HomeTe tjera“Jam i pafajshëm, binduni!”, britma e fundit e juristit Hilmi Hysi para...

“Jam i pafajshëm, binduni!”, britma e fundit e juristit Hilmi Hysi para vrasjes më 1948, çfarë shkroi Enver Hoxha! Letra poshtë enës së ushqimit

Advertismentspot_img

Një jurist i diplomuar shkëlqyeshëm në Francë, fitues i një konkursi kombëtar në letërsi, pinjoll i një familjeje me tradita patriotike dhe nëpunës i shtetit shqiptar, Hilmi Hysi përfundoi në bankën e të akuzuarve në një prej proceseve të njohura politike të pasluftës, të ashtuquajturin “Grupi i dytë i deputetëve”.

Në moshën 35-vjeçare, ai u dënua me vdekje dhe u pushkatua, duke lënë pas bashkëshorten Myneverën dhe dy vajzat e mitura, Lilen dhe Laurën. Por historia e tij nuk është vetëm ajo e një intelektuali të goditur nga represioni politik. Është edhe historia e një babai që, pak para ekzekutimit, i shkroi vajzës së tij gjashtëvjeçare, një letër me amanetet e fundit, duke i kërkuar të mos dorëzohej përballë vuajtjeve dhe të ruante emrin e familjes. Një letër që, përtej kohës dhe rrethanave kur u shkrua, mbetet një dëshmi e dhimbshme e dashurisë atërore dhe e një jete të ndërprerë padrejtësisht. Por kush ishte Hilmi Hysi? Ai lindi në vitin 1913, në Vërzhezhë të Skraparit, në një familje me tradita patriotike. Familja Hysi ishte ndër ato familje shqiptare që trashëgonin jo vetëm lidhje të forta me vendlindjen, por edhe një traditë të angazhimit në jetën shoqërore e kombëtare. Në vitin 1926, për arsye ekonomike dhe për të krijuar kushte më të mira jetese, familja u zhvendos nga Vërzhezha drejt MbrostarUra në nënprefekturën e Fierit. Atje bleu truall dhe tokë bujqësore, ndërtoi shtëpitë dhe nisi një jetë të re. Që në fëmijëri, Hilmiu shfaqi prirje të veçanta për shkollimin. Mësimet e para i mori në shkollën e Vërzhezhës, ndërsa më pas vazhdoi shkollën plotore në Fier. Rezultatet e larta dhe aftësitë e tij e çuan drejt një prej institucioneve më të rëndësishme arsimore të Shqipërisë së asaj kohe, Liceut të Korçës. Në këtë institucion, Hilmi Hysi u dallua si një nxënës me rezultate të shkëlqyera, duke përfunduar studimet me medalje të artë. Përveç gjuhës frënge, ai mësoi edhe anglisht dhe u interesua për filozofinë, letërsinë dhe mendimin juridik. Në vitin 1932, në kuadër të 20-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë dhe formimit të shtetit shqiptar, Hilmi Hysi fitoi Konkursin Kombëtar të Letërsisë me novelën “Shqiptarja përpara rrezikut”.

