet si një qytet më i qetë, me hapësira të gjera dhe qasje të lehtë drejt plazheve, zonave natyrore me mangrova dhe lagjeve rezidenciale.
Paralelisht me zhvillimin ekonomik, qyteti po zgjeron ofertën kulturore. Në ishullin Saadiyat, Muzeu i Historisë Natyrore dhe Muzeu Kombëtar Zayed u hapën në vitin 2025, ndërsa hapja e Guggenheim Abu Dhabi, projektuar nga arkitekti Frank Gehry, është planifikuar për 11 dhjetor 2026.
Përtej ndërtesave moderne dhe hoteleve luksoze, vizitorët mund të përjetojnë edhe jetën e përditshme të qytetit, duke kaluar kohë në kafenetë lokale, duke shëtitur në qendrat tregtare ose duke eksploruar zonat bregdetare.







