Nga Ermal Peçi
Ditën e djeshme, për shkak të angazhimeve të shumta dhe dilemës mes vrapit të mbrëmjes dhe ndjekjes së një emisioni politik, vendosa të zgjedh të parin. Por, teksa po shfletoja rrjetet sociale, më doli përpara një fragment nga përplasja mes Agron Shehajt dhe gazetarit Anri Bala.
Anrin e kam shok dhe kjo është një nga arsyet pse vendosa të shkruaj e të reagoj. Nuk kam ndërmend ta fsheh këtë fakt, por as ta përdor miqësinë si justifikim për qëndrimin tim. Sepse, përtej miqësisë, këtu bëhet fjalë për diçka shumë më të rëndësishme: mënyrën se si një politikan sillet përballë një gazetari që guxon ta kundërshtojë.
Me Anrin kam debatuar edhe unë. Kemi mendime të ndryshme, kemi kundërshtuar njëri-tjetrin dhe kjo është krejt normale. Madje, ky është edhe thelbi i debatit publik: të mos jemi të gjithë dakord dhe të kemi lirinë ta themi atë që mendojmë. Por të kalosh nga argumenti tek ofendimi dhe nga debati tek sulmi personal, vetëm sepse përballë ke dikë që nuk mendon si ti, është përtej çdo kufiri të pranueshëm.
Agron Shehaj dje doli nga vetja!
Në vend që të përballej me argumentin, zgjodhi gjuhën e ofendimit, akuzës dhe përpjekjes për të denigruar një gazetar, vetëm sepse ky i fundit e kundërshtoi.
Por çfarë e shkaktoi në të vërtetë këtë reagim të Agron Shehajt?
Në fakt, Anri Bala i rikujtoi Agron Shehajt një akuzë që Taulant Balla ia kishte drejtuar deputetit të partisë së tij në Parlament: se ky i fundit e kishte telefonuar për t’iu mbrojtur votat, nga frika se mos ua merrte Partia Demokratike.
Por në atë sallë, përballë Taulant Ballës, nuk pamë të njëjtin reagim dhe të njëjtin fjalor që Shehaj zgjodhi të përdorte ndaj gazetarit Bala.
Por kjo përplasje nuk është thjesht një episod televiziv. Ajo ngre një pyetje më të madhe për modelin politik që Agron Shehaj pretendon të përfaqësojë. Nëse kërkon rotacion politik dhe pretendon të jetë alternativë ndaj Edi Ramës, atëherë duhet të jetë, para së gjithash, antimodeli i tij në mënyrën e të bërit politikë.
Të jesh ndryshe nga Edi Rama nuk mjafton ta përsërisësh në studio televizive, në foltoren e Parlamentit apo në takime elektorale. Duhet ta dëshmosh me sjellje, me qasje, me fjalor dhe, mbi të gjitha, me mënyrën se si i trajton ata që nuk mendojnë si ti.
Nuk mund të kërkosh ndryshimin e pushtetit duke kopjuar pikërisht sjelljet që pretendon se dëshiron të ndryshosh.
Nuk mund të denoncosh arrogancën e Ramës të hënën dhe ta praktikosh vetë të mërkurën! Narrativa se «nëse je me mua, je i mirë; nëse je kundër meje, je i shitur» nuk pi më ujë!
Kjo logjikë e ndarjes së njerëzve në miq dhe armiq, në të ndershëm dhe të shitur, vetëm mbi bazën e qëndrimit të tyre ndaj një politikani, është një mendësi autoritare që duhet të marrë fund. Është pikërisht kjo mendësi që e ka dëmtuar politikën shqiptare ndër vite, duke e kthyer debatin nga përballje idesh në një garë etiketimesh, sulmesh dhe linçimesh publike.
Kjo bëhet edhe më shqetësuese kur një sjellje e tillë vjen nga politikanë që pretendojnë se përfaqësojnë një kulturë tjetër politike. Pikërisht ata që përfaqësojnë të djathtën, lirinë individuale dhe pluralizmin, duhet të jenë të parët që ta refuzojnë këtë logjikë. Të djathtët nuk mund të përvetësojnë metoda komuniste, ku kush nuk mendon si udhëheqësi shpallet automatikisht armik!
E djathta nuk mund të jetë thjesht një etiketë elektorale. Ajo duhet të jetë edhe një kulturë politike, ku mendimi ndryshe nuk konsiderohet tradhti dhe gazetari që të kundërshton nuk shpallet armik.
Agron Shehaj ka të drejtë të kundërshtojë një gazetar, të rrëzojë argumentet e tij, madje edhe ta kritikojë ashpër. Kjo është pjesë e lirisë së shprehjes. Por nuk ka asnjë të drejtë morale ta fyejë, ta denigrojë apo ta etiketojë vetëm sepse nuk i pëlqen ajo që dëgjon.
Agron nëse sot, kur je në opozitë dhe kërkon votën e shqiptarëve, nuk duron dot një gazetar që të kundërshton, çfarë garancie u jep qytetarëve se nesër, kur të kesh pushtetin, do të durosh kritikën e tyre?
Në fund të fundit, një politikan që kërkon besimin e qytetarëve duhet të tregojë se di të përballojë edhe pyetjet që nuk i pëlqejnë. Historia ka treguar se demokracia nuk është një sallë ku të gjithë të duartrokasin dhe askush nuk guxon të të kundërshtojë.
Mund të të vendosin përballë edhe vetë djallin, por nëse pretendon të drejtosh njerëz, duhet të dish ta menaxhosh përballjen me të. Politika nuk është vetëm arti i të folurit, por edhe aftësia për të ruajtur qetësinë, dinjitetin dhe arsyen përballë kujtdo. Nuk është ai që ke përballë që përcakton nivelin tënd si politikan, por mënyra se si ti zgjedh t’i përgjigjesh.







