Prokuroria e Vlorës kërkon sekuestrimin e tetë pasurive me vlerë 7.5 milionë euro, pasi dyshohet se një person ka përvetësuar pronën e Fabrikës së Miellit nr. 1 dhe më pas ka tjetërsuar një pjesë të saj
Prona me vlerë rreth 7.5 milionë euro janë vendosur nën sekuestro preventive në Vlorë, me kërkesë të Prokurorisë, në kuadër të një hetimi për mashtrim me pasoja të rënda dhe pastrim të produkteve të veprës penale.
Pasuritë janë të regjistruara në emër të shtetasit G.V., si dhe të dy shtetasve të tjerë, K.B. dhe Xh.Ç., të cilët rezultojnë të përfshirë në tjetërsimin e një pjese të pronës që ndodhet në Vlorë.
Hetimet janë zhvilluar në kuadër të procedimit penal nr. 1748, të regjistruar më 28 nëntor 2025, pas kallëzimit të tre shtetasve, A.C., V.Q. dhe G.Z.
Sipas Prokurorisë, nga veprimet hetimore janë krijuar dyshime të arsyeshme, të bazuara në prova, se G.V. ka përvetësuar përmes shpërdorimit të besimit objektin dhe truallin e pasurisë së paluajtshme të njohur si “Fabrika e Miellit nr. 1”, në Vlorë.
Dyshohet se ai e ka regjistruar këtë pronë në emrin e tij, në vend që ta regjistronte si aset të shoqërisë “P…..” sh.p.k. Ky veprim, sipas hetuesve, ka cenuar interesat pasurore të ortakëve të tjerë të kompanisë, shtetasve A.C., G.Z. dhe V.Q.
Nga hetimet ka rezultuar gjithashtu se, pas përvetësimit të pronës, personi nën hetim ka vijuar me tjetërsimin e një pjese të saj te dy shtetas të tjerë, K.B. dhe Xh.Ç.
Pikërisht ky veprim ka ngritur dyshime edhe për konsumimin e elementëve të veprës penale të pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale, të parashikuar nga neni 287, pika 1, germa “a” e Kodit Penal.
Për këtë arsye, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë kërkoi caktimin e masës së sigurimit pasuror “Sekuestro preventive” për tetë pasuri të paluajtshme, të regjistruara në emër të tre shtetasve.
Pasuritë për të cilat është kërkuar sekuestrimi janë:
- Pasuri e llojit “Ndërtesë”, me sipërfaqe 950 m², në Vlorë, e regjistruar në emër të shtetasit G.V.
- Pasuri e llojit “Njësi”, me sipërfaqe 923 m², në Vlorë, e regjistruar në emër të shtetasit G.V.
- Pasuri e llojit “Truall”, me sipërfaqe 2.832 m², në lagjen “1 Maji”, Vlorë, e regjistruar në emër të shtetasit G.V.
- Pasuri e llojit “Truall”, me sipërfaqe 10.500 m², në lagjen “1 Maji”, Vlorë, e regjistruar në emër të shtetasit G.V.
- Pasuri e llojit “Truall”, me sipërfaqe 2.172 m², pjesë e objektit “Fabrika e Miellit”, në Vlorë, e regjistruar në emër të shtetasit K.B.
- Pasuria me nr. 4/156, që përfshin depon nr. 1 dhe depon nr. 2, me sipërfaqe 1.263 m², në Vlorë, e regjistruar në emër të shtetasit K.B.
- Pasuria me nr. 4/154+1-2/1, që përfshin një pjesë të katit të dytë të depos së grurit, me sipërfaqe 127 m², në Vlorë, e regjistruar në emër të shtetasit Xh.Ç.
- Pasuria me nr. 4/158, një pjesë trualli me sipërfaqe 25 m², në Vlorë, e regjistruar në emër të shtetasit Xh.Ç.
- Vlera e përgjithshme e pasurive të sekuestruara përllogaritet në rreth 7.5 milionë euro. Hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të rrethanave të çështjes dhe verifikimin e veprimeve të dyshuara.
Personi nën hetim prezumohet i pafajshëm deri në një vendim gjyqësor të formës së prerë.







