HomeAktualitetForumi i Hapur Europian mbi sistemet zgjedhore, Celibashi në Gjirokastër me përfaqësues...

Forumi i Hapur Europian mbi sistemet zgjedhore, Celibashi në Gjirokastër me përfaqësues nga 7 bashki të rajonit

Advertismentspot_img

 Në një auditor të mbushur me studentë, pedagogë, drejtues institucionesh dhe zyrtarë të qeverisjes vendore nga 7 bashkitë e rajonit, u zhvillua në Universitetin “Eqrem Çabej” Forumi i Hapur Europian me temë: “Sistemet zgjedhore në Evropë: arritjet dhe perspektivat në Shqipëri”, organizuar në kuadër të projektit #EU4EduGovRegAL, një iniciativë e financuar nga Komisioni Europian përmes programit Erasmus+ (Jean Monnet Module).

I ftuar nderi dhe folës kryesor i këtij aktiviteti ishte Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, z. Ilirjan Celibashi.

Takimi u hap me fjalën përshëndetëse të Zëvendësrektores së Universitetit të Gjirokastrës, Prof. Assoc. Dr. Merita Isaraj, e cila mirëpriti të ftuarit dhe vlerësoi rëndësinë e diskutimeve të tilla akademike e institucionale për komunitetin universitar dhe rajonin. Më pas, Rektori i UGJ-së, Prof. Dr. Jaho Cana,theksoi se universiteti mbetet një qendër e rëndësishme e dijes dhe e debatit publik, duke u shprehur se institucioni ndihet i nderuar nga prania e z. Celibashi, si një prej drejtuesve kryesorë në proceset integruese të vendit, dhe se pjesëmarrja e tij i jep këtij forumi një debat profesional dhe të një niveli të lartë.

Në fjalën e tij, Koordinatori i projektit #EU4EduGovRegAL, Dr. Arjan Gjini, referoi mbi ecurinë e nismës dhe rolin e saj në analizimin dhe përcaktimin e zgjidhjeve për sfidat e qeverisjes rajonale. Duke iu referuar gjetjeve të vitit të parë, ai solli në vëmendje çështjet që përcaktojnë sot zhvillimin e territoreve — nga  migrimi, ndikimi i inteligjencës artificiale, përballueshmëria e strehimit dhe plakja e popullsisë, te aksesi në shërbime publike, vendet e punës dhe sfidat klimatike.

“Këto nuk janë sfida vetëm të Europës, por edhe të Shqipërisë, të rajonit tonë dhe të bashkive tona. Për këtë arsye, projekti ynë krijon hapësira për kërkim shkencor dhe diskutim mes studiuesve, profesionistëve dhe institucioneve,” u shpreh Dr. Gjini. Ai theksoi gjithashtu se vlerësimi i profesionalizmit i kthen organizatat në institucione me vlera europiane, se forcimi i sistemit zgjedhor kalon përmes zbatimit të rekomandimeve të Komisionit Evropian, dhe se të punosh për zhvillimin e vendit tënd si një patriot shqiptar, do të thotë të jesh njëkohësisht një patriot europian

Nga ana e tij, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, z. Ilirjan Celibashi, foli me vlerësim dhe respekt të veçantë për Gjirokastrën, rajonin, studentët shqiptarë dhe çdo staf akademik që i udhëheq ata në rrugën drejt një Shqipërie europiane. Gjatë fjalës së tij, z. Celibashi u ndal te puna e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, sfidat e administrimit zgjedhor dhe rëndësia e zbatimit të rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it dhe Komisionit Europian për konsolidimin e standardeve demokratike.

Forumi u shoqërua me një sesion të gjallë pyetjesh dhe diskutimesh, ku z. Celibashi iu përgjigj interesit të lartë të studentëve dhe të pranishmëve, duke nxitur një debat konstruktiv mbi strategjitë reale për zhvillimin e qeverisjes së mirë.

Ky aktivitet dëshmoi edhe një herë lidhjen e fortë që projekti #EU4EduGovRegAL po ndërton mes botës akademike, institucioneve qendrore dhe pushtetit vendor në rajonin e Gjirokastrës e më gjerë. I financuar nga Komisioni Europian nëpërmjet programit Erasmus+ dhe tashmë në vitin e tij të dytë të zbatimit, ky projekt bashkon një grup ekspertësh dhe studiuesish me synim përmirësimin e qeverisjes rajonale përmes edukimit, kërkimit shkencor dhe promovimit të vlerave evropiane.

Statusi ne FB i kreut te KQZ

Kënaqësi të merrja pjesë në çeljen e Forumit të Hapur Europian, organizuar nga Universiteti “Eqrem Çabej” Gjirokastër – Faqja Zyrtare në kuadër të projektit #EU4EduGovRegAL, financuar nga Komisioni Evropian, kushtuar promovimit të vlerave evropiane, qeverisjes së mirë dhe proceseve demokratike në Shqipëri.

Gjatë bashkëbisedimit me studentët, theksova rëndësinë e votës si themeli i demokracisë dhe të proceseve zgjedhore si një nga shtyllat kryesore të qeverisjes së mirë dhe standardeve evropiane.

Ndava me studentët dhe pjesëmarrësit perspektiva mbi zhvillimin e kulturës demokratike, integritetin zgjedhor dhe rolin e qytetarëve në forcimin e institucioneve demokratike në Shqipëri.

Forumi shërbeu si një hapësirë dialogu ndërmjet studentëve, pedagogëve, përfaqësuesve të pushtetit vendor, shoqërisë civile dhe partnerëve ndërkombëtarë, duke nxitur diskutime mbi vlerat evropiane, qeverisjen e mirë dhe rrugëtimin e Shqipërisë drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

KQZ Shqiperi mbetet e angazhuar në edukimin qytetar dhe zgjedhor të të rinjve, duke kontribuar në përgatitjen e një brezi aktiv, të informuar dhe të përkushtuar ndaj vlerave demokratike. 🇦🇱🇪🇺

#KQZ#Vota#Demokracia#EdukimiZgjedhor#BE#EuropeanValues#EU4EduGovRegAL#YouthEngagement#Gjirokastër#IntegrimiEuropian @topfans @followers

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular