Një këngë serbe, e njohur për mesazhet nacionaliste kundër Kosovës, është interpretuar në Bruksel në prag të Forumit të Zgjerimit të Bashkimit Evropian, një aktivitet i organizuar nga Komisioni Evropian më 15 dhe 16 nëntor.
Bëhet fjalë për këngën “Oj Kosovo, Kosovo”, e cila u interpretua gjatë mbrëmjes hapëse nga grupi muzikor slloven “Kapobanda”, në kuadër të koncertit ku ishte parashikuar edhe pjesëmarrja e Orkestrës së të Rinjve të Ballkanit Perëndimor.
Kryenegociatori i Kosovës për dialogun me Serbinë, Agron Bajrami reagoi duke thënë se interpretimi i këngës serbe kundër Kosovës në një aktivitet zyrtar të Komisionit Evropian është e papranueshme.
Në një postim në X, ai theksoi se pret nga Komisioni Evropian dhe komisionerja për zgjerim Marta Kos lidhur me mënyrën se si u përzgjodh dhe u miratua ky repertor.
“Në koncertin e hapjes së Forumit të Zgjerimit të BE-së në Bruksel, të organizuar nga Komisioni Evropian nën drejtimin e komisioneres Marta Kos, u interpretua kënga nacionaliste serbe “Oj Kosovo, Kosovo”. Ky nuk është shkëmbim kulturor. Kënga promovon pretendime të qarta politike mbi territorin e Republikës së Kosovës. Përfshirja e saj në një aktivitet zyrtar të Komisionit Evropian, kushtuar zgjerimit, unitetit dhe marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, është e papranueshme.
Republika e Kosovës pret një sqarim të menjëhershëm nga Komisioni Evropian dhe komisionerja Kos lidhur me mënyrën se si u përzgjodh dhe u miratua ky repertor. Vlerat evropiane, marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe besueshmëria e procesit të zgjerimit të BE-së nuk mund të pajtohen me dhënien e një platforme pretendimeve irredentiste kundër një vendi që synon anëtarësimin në Bashkimin Evropian”, ka shkruar Bajrami.