TAKIMI ME ENVER HOXHËN

Duke parë rezultatet e jashtëzakonshme në Liceun e Korçës, qeveria e kohës i akordoi Hilmi Hysit një bursë shtetërore për të vazhduar studimet e larta në Francë. Ai kishte kërkuar të studionte letërsi, por përfundimisht u orientua drejt Drejtësisë. Sipas rrëfimeve familjare, në këtë vendim ndikoi edhe ministri i Arsimit i asaj kohe, Marash Ivanaj, i cili e kishte thirrur në zyrë dhe i kishte komunikuar se bursën për letërsi do ta përfitonte një tjetër nxënës i tij, Abaz Ermenji, ndërsa Hilmiu do të ndiqte studimet për Drejtësi. Kështu, në vitin 1935, ai u nis drejt Francës për të nisur një etapë të re të jetës së tij. Më 1 qershor 1935 filloi studimet universitare, të cilat do t’i përfundonte me rezultate të shkëlqyera. Në Montpellier, ku ndiqte studimet, Hilmi Hysi pati rastin të takohej me disa prej studentëve shqiptarë që ndodheshin në atë qytet. Mes tyre ishte edhe Abaz Ermenji, me të cilin kishte lidhje të mëparshme nga jeta shkollore, si dhe Enver Hoxha. Sipas kujtimeve të përcjella nga familja, Hilmiu ishte një student i përkushtuar, që e merrte seriozisht shkollimin dhe përpiqej të ruante një disiplinë të fortë akademike. Ai i këshillonte edhe bashkëstudentët e tij shqiptarë që të përqendroheshin te mësimet dhe të mos e shpërdoronin mundësinë që u ishte dhënë për të studiuar në Francë. Sipas dëshmive, Hilmiu e kishte këshilluar disa herë Enver Hoxhën për mungesën e përkushtimit ndaj studimeve, duke i kujtuar se qëllimi i qëndrimit në Francë ishte arsimimi. Kjo këshillë dhe gjithçka pa në jetën e dyshimtë të studentit shqiptar nga Gjirokastra, do t’i kthehej në telashin e madh të jetës së tij, do ta çonte drejt pushkatimit. Një njohje që në atë kohë dukej krejt e zakonshme mes dy studentëve shqiptarë, do të merrte një kthesë dramatike pas vendosjes së regjimit komunist në Shqipëri. Studimet në Francë përbënin një prej arritjeve më të rëndësishme të jetës së Hilmi Hysit. Ai përfundoi formimin universitar në Drejtësi dhe mori diplomën përkatëse, duke dëshmuar se ishte ndër studentët shqiptarë që kishin arritur të përfitonin nga mundësitë e arsimimit jashtë vendit. Sipas dokumentacionit të ruajtur, në Protokollin nr. 21, datë 6 prill 1939, figuron përfundimi i studimeve dhe pajisja e tij me diplomën: “Diplomë de Baçbelier en Droit, Hilmi Hysi Skrapar-Albania”. Dokumentet e tij akademike ruhen sot në Muzeun Kombëtar, në Pavijonin e të Përndjekurve Politikë. Ato përbëjnë një dëshmi konkrete të formimit të tij universitar dhe të rrugëtimit arsimor të një të riu shqiptar që kishte arritur të diplomohej me sukses në një universitet francez.

KTHIMI NË SHQIPËRI

Pas përfundimit të studimeve, Hilmi Hysi u kthye në Shqipëri dhe filloi punë si atashe pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme. Ai vinte në atdhe me një formim të konsoliduar juridik dhe me ambicien për të kontribuar në administratën shtetërore. Por zhvillimet politike të kohës do t’ia ndërprisnin këtë rrugëtim. Pas pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste, më 7 prill 1939, Hilmiu mbeti pa punë, pasi vendi i tij i punës u shkurtua. Në vitet 1941-1943, ai punoi si gjyqtar pajtues, duke vijuar angazhimin në fushën juridike. Ndërkohë, në jetën personale kishte krijuar familjen e tij. Ai u martua me Myneverën, vajzën e Maliq Vlushës, një tjetër familje me tradita patriotike. Maliq Vlusha kishte mbajtur detyra të rëndësishme në administratën shtetërore, përfshirë funksione në Ministrinë e Bujqësisë dhe në Ministrinë e Ekonomisë Kombëtare gjatë viteve 19301939. Nga kjo martesë lindën dy vajza, Lidja, e njohur në familje si Lili, dhe Lauraminerva, e thirrur Laura ose Beçi. Në atë periudhë, Hilmi Hysi kishte krijuar një jetë familjare dhe profesionale që dukej se po merrte drejtimin e dëshiruar. Por ndryshimet politike të pasluftës do ta kthenin atë dhe familjen e tij në viktima të një përndjekjeje të gjatë. Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe vendosjes së pushtetit komunist, Hilmi Hysi vazhdoi karrierën në sistemin e drejtësisë. Me dekretin nr. 69, datë 19 maj 1945, ai u emërua kryetar i Gjykatës së Gjirokastrës. Megjithatë, karriera e tij në këtë detyrë nuk do të zgjaste shumë. Në sfondin e përplasjes politike mes regjimit komunist dhe grupeve të ndryshme të opozitës, nisën arrestimet dhe proceset gjyqësore kundër intelektualëve, ish-deputetëve dhe personaliteteve që konsideroheshin kundërshtarë të pushtetit. Hilmi Hysi do të bëhej një prej tyre.

AKUZAT DHE DËNIMI

Më 4 janar 1947, Hilmi Hysi u arrestua. Sipas dekretit nr. 261, të së njëjtës datë, Presidiumi i Kuvendit Popullor miratoi vendimin e Prokurorit të Republikës për pushimin e tij nga detyra dhe arrestimin, me formulimin se ishte “me shërbim në Gjinokastër”. Arrestimi shënoi fillimin e një kalvari të gjatë hetuesie, izolimi dhe torturash. Hilmi Hysi u përfshi në procesin gjyqësor të njohur si “Grupi i dytë i deputetëve”, një prej proceseve politike më të rëndësishme të viteve të para të regjimit komunist. Në këtë grup prej 19 të pandehurish, vetëm gjashtë ishin deputetë: Kostandin Boshnjaku, Riza Dani, Faik Shehu, Islam Radovicka, Uan Filipi dhe Syrja Selfo. Të tjerët ishin persona me profesione dhe veprimtari të ndryshme, të cilët u përfshinë në të njëjtin proces, nën akuza për veprimtari kundër pushtetit të ashtuquajtur popullor. Rasti i Hilmi Hysit mbart një veçanti pasi ai nuk ishte deputet dhe, sipas historisë së përcjellë nga familja, me shumicën e personave të përfshirë në proces nuk kishte njohje të afërt. Megjithatë, u gjykua së bashku me ta dhe u dënua si pjesëmarrës në të njëjtin grup. Pas një viti në hetuesi, procesi gjyqësor nisi më 31 dhjetor 1947 dhe përfundoi më 3 janar 1948. Në procesverbalin e gjyqit përmendet se Këshilli i Gjykatës së Lartë Ushtarake ishte mbledhur më 31 dhjetor 1947 për të gjykuar 19 të pandehurit. Trupi gjykues drejtohej nga major Niko Çeta, ndërsa në proces merrte pjesë edhe prokurori ushtarak, kapiten i parë Nevzat Haznedari. Vendimet përfundimtare ishin tepër të rënda. Me vdekje u dënuan Hilmi Hysi, Riza Dani, Faik Shehu, Islam Radovicka, Uan Filipi, Syrja Selfo dhe Hasan Reçi. Me burgim të përjetshëm u dënuan Kostandin Boshnjaku, Isuf Hysenbegasi, Demir Kallarati, Hivzi Kokolari, Mestan Ujaniku, Nexhmi Ballka, Ibrahim Hasani, Arif Gjyli dhe Bexhet Shehu. Ndërsa Adem Beli dhe Halit Gjolena u dënuan me nga 20 vjet burg, kurse Kamber Backa me 15 vjet burg. Për Hilmi Hysin, vendimi ishte fatal. Në moshën 35-vjeçare, jeta e një intelektuali që kishte studiuar dhe punuar për shtetin shqiptar po mbyllej në rrethanat e një procesi politik.

