nga Ahmet Prençi
Prej shumë vitesh e ndjek me ëndje krijimtarinë e shkrimtarit Ben Blushit. Që nga libri i tij i parë, më kanë intriguar jo vetëm temat që zgjedh, por mënyra se si ai i përcjell ato për lexuesin: me provokim, me guxim, me një gjuhë që nuk kërkon të qetësojë, por të trazojë mendimin. Në librat e tij, ngjarja nuk është kurrë vetëm ngjarje, ajo bëhet pyetje, sfidë dhe debat.
Duke lexuar librin “Historitë e çmendura të Tiranës”, pata ndjesinë se nuk po lexoja një histori klasike të një qyteti. Nuk mu duk se po lexoja as një kronikë. E lexova këtë vepër si roman. Një roman me një personazh kryesor krejt të pazakontë. Ky personazh është Tirana.
Një personazh që lind në vitet 1600 dhe ecën për më shumë se katërqind vjet deri në ditët tona. Një personazh rreth 420-vjeçar që rritet, ndryshon, gabon, çmendet, dashuron, rrëzohet dhe ringrihet. Rreth tij sillen qindra personazhe të tjerë si në asnjë botim shqip të deritanishëm në njohuritë e mia, njerëz të zakonshëm e të jashtëzakonshëm, që ndërtojnë fatet e tyre, pa e ditur se po ndërtojnë edhe fatin e një qyteti që më pas do ishte Kryeqyteti i Shqiprisë.
Janë tridhjetë e tetë histori, ose më mirë tridhjetë e tetë ndalesa në kohë. Secila prej tyre me aventurat, absurditetet, rastësitë dhe marrëzitë e veta. Histori që shpesh nuk i kemi dëgjuar, ose i kemi dëgjuar pa i kuptuar si pjesë të një rrëfimi kaq të madh.
Forca e librit nuk qëndron vetëm te faktet historike. Qëndron më së miri te mënyra se si rrëfehet historia. Me një gjuhë të pasur, të lirshme, të zhdërvjelltë dhe me një ritëm që nuk të lejon të shkëputesh, libri i kthen mbi pesqind faqet në një udhëtim që nuk e shijon vetëm si lexim, por si një përjetim të thellë. Vetëm një penë e sprovuar si ajo e Blushit, arrin të ndërthurë dokumentin me imagjinatën rrëfyese pa humbur as besueshmërinë dhe as kënaqësinë estetike.
Teksa e lexoja, më krijohej vazhdimisht përshtypja se po shihja një serial të madh filmik historik. Çdo kapitull ishte një episod, çdo episod kishte tensionin, aventurën dhe çmendurinë e vet. Një qytet që ndërtohet gur pas guri, shtëpi pas shtëpie, brez pas brezi.
Më mbeti gjatë në mendje përshkrimi i gurit të parë të hedhur në Tiranë, i shtëpisë së parë, i njerëzve që e krijuan qytetin, jo si heronj të ngrirë në histori, por si qenie me ambicie, rastësi, konjuktura dhe marrëzi njerëzore.
Gjatë leximit, ndjesia ime ishte kjo: Tirana nuk del nga ky libër thjeshtë si një vend. Del si një qenie e gjallë. Dhe ndoshta kjo është arritja më e madhe e këtij libri. Autorë të ndryshem tregojnë histori në librat e tyre. Blushi është autori që i trazojnë ato. Ai prej kohësh, më duket se e bën këtë me shumë stil e finesë pa ju shmangur rrëmujës që shakton. Stili i tij vazhdon të mbetet i dallueshëm, unik, i lirë, provokues, shpesh polemik, por gjithmonë shumë i aftë të ndezë debate.
Ende nuk është shuar jehona dhe debati që solli libri i tij i fundit “Jam mysliman”, një vepër që provokoi lexuesin të reflektonte jo vetëm mbi identitetin, por mbi raportin mes besimit, historisë dhe vetëdijes sonë kolektive. Dhe ndoshta pikërisht sepse Blushi nuk shkruan për të konfirmuar bindje, por për t’i lëkundur ato, librat e tij mbeten gjatë në diskutim.
Për këtë arsye, e sigurova librin sapo doli nga shtypi, që të jem ndër lexuesit e parë të librit me titull “Historitë e çmendura të Tiranës”.
