Moti do të vijojë të jetë i ngrohtë, por i paqëndrueshëm në ditët në vijim, me reshje shiu dhe rrebeshe afatshkurtra në disa zona të vendit. Meteorologia Tanja Porja thotë se sot reshjet nisin në veri dhe veriperëndim, për t’u shtrirë gradualisht në të gjithë territorin, duke u kthyer shumë fuqishëm sonte në mbrëmje dhe gjatë natës.
“Më problematike pritet të jetë mbrëmja dhe nata, me rrebeshe të forta, të cilat do të vijojnë edhe në orët e para të së enjtes, kryesisht në lindje dhe juglindje”, theksoi meteorologia në A2 CNN.
Sipas saj të premten priten reshje të pakta gjatë natës dhe mëngjesit, ndërsa gjatë ditës moti do të jetë kryesisht pa reshje.
E njëjta situatë parashikohet edhe të shtunën, deri të dielën, kur një tjetër sistem me reshje do të prekë kryesisht jugun dhe qendrën e vendit.
Temperaturat sot arrijnë deri në 27°C, ndërsa të enjten maksimumi pritet të zbresë në 24°C. Rënia do të vijojë të premten dhe të shtunën, kur në zonat malore temperaturat minimale mund të zbresin deri në 4°C.
Të dielën, temperaturat maksimale pritet të zbresin në 21°C, ndërsa të hënën parashikohet një rritje e lehtë.
Meteorologia theksoi se periudha më problematike për reshjet do të jetë nata mes së mërkurës dhe së enjtes, ndërsa një tjetër episod reshjesh pritet të dielën, kryesisht në jug të vendit.







