Një shpërthim me tritol është shënuar në orët e para të mëngjesit të sotëm në një garazh në qytetin e Lezhës.
Policia bëri me dije se lënda plasëse i ishte vendosur një “Benz”-i, duke shkaktuar dëme materiale. Mësohet se makina ishte në pronësi të Aleksandër Ndojës, i cili është një emër i njohur për policinë.
Ky i fundit ka disa precedentë penalë, për kundërshtim të forcave të policisë në vitin 2022, përndjekje dhe për thyerje të arrestit shtëpiak. Policia po heton për ngjarjen, ndërsa ende nuk dihet se kush ka qenë autori apo shkaku i këtij akti.
Njoftimi i policisë:
Rreth orës 01:50, në një ambient parkimi (garazh), në afërsi të zonës së “Mileniumit”, në qytetin e Lezhës, dyshohet se ka shpërthyer lëndë plasëse në një automjet tip “Benz”, në pronësi të shtetasit A. N.
Nga shpërthimi nuk ka persona të lënduar. Grupi hetimor vijon veprimet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorit/autorëve.