Që në fillim, në faqet e para krijova ndjesinë se po lexoja jo thjesht librin e radhës, por një vepër me përmasa të gjera historike, letrare, memuaristike, dramatike dhe njëkohësisht komike në kuptimin më të thellë të fjalës. Sepse jeta vetë është tragjike dhe qesharake njëkohësisht. Ajo që më tërhoqi më shumë është mënyra si autori hyn aty ku zakonisht historia hesht.
Ne kemi mësuar për ngjarjet. Kemi mësuar për datat. Kemi mësuar emrat e themeluesve, zhvilluesve dhe figurave që shoqëruan ngritjen e Tiranës. Por zakonisht i kemi njohur vetëm në skenën publike të historisë, seriozë, monumentalë, pothuaj pa jetë private.
Ndërsa këtu në këtë vepër ndodh e kundërta. Blushi hap dyert e pasme të historisë. Hyn në kthinat e errëta të jetëve të tyre. Nuk na i paraqet si statuja, por si njerëz: me ambicie, xhelozi, marrëzi, pasione, interesa, dobësi, rastësi dhe zgjedhje që shpesh kanë ndryshuar fatin e një qyteti. Dhe pikërisht këtu libri fiton dimension romanor. Sepse historia nga autori nuk rrëfehet më nga lart, ajo rrëfehet nga brenda. Në këtë libër, themeluesit e Tiranës nuk dalin vetëm si ndërtues rrugësh e shtëpish, ata dalin si njerëz që ndërtonin qytetin ndërsa luftonin me veten. Dhe ndoshta kjo është arsyeja pse libri lexohet me etjen e një romani dhe mbetet në mendje si kujtesë historike. Dhe kur mendon se e ke kuptuar strukturën e librit, kupton se ke hyrë vetëm në portën e parë të tij.
Përmes kësaj vepre kalon një galeri e tërë personazhesh, ngjarjesh dhe epokash që e bëjnë historinë e Tiranës të duket jo si një vijë kronologjike, por si një organizëm i gjallë. Nga figura e Sulejman Bargjini, që lidhet me gurin e parë të qytetit, te kërkimi për origjinën e vetë emrit të Tiranës. Nga rrëfimet mbi betejat dhe rivalitetet mes katër Ibrahimeve, te ardhja e familjes Toptani, me kulisat, aleancat dhe përplasjet që shoqëruan ndikimin e tyre në qytet.
Më pas shfaqet një nga figurat më të ndritura të historisë së kryeqytetit, Haxhi Et’hem Beu, i paraqitur jo vetëm si ndërtues, por si një mendje që kuptoi se qytetet ndërtohen po aq me simbolikë sa edhe me gur. Në këtë udhëtim hyn edhe syri i huaj i Edward Lear, që e sheh Tiranën me habinë që shpesh ne nuk e kemi parë. Shfaqet figura enigmatike e Zenel Bastarit dhe legjendat e xhindëve. Rikthehen lidhjet me Perandoria Osmane, pastaj kalimi i trazuar nëpër pushtimin austro-hungarez, italian dhe gjerman. Në këtë mozaik hyjnë më pas personazhe që nuk mund të ndahen nga historia shqiptare: Ahmet Zogu, Esat Pashë Toptani, Haki Stërmilli, Harry Fultz, Lumo Skëndo dhe Enver Hoxha.
Por ajo që e bën librin akoma më të veçantë nuk janë vetëm emrat, personazhet që janë me qindra. Janë historitë që fshihen pas tyre. Shembull është historia e milionerit meksikan që mbërrin në Tiranë. Historia e ndërtimit të sheshit të kryeqytetit dhe e Hotel Dajtit. Bombardimet amerikane. Lindja e Bllokut. Krijimi i Kinostudio Shqipëria e Re. Përshkrimet e mrekullueshme të lagjeve të Tiranës, të Rrugës së Kavajës dhe mënyra si qyteti u zgjerua e u nda mes epokave, klasave, pushteteve, veseve dhe ëndrrave. Të gjitha këto ngjarje, disa të njohura, shumë të panjohura, krijojnë një labirint kulisash që lexuesi i zbulon me habi.
