Ish-deputeti i PD, Ervin Salianji shprehet se kryeministri Edi Rama ka mbetur vetëm dhe se është izoluar nga qytetarët. Sipas demokratit, ftesa e Ramës për dialog me studentët është marifet i vjetër i tij dhe hile për të përçarë shoqërinë.
“Mbaroi koha e kërcënimeve. Mbaroi koha e Ramës! Koha e llogaridhënies ka ardhur. Jep dorëheqjen”, shkruan Salianji.
Postimi i Salianjit
I izoluar, i përbuzur, i neveritshëm për qytetarët. I mbetur të flasë vetëm me veten dhe karriget bosh. Të gjithë i rrinë larg, sikur të ishte lebroz. Jep dorëheqjen! Mjaft me marifetet e vjetra, me hilet për të përçarë shoqërinë dhe për të mbajtur me çdo kusht pushtetin.
Dje kërcënoje qytetarët me autokraci, me lista ndalimi për të dalë jashtë vendit. Por e vërteta është se ti je ai që nuk del dot as nga bunkeri i frikës, i rrethuar nga pushteti që të ka verbuar dhe nga arroganca që të ka izoluar.
I rrethuar nga populli! Ky nuk është më pushtet. Është vetmia e një njeriu që ka humbur kontaktin me realitetin dhe që mendon se frika mund ta mbajë përgjithmonë në pushtet. Mbaroi koha e kërcënimeve. Mbaroi koha e Ramës! Koha e llogaridhënies ka ardhur. Jep dorëheqjen.