TORTURAT NË HETUESI

Përtej dënimit me vdekje, historia e Hilmi Hysit përmban edhe dëshmi tronditëse për trajtimin që ai pësoi gjatë hetuesisë. Sipas rrëfimeve të familjes, ai u përball me tortura të rënda në burgun e Gjirokastrës dhe më pas në atë të Tiranës. Një prej metodave të përdorura, sipas këtyre dëshmive, ishte futja në një fuçi të mbushur me ujë, në kushte izolimi dhe në një hapësirë të ngushtë e pa dritare. Në burgun e Gjirokastrës, dhoma ku, sipas historisë së familjes, ishte torturuar Hilmiu, është kthyer më vonë në një hapësirë muzeale. Por dëshmitë më të dhimbshme për atë që kishte përjetuar ruhen në kujtimet e bashkëshortes së tij, Myneveres. Ajo ka treguar kohë më parë se rrobat që merrnin për t’ia çuar në burg ktheheshin shpesh me njolla gjaku. Në çorape gjenin thonjtë e shkulur, ndërsa në shamitë e duarve, sipas rrëfimit të saj, gjenin edhe dhëmbë të shkulur. Në një rast, poshtë enës së ushqimeve, Hilmiu kishte arritur të fshihte një copë letër me një mesazh të shkurtër: “Jam i pafajshëm. Binduni!”. Një prej episodeve më të rënda të rrëfyera nga familja lidhet me përpjekjen e tij për t’i dhënë fund jetës, pasi nuk mund të përballonte më torturat. Sipas dëshmive, Hilmiu kishte prerë damarët e duarve. Kur e pyetën për arsyen, në Klinikë, ku po merrte mjekim, ai kishte shpjeguar se e kishte bërë këtë për të shpëtuar të tjerët nga torturat. “I preva duart për të shpëtuar shokët të mos pësonin fatin tim”, citohet të ketë thënë ai. Mes dokumenteve dhe kujtimeve që kanë mbetur nga jeta e Hilmi Hysit, një vend të veçantë zë letra që ai i shkroi vajzës së tij të madhe, Lidjes, të njohur si Lili, në janar të vitit 1948.

LETRA PËR TË BIJËN

Hilmiu e dinte se mund të mos e shihte më vajzën e tij dhe se familja do të përballej me një të ardhme të pasigurt. Në kushte të rënda burgu, ndërsa priste ekzekutimin, gjeti forcën të shkruante disa rreshta… Mbi të shkruante: “Letër me litar në grykë bijës sime 6-vjeçare Lilit”. Ai nuk i shkruante një vajze që mund të kuptonte plotësisht atë që po ndodhte. I shkruante një fëmije që do të rritej pa të atin, që do të përballej me mungesën e tij dhe me pasojat e mbiemrit të një njeriu të shpallur armik nga regjimi. Në rreshtat e parë, Hilmiu i rrëfen se mendimi për vuajtjet që do të kalonin vajzat dhe bashkëshortja ishte tortura e tij më e madhe. “Je ti vajza më e madhe, je ti ajo që do të të takojë të kesh barrën më të rëndë e kujtimet më të shumta. Unë lë në ty shpresën dhe amanetin e fundit. Janë ditët e fundit këto, tani që të shkruaj. Janë mendimet e fundit këto, që më shtynë të shkruaj.”. Më pas, ai shpreh frikën se familja do të mbetej pa mbështetje dhe se vajzat do të duhej të përballeshin me vështirësi të mëdha ekonomike e shoqërore. “E mendoj dhe ky mendim është tortura ime e vetme, që ju do vuani, që ju do të mundoheni për kafshatën e bukës thatë, që ju do të zvarriteni rrugë më rrugë… që ju nuk do të njihni ç’është lumturia, sepse do t’ju mungojnë të gjitha.”. Por, edhe në prag të vdekjes, ai nuk e lë vajzën e tij të zhytet në dëshpërim. “Po, vajza ime e vogël, mos u dëshpëroni për këtë, mos t’ju vijë keq që do të vuani. Jam i bindur se një ditë do të shpëtoni nga të gjitha të këqijat, nga të gjitha vuajtjet.”  Në vijim, Hilmiu i beson Liles një përgjegjësi që tejkalon moshën e saj. Ai e sheh atë si mbështetjen e së ëmës dhe të motrës, por edhe si personin që do të duhej të ruante kujtimin dhe emrin e familjes. “Dije, Lidja ime e vogël, se ti je shpresa dhe nga sjellja jote do të varet lumturia e nënës dhe motrës sate.” Një prej pjesëve më të forta të letrës është kërkesa që ai i bën vajzës për të ruajtur emrin e tij. “Kam bindjen, sigurinë mund të them, se sjellja jote ka për të bërë atë që unë dëshiroj e lutem: të ruhet emri im dhe i juaji. Kjo është lutja që babai me litar në grykë, kërkon nga Lidja e tij e vogël; mos ia moho këtë të drejtë po të mundesh!”. Mes dhimbjes së ndarjes, përpiqet t’i japë një porosi për të ardhmen. “Lili! Derdhi lotët, qaje lumturinë e humbur, qaji përkëdheljet e fëmijërisë, por mos u humb në lot. Harroji këto dhe fillo detyrën tënde Lili ime e dashur, fillo shkollën dhe vazhdoje, mos e lër veten të shuhesh në hidhërim.”. Letra mbyllet me një porosi të thjeshtë, por të rëndësishme, vajza të vazhdonte shkollën, të ishte e kujdesshme në çdo hap të jetës dhe të mos dorëzohej përballë vështirësive. Fjalët e fundit janë: “Këto ishin porositë dhe lutjet e mia të fundit. Me mall të puth yt atë Hilmiu!”. Tiranë, janar 1948. Ndërsa Hilmi Hysi vuante në burg dhe përballej me procesin gjyqësor, familja e tij mbeti pa asnjë siguri për të ardhmen. Bashkëshortja, Myneverja, duhej të përballonte jo vetëm ankthin për fatin e të shoqit, por edhe përgjegjësinë për dy vajzat e mitura. Pas dënimit të Hilmiut, ajo dhe vajzat u internuan në Këmishtaj. Për një kohë të gjatë, familja nuk kishte informacion të plotë për fatin e tij. Myneverja duhej të siguronte jetesën dhe të kujdesej për dy fëmijët, në kushtet e një përndjekjeje që nuk kufizohej vetëm te personi i dënuar. Për shkak të mungesës së kuadrove në arsim, ajo filloi të punonte si mësuese. Por edhe vendi i punës nuk do të ishte një hapësirë e qetë pasi ndaj saj ushtrohej kontroll i vazhdueshëm nga punonjës të Sigurimit të Shtetit, të cilët paraqiteshin herë pas here në shkollë duke u prezantuar si inspektorë arsimi. Një prej episodeve të treguara lidhet me një vizitë të tillë, gjatë së cilës një person që ishte paraqitur si inspektor kishte kërkuar ndryshimin e orarit mësimor dhe kishte urdhëruar nxënësit të këndonin një këngë propagandistike që përmendte dënimin e të ashtuquajturve armiq. Myneverja, sipas rrëfimit familjar, nuk kishte reaguar, duke mos dashur t’i jepte vizitorit kënaqësinë e një përballjeje të hapur. Por episodi më i rëndë do të vinte përmes një gazete të lënë qëllimisht mbi tavolinën e saj. Në faqen e parë të gazetës “Bashkimi” ajo lexoi titullin: “Gjyqi popullor kundër armiqve të pushtetit popullor iu dha dënimin e merituar”. Në listën e të dënuarve pa emrin e bashkëshortit të saj, Hilmi Hysit. Për një grua që deri në atë çast jetonte mes shpresës dhe pasigurisë, ky ishte një lajm që ndryshonte gjithçka. Dënimi i Hilmi Hysit nuk përfundoi me ekzekutimin e tij. Ai vazhdoi të rëndonte mbi familjen, duke përcaktuar për vite me radhë mundësitë e saj për të jetuar, studiuar dhe punuar.

