Refuzohet Rama! Pedagogë dhe studentë i kthejnë karriget mbrapsht. Grupi i pedagogëve te Universiteti Politeknik i Tiranës ka vijuar marshimin së bashku me një grup protestuesish me thirrjet “Pa rini nuk ka Shqipëri” dhe “Pa dorëheqje nuk ndalojmë”. Pedagogët iu bashkuan tubimit pasi firmosën një peticion përmes të cilit kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama. Ndërkohë, kryeministri Edi Rama, disa orë më parë, u ka bërë thirrje për dialog studentëve dhe të rinjve, në mënyrë simbolike, duke vendosur në ambientet e jashtme të Kryeministrisë karrige me mbishkrimin “Dialog”. Pas mbërritjes para Kryeministrisë, studentët kanë refuzuar thirrjen për dialog dhe kanë hequr karriget e vendosura jashtë godinës së qeverisë. Por studentët kanë shkruar në njërën prej letrave se duhet që të japë dorëheqjen dhe se “dialogun ta shohë në ëndërr”.Kujtojmë që të rinjtë kanë dalë në protestë prej një jave, ndërsa e kanë përshkallëzuar atë duke argumentuar se kryeministri nuk i dëgjoi kërkesat gjatë protestës paqësore, që nisi në fund të muajit maj.
Ata theksojnë se kërkesa e tyre për dorëheqjen e Ramës mbetet e panegociueshme.








