HomeAktualitetNdahet nga jeta në moshën 78-vjeçare diplomati, gazetari, publicisti dhe autori i...

Ndahet nga jeta në moshën 78-vjeçare diplomati, gazetari, publicisti dhe autori i disa librave të Bashkim Zeneli

Advertismentspot_img

Shuhet një prej figurave të njohura të diplomacisë shqiptare, gazetar, publicist dhe autor i disa librave të rëndësishëm. Largohet nga jeta në një moment të veçantë, kur libri i tij i fundit, kushtuar dy kancelarëve legjendarë gjermanë, Konrad Adenauer dhe Helmut Kohl, sapo ka dalë në shtyp

Është ndarë nga jeta në moshën 78-vjeçare ish-ambasadori Bashkim Zeneli, një nga emrat e njohur të diplomacisë dhe jetës politike shqiptare. Ai ndërroi jetë në një spital jashtë vendit, ku po kurohej pas një sëmundjeje, i rrethuar nga familjarët e tij. Nderimet zyrtare në kujtim të tij pritet të zhvillohen gjatë ditëve në vijim. Largimi i Bashkim Zenelit shënon humbjen e një personaliteti që për dekada ishte pjesë e zhvillimeve politike, diplomatike dhe publike të Shqipërisë. Ai i përkiste një profili intelektualësh, që ndërthurën gazetarinë, politikën dhe diplomacinë, duke qenë jo vetëm dëshmitarë, por edhe protagonistë të ngjarjeve të rëndësishme të vendit.

Që prej viteve ’70, Zeneli ishte i pranishëm në zhvillimet e jetës publike shqiptare. Në vitet e tranzicionit demokratik u përfshi në ekipin themelues të Partisë Socialiste dhe, gjatë periudhës 1991–1997, kreu disa herë detyrën e sekretarit për Marrëdhëniet me Jashtë. Më pas shërbeu si ambasador i Shqipërisë në Gjermani dhe Greqi, duke përfaqësuar vendin në dy prej marrëdhënieve të rëndësishme të politikës së jashtme shqiptare.

Për kontributin e tij në diplomaci, politikën e jashtme dhe çështjen kombëtare, Zeneli u nderua me titullin “Mjeshtër i Madh” nga Presidenti i atëhershëm, Ilir Meta.

Një jetë mes diplomacisë dhe librit

Përtej funksioneve publike, Bashkim Zeneli ndërtoi një profil të rëndësishëm si autor dhe publicist. Përvoja e tij diplomatike, njohja e historisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare u kthyen në libra që ndërthurin dokumentimin historik me kujtimet dhe dëshmitë personale.

Ndër veprat e tij janë Për Gjermaninë. Histori diplomatike e kujtime, Berlin 1945 – Maji i fitores dhe Miqësi e trazuar – Greqia në kujtimet e ambasadorit.

Një rastësi e dhimbshme shoqëron ndarjen e tij nga jeta: libri i fundit, Për 2 kancelarë legjendë, botuar nga UET PRESS në kolanën Scripta Manent, sapo ka dalë në shtyp. Vepra i kushtohet Konrad Adenauerit dhe Helmut Kohlit, dy figurave themelore të historisë moderne gjermane dhe europiane.

Në parathënie, historiani Paskal Milo e cilëson librin “një mesazh dhe mësim të madh për ditët e sotme”, duke vënë në dukje mesazhet që përcjell për politikën, diplomacinë, dialogun dhe kompromisin.

Vlerësime për veprën kanë dhënë edhe personalitete ndërkombëtare. Ettore Sequi, ish-ambasador i Bashkimit Europian në Shqipëri dhe ish-Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme italiane, shkruan se Zeneli nuk rrëfen vetëm historinë e dy burrave të mëdhenj të shtetit, por përcjell, përmes tyre, “një ide të qartë dhe të mirëpërcaktuar për politikën, diplomacinë dhe Europën”.

Ndërsa Joseph Vann, ekspert amerikan i sigurisë kombëtare dhe ish-zëvendësdrejtor i NCIS, vlerëson stilin e autorit: “Ambasadori Zeneli ka një stil të mrekullueshëm të shkruari dhe libri lexohet me vëmendje të veçantë.”

Me ndarjen nga jeta të Bashkim Zenelit, diplomacia shqiptare humbet një prej përfaqësuesve të saj, ndërsa publicistika një autor që e ktheu përvojën e gjatë në dëshmi të shkruar. Libri i tij i fundit, që del në dritë pikërisht në këtë moment, mbetet një nga dëshmitë e fundit të një jete të lidhur ngushtë me historinë, diplomacinë dhe Europën.

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular