Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier ka caktuar masat e sigurisë për pesë personat nën hetim në lidhje me çështjen e tjetërsimit të pronave në zonën e Povelçës.
Me vendim të gjyqtarit Noel Veizi, është caktuar masa e sigurisë “arrest në burg” për Dilaver Shytin, Arben Vojën, Fjorelo Bidën dhe noteren Anila Haxhiu.
Ndërsa për Arbina Jaupajn gjykata ka vendosur dy masa sigurie: “detyrim për paraqitje” në policinë gjyqësore, të hënën e parë të çdo muaji, si dhe “ndalim të daljes jashtë shtetit”, duke urdhëruar edhe bllokimin e pasaportës.
Personat nën hetim akuzohen për vepra të ndryshme penale. Dilaver Shyti dyshohet për mashtrim me pasoja të rënda, falsifikim dokumentesh në bashkëpunim dhe pastrim të produkteve të veprës penale. Arben Voja (aktualisht drejtori i Spitalit Rajonal) dhe Fjorelo Bida dyshohen për falsifikim dokumentesh dhe shpërdorim detyre, ndërsa noterja Anila Haxhiu për falsifikim dokumentesh në bashkëpunim.
Hetimi lidhet me tjetërsimin e një sipërfaqeje prej rreth 44 mijë metrash katrorë tokë në Povelçë, e destinuar për ndërtimin e një impianti fotovoltaik.
Mesohet se Arben Voja në kohën kur ka qenë në krye të Kadastrës, ka bërë tjetërsimin e pronës nga tokë shtetërore në private dhe më pas iu është shitur investitorëve të fotovoltaikëve, për qëllime fitimi.
Ndërkohë, pas arrestimit dhe dërgimit në paraburgim, Arben Voja u ndje keq dhe u dërgua me urgjencë në spital për problem kardiake.