LETËRNJOFTIMI I HILMIUT

Një prej episodeve më të veçanta të kësaj historie lidhet me njohjen e hershme mes Hilmi Hysit dhe Enver Hoxhës. Sipas rrëfimeve të familjes dhe një pasazhi të botuar në librin e Enver Hoxhës “Kur lindi Partia”, Hilmiu kishte ndihmuar Hoxhën gjatë periudhës së ilegalitetit, duke i siguruar dokumentet e identifikimit që i mundësonin të lëvizte pa u identifikuar. Në këtë histori përmendet edhe një ngjashmëri fizike mes dy personave. Hilmi Hysi mbante mustaqe, ndërsa Enver Hoxha jo. Megjithatë, ngjashmëria e tyre ishte e tillë që, sipas rrëfimit, mund të shfrytëzohej për të justifikuar përdorimin e dokumenteve të tij. Në librin “Kur lindi Partia”, në një pasazh të përfshirë në ribotimin e dytë, Enver Hoxha shkruan: “Kur fashistët më kërkonin jashtë Tiranës, unë me Delikaten kapardiseshim në mes Tiranës, pa na i bërë syri tërr! Dhe do thoni ju, si është e mundur? E keni parë një fotografi timen me syze e mustaqe që ma ka bërë Qemal Stafa? E, pra ajo është ‘sozi’ e atij që mua dhe Delikaten na dha letërnjoftimet: të tijën dhe të shoqes. Në saje këtyre letërnjoftimeve nuk patëm probleme. Po ja që emri nuk më kujtohet, kurse mbiemri më kujtohet qe Hysi”. Hoxha përmend mbiemrin e tij dhe ndihmën që, sipas këtij rrëfimi, i kishte dhënë Enver Hoxhës dhe bashkëshortes së tij gjatë ilegalitetit. Sipas historisë familjare, Enver Hoxha kishte mbajtur për një periudhë të caktuar letërnjoftimin e Hilmiut dhe ishte strehuar edhe në vilën e tij, pranë zonës së Selvisë në Tiranë. Historia e Hilmi Hysit nuk përfundon me vendimin gjyqësor të janarit 1948. Ai u pushkatua në moshën 35-vjeçare, duke lënë pas një bashkëshorte të re dhe dy vajza të vogla. Sipas të dhënave familjare, vendndodhja e eshtrave të tij nuk është identifikuar deri më sot. Për familjen, kjo është një tjetër plagë që nuk është mbyllur. Përveç humbjes së njeriut të dashur, atyre iu mohua edhe mundësia për të pasur një varr ku të përkujtonin të atin dhe bashkëshortin. Në vitin 1992, Hilmi Hysi u shpall “Martir i Demokracisë”. Ky vlerësim ishte një përpjekje për të rikthyer emrin e tij në kujtesën publike dhe për të njohur fatin e një njeriu që ishte dënuar nga regjimi komunist.

Letra e Hilmi Hysit për vajzën 6 vjeçe

Lidja ime e dashur!

Je ti vajza më e madhe, je ti ajo që do të të takojë të kesh barrën më të rëndë e kujtimet më të shumta. Unë lë në ty shpresën dhe amanetin e fundit. Janë ditët e fundit këto, tani që të shkruaj. Janë mendimet e fundit këto, që më shtynë të shkruaj.

E mendoj dhe ky mendim është tortura ime e vetme, që ju do vuani, që ju do të mundoheni për kafshatën e bukës thatë, që ju do të zvarriteni rrugë më rrugë… që ju nuk do të njihni ç’është lumturia, sepse do t’ju mungojnë të gjitha.

Po, vajza ime e vogël, mos u dëshpëroni për këtë, mos t’ju vijë keq që do të vuani. Jam i bindur se një ditë do të shpëtoni nga të gjitha të këqijat, nga të gjitha vuajtjet.

Dije, Lidja ime e vogël, se ti je shpresa dhe nga sjellja jote do të varet lumturia e nënës dhe motrës sate. Kam bindjen, sigurinë mund të them, se sjellja jote ka për të bërë atë që unë dëshiroj e lutem: të ruhet emri im dhe i juaji. Kjo është lutja që babai me litar në grykë, kërkon nga Lidja e tij e vogël; mos ia moho këtë të drejtë po të mundesh!

Dhe tani që të shkruaj të shoh sikur të kam përpara; shoh lotët e tu. Lili! Derdhi lotët, qaje lumturinë e humbur, qaji përkëdheljet e fëmijërisë, por mos u humb në lot. Harroji këto dhe fillo detyrën tënde Lili ime e dashur, fillo shkollën dhe vazhdoje, mos e lër veten të shuhesh në hidhërim. Në rastet më të vështira, mendo se edhe yt atë ka vuajtur shumë dhe mos u dëshpëro. Kujdes Lili, kujdes në çdo hap të jetës tënde!

Këto ishin porositë dhe lutjet e mia të fundit.

Me mall të puth yt atë Hilmiu!

Tiranë, janar 1948/PANORAMA

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular