“Jam thellësisht e tronditur dhe mendimet e mia janë me çdo fëmijë që mund të jetë dëmtuar”
Meghan Markle është shprehur thellësisht e tronditur nga pretendimet se babai i saj, Thomas Markle, zotëronte imazhe të abuzimit seksual me fëmijë. Dukesha e Sussex-it zbuloi se ishte vënë në dijeni për akuza shqetësuese ndaj tij që në vitin 2018, kur një letër iu përcoll autoriteteve britanike.
Në një deklaratë publike, Meghan theksoi se distancimi nga i ati dhe vendimi për të mos e lejuar të takonte fëmijët e saj, Archie dhe Lilibet, kishin për qëllim mbrojtjen e tyre.
“Jam thellësisht e tronditur nga lajmet që kanë dalë në dritë gjatë 24 orëve të fundit dhe mendimet e mia janë me çdo fëmijë që mund të jetë dëmtuar. Distancimi im nga babai dhe vendimi për të mos e lejuar të ketë kontakte me fëmijët tanë kishin vetëm një arsye: t’i mbroja ata”, u shpreh ajo.
Akuzat u bënë publike nga gjysmëvëllai i saj, Thomas Jr., i cili pretendon se ka gjetur qindra imazhe të paligjshme në kompjuterë dhe telefona celularë që, sipas tij, i përkisnin të atit. Ai ka dorëzuar materialet te policia në Filipine, e cila ka nisur një hetim zyrtar.
Thomas Markle i ka mohuar kategorikisht pretendimet, duke i cilësuar si “një grumbull gënjeshtrash”.
“Nuk kam shkarkuar kurrë diçka të tillë në jetën time. Këto gënjeshtra të tmerrshme po bëhen kundër meje pa asnjë provë. Si mund ta akuzosh dikë për diçka të tillë pa prova?”, deklaroi ai.
Thoams Markle gjithashtu kërkoi që pajisjet elektronike t’i nënshtrohen një ekzaminimi për të përcaktuar se kush i kishte pasur në zotërim dhe nëse përmbajtja e pretenduar ishte shkarkuar gjatë kohës kur ato ndodheshin nën kontrollin e tij.
Edhe vajza e tij e madhe, Samantha, doli në mbrojtje të të atit, duke pretenduar se pajisjet kishin qenë jashtë zotërimit të tij për një kohë të gjatë dhe se akuzat ishin të pabazuara.
Nga ana tjetër, Meghan shprehu shpresën që drejtësia të vihet në vend dhe që siguria e fëmijëve të mbetet përparësia kryesore.
“Shpresa ime më e madhe është që drejtësia të vihet plotësisht në vend dhe që siguria dhe mbrojtja e fëmijëve të pafajshëm të mbeten përparësi”, pohoi ajo.
Deri më tani, akuzat nuk janë vërtetuar publikisht. Thomas Markle i mohon ato, ndërsa hetimet pritet të ndihmojnë në sqarimin e rrethanave të çështjes.