Dhe ajo që më la më shumë mbresë është se autori nuk i trajton këto histori si relike muzeu.
Ai i sjell me realizëm, me ironi, me cinizëm aty ku duhet, me finesë artistike dhe me atë lloj rrëfimi që nuk e shenjtëron historinë, por e humanizon. Në fund të leximit mbetet një ndjesi e fortë: ky nuk është thjesht një libër për Tiranën. Është një libër për ne, për gjithsecilin. Për mënyrën si u ndërtuam si qytet, si shoqëri dhe si njerëz.
Për këtë arsye, më duket një nga ato libra që nuk lexohen vetëm një herë, por që duhen pasur në bibliotekë, sepse aty, mes atyre faqeve, është një pjesë e rëndësishme e historisë sonë, historia e vendit ku lindëm, jetuam dhe vazhdojmë të kërkojmë veten.
Një vend të veçantë dhe emocionalisht të fortë në mbylljen e librit zë koha e diktaturës, jo vetëm si sistem politik, por si mënyrë jetese, si ritual i përditshëm, si atmosferë që ende endet në kujtesën kolektive të qytetit. Këtu Tirana e romanit bëhet më intime. Shfaqen xhirot e heshtura të bulevardit, ato ecje të pafundme ku njerëzit dukeshin sikur lëviznin lirshëm, ndërsa në të vërtetë bartnin mbi supe heshtjen dhe kujdesin për çdo fjalë. Shfaqet gjimnastika e mëngjesit, jo thjesht si ushtrim fizik, por si një koreografi e një shoqërie që kërkonte të ishte e njëjtë në ritëm dhe në mendim.
Nëpër faqet e librit kalon ndërtimi i Hotel Tiranës mbi gjurmët e një kohe tjetër, kalojnë radhët e gjata për ushqime, jo vetëm si mungesë ekonomike, por si një ritual që formësoi durimin, zhgënjimin dhe psikologjinë e brezave. Ka episode e personazhe të shumtë e mjaft interesant që nuk mund të përmblidhen në një shkrim të tillë modest.
Një episod veçanërisht domethënës mbetet ai i konvikteve studentore, kohë në të cilën dhe unë isha student konviktor, të cilat libri i sjell jo vetëm si vende banimi, por si hapësira ku filluan të artikuloheshin mendimet që më vonë do të ushqenin pluralizmin politik dhe lindjen e opozitës shqiptare.
Dhe më pas vjen kthesa e madhe. Tirana e viteve pas rënies së komunizmit. Një qytet që papritur mbeti pa skenar. Një qytet që kërkonte lirinë, por ende nuk dinte si ta jetonte atë. Kaos, energji, etje për pasuri, ëndrra të mëdha dhe zhgënjime po aq të mëdha. Në këtë sfond shfaqet viti 1997, ndoshta një nga kapitujt më dramatikë të kujtesës sonë kolektive, me ethet e skemave piramidale, me figurat e mashtruesve të fajdeve, me rrëzimin e besimeve dhe me një shoqëri që përjetoi njëkohësisht iluzionin dhe shembjen.
Në këtë panoramë, libri ndalet edhe te roli i medias së kohës, te zërat që tentuan të lexonin ngjarjet ndërsa ato ndodhnin, mes tyre gazeta “Koha Jonë”, si pjesë e klimës së trazuar publike të atyre viteve. Nëse do të ndalesha te disa nga faqet që më mbetën më gjatë në mendje, do të veçoja mënyrën si është skalitur fundi i shekullit të kaluar, aty ku historia nuk rrëfehet më si kronikë, por si puls i një qyteti që ndryshon lëkurë. Ka një forcë të rrallë rrëfimtare në mënyrën si autori ndërton revoltën e konviktorëve të Tiranës dhe atmosferën që parapriu ndryshimet e mëdha. Nuk janë thjesht studentë që protestojnë. Janë dy botë që shihen për herë të parë përballë, nga njëra anë të ardhurit, të mësuar me mungesën, me dhomat e ngushta, me pritjen, me mbijetesën dhe me dëshirën për të çarë murin dhe nga ana tjetër studentët jo konviktorë, më afër ritmit të qytetit, me një raport tjetër me lirinë, me frikën dhe me të ardhmen.
