Ministrja e Brendshme, Shabana Mahmood, pritet të prezantojë ndryshimet që dyfishojnë periudhën standarde për marrjen e lejes së qëndrimit të përhershëm, nga 5 në 10 vite. Për disa kategori punonjësish, afati mund të shkojë deri në 15 vite.
Qeveria britanike po përgatitet të ndryshojë ndjeshëm rregullat për emigrantët që jetojnë dhe punojnë ligjërisht në vend, duke zgjatur periudhën që duhet të presin për të përfituar të drejtën e qëndrimit të përhershëm.
Ministrja e Brendshme, Shabana Mahmood, pritet të njoftojë të hënën paketën e re të masave, sipas së cilës periudha standarde për marrjen e statusit të qëndrimit të përhershëm, e njohur si Indefinite Leave to Remain (ILR), do të rritet nga pesë në dhjetë vite.
Për disa kategori punonjësish, veçanërisht ata që ushtrojnë profesione që nuk kërkojnë arsim të nivelit universitar, afati mund të shkojë deri në 15 vite. Në këtë kategori përfshihen edhe punonjësit e kujdesit social.
Megjithatë, sipas raportimit të The Guardian, qeveria po shqyrton mundësinë e përjashtimit nga këto rregulla të disa punonjësve të kujdesit social që ndodhen aktualisht në Britani. Çështja ka shkaktuar shqetësime brenda kabinetit, për shkak të ndikimit që mund të ketë në një sektor që mbështetet ndjeshëm te fuqia punëtore e huaj.
Sipas propozimit, emigrantët mund të përfitojnë një periudhë më të shkurtër pritjeje nëse dëshmojnë kontributin e tyre në komunitetet ku jetojnë, përmes një sistemi pikësh, ose nëse kanë të ardhura më të larta.
Krahasimet me skandalin Windrush
Plani ka shkaktuar kundërshtime nga deputetë laburistë, organizata që përfaqësojnë punonjësit emigrantë, aktivistë për barazinë racore dhe profesionistë të shëndetësisë.
Në një letër drejtuar Mahmood dhe ministres së Shëndetësisë, Yvette Cooper, të cilën e ka siguruar The Guardian, nënshkruesit paralajmërojnë se ndryshimet mund të përsërisin disa nga problematikat e skandalit Windrush.
Ky skandal, i zbuluar pas raportimeve të The Guardian në vitin 2017, lidhej me trajtimin e padrejtë të mijëra qytetarëve britanikë, kryesisht me origjinë nga Karaibet, të cilët u ndaluan, u deportuan ose u privuan nga e drejta për të punuar dhe për të përfituar shërbime bazë, pavarësisht se kishin të drejtë të qëndronin në Britani.
Në letrën e datës 29 tetor, përfaqësuesit u kërkojnë ministrave të tërhiqen nga propozimet ose, të paktën, të vendosin garanci shtesë për personat që kanë ndërtuar jetën e tyre në Britani duke u mbështetur te rregullat ekzistuese.
Ata argumentojnë se ndryshimi i kushteve për emigrantët që kanë planifikuar të ardhmen sipas afateve aktuale është i padrejtë dhe mund të nxisë largimin e punonjësve të domosdoshëm për ekonominë.
Rrezik për shëndetësinë dhe kujdesin social
Një tjetër shqetësim lidhet me mungesën e fuqisë punëtore në shëndetësi dhe kujdesin social. Sipas organizatave nënshkruese, kufizimet e reja mund të largojnë nga vendi punonjës të trajnuar jashtë Britanisë, duke përkeqësuar mungesat në spitale dhe shërbimet e kujdesit.
Ata paralajmërojnë se kjo mund të ndikojë në objektivat e Shërbimit Shëndetësor Kombëtar (NHS), përfshirë trajtimin e pacientëve me kancer dhe uljen e listave të pritjes.
Shqetësimet janë veçanërisht të forta për sektorin e kujdesit për të rriturit, ku punonjësit e huaj konsiderohen thelbësorë për ruajtjen e shërbimeve aktuale.
Mahmood ka mbrojtur më herët filozofinë e reformës, duke argumentuar se qëndrimi i përhershëm në Britani duhet të fitohet përmes kontributit dhe integrimit. “Të bëhesh pjesë e këtij vendi në mënyrë të përhershme nuk është një e drejtë automatike, por një privilegj që duhet fituar”, është shprehur ajo.
Detajet përfundimtare të reformës pritet të bëhen publike të hënën, ndërsa ministrja do të zhvillojë takime edhe me përfaqësues të sindikatave për të diskutuar ndikimin e ndryshimeve.







