Miliarderi amerikan, Elon Musk shprehu keqardhje për gati 500 milionë dollarët që shpenzoi për të mbështetur republikanët në zgjedhjet e mesmandatit të 3 nëntorit në SHBA, duke pranuar se kontributi i tij i madh financiar nuk e pengoi fitoren dërrmuese për demokratët.
“Ndihem shumë budalla që shpenzova kaq shumë para dhe pashë kaq pak rezultate. Ose ndoshta gjërat mund të kishin qenë edhe më keq”, pranoi njeriu më i pasur në botë, duke folur të mërkurën në eventin DealBook të New York Times.
Musk shpjegoi se qëllimi kryesor i ndërhyrjes së tij ekonomike ishte që republikanët të ruanin kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve dhe të Senatit, ndërsa Donald Trump do të vazhdonte të ishte në Shtëpinë e Bardhë.
“Motivimet e mia ishin të thjeshta”, tha ai, duke sqaruar megjithatë se nuk do të donte që asnjëra prej dy partive të mëdha amerikane të kishte një “supershumicë”.
Megjithatë, rezultati i zgjedhjeve e shtyu atë të rishikonte pikëpamjen e tij mbi efektivitetin e donacioneve të mëdha politike.
“Kjo sigurisht tregon se zgjedhjet nuk kanë të bëjnë vetëm me paratë. Mund të hedhësh shumë para në një proces zgjedhor dhe të kesh një rezultat relativisht të vogël”, shtoi ai, duke pranuar se shpenzimet e tij nuk patën ndikimin që ai kishte shpresuar.