Blushi nuk i vendos personazhet në gjyq. I vendos në histori. Dhe pikërisht aty lind letërsia. Me fjali të gjata, me kthesa të papritura, me krahasime që duken sikur burojnë natyrshëm e megjithatë mbajnë vulën e një stili krejt të tij, ai e kthen protestën në një lumë njerëzor ku përzihen idealizmi, zemërimi, hutimi dhe shpresa. Janë nga ato faqe ku ndien se autori nuk po të tregon çfarë ndodhi, por po të fut brenda frymëmarrjes së kohës.
Po aq mbresëlënëse më duket panorama e vitit 1997. Aty Tirana del nga vetja. Qyteti nuk rrënohet vetëm fizikisht, duket sikur humbet përkohësisht kujtesën. Kioskat nuk shfaqen si ndërtime të paligjshme, por si një botë paralele që mbin mbi asfalt, si kërpudha pas shiut, si shpallje e një lirie të papërpunuar që kërkonte të pushtonte çdo hapësirë të mundshme. Dhe emërtimet e tyre të çuditshme, të guximshme, herë naive e herë groteske, në tekstin e Blushit marrin vlerën e dokumenteve antropologjike të një kohe që kërkonte të shpikte veten pa ditur ende çfarë donte të bëhej.
Këto janë ato faqe ku e kupton se autori nuk ka shkruar vetëm historinë e Tiranës. Ai ka shkruar psikologjinë e saj. Sepse qytetet, si njerëzit, nuk tregohen vetëm nga çfarë ndërtuan, por edhe nga mënyra si u çmendën. Dhe pikërisht këtu libri mbyllet me një forcë të veçantë. Sepse pas katër shekujsh histori, Tirana nuk paraqitet si një qytet që ka gjetur përgjigjet. Por si një qytet që vazhdon të bëjë pyetje.
Në mbyllje, nuk e di nëse ky libër do të ndezë po aq debate sa librat e mëparshëm të Blushit. Ndoshta po. Sepse ai nuk ka zgjedhur kurrë rrugën e qetë të shkrimit. Gjithmonë ka preferuar pyetjen para përgjigjes, provokimin para rehatisë dhe kërkimin para pajtimit. Por një gjë e ndjeva qartë duke lexuar këtë libër. Këtë herë nuk ka shkruar vetëm për historinë e një qyteti. Ka shkruar për kohën. Për mënyrën si koha na ndërton dhe si ne, pa e kuptuar, ndërtojmë qytetet tona. Ka marrë një qytet katërshekullor dhe i ka dhënë frymëmarrje njerëzore. Ka hyrë në arkiva, në legjenda, në kujtime, në heshtje e në çmenduri dhe prej tyre ka ndërtuar një rrëfim që nuk lexohet si histori, por si jetë. Dhe kjo nuk është pak.
Kam privilegjin ta lexoj këtë vepër përpara se të takojë lexuesin. E them me bindje se ky nuk është vetëm një libër që do të lexohet, është një libër që do të bisedohet gjatë rreth tij, do të kundërshtohet, do të kujtohet dhe do të rikthehet në duar pas shumë vitesh. Sepse në fund, secili do të gjejë një copë të vetes aty brenda.
Dikush rrugën ku ka kaluar fëmijërinë. Dikush një histori që nuk e kishte dëgjuar kurrë. Dikush një kujtim. Dikush një humbje. Dhe dikush do të kuptojë për herë të parë se qytetet nuk ndërtohen vetëm me gurë, por me njerëz, me marrëzi, me çmenduri, me ëndrra dhe me kohë. Uroj që kjo perlë e radhës të ketë fatin që meriton. Dhe mbi të gjitha, të gjejë atë që çdo shkrimtar e kërkon në heshtje: jo vetëm lexues, por njerëz që pasi ta mbyllin librin, ta shohin qytetin e tyre me sy tjetër. I shkruajta këto impresione si lexues me respekt, dhe mirënjohje për një tjetër udhëtim krejt interesant që na dhuroi Ben Blushi.
Të gjithë miqt që e duan librin, të hënën me datën 2 nëntor ora 18.00 tek Hotel Plaza promovohet ky libër dhe mund ta marrin aty.







