Për vite me radhë, një gabim i vogël drejtshkrimor apo një këngë e zgjedhur gabim në një “Story” në Instagram kishte vetëm një zgjidhje: fshirjen e postimit dhe ripublikimin e tij nga e para, duke humbur kështu shikimet dhe reagimet e para. Megjithatë, kësaj praktike i ka ardhur fundi.
Instagram ka prezantuar një veçori të re që u mundëson përdoruesve të editojnë postimet e tyre në “Stories” deri në 15 minuta pas publikimit. Kjo hapësirë kohore u jep përdoruesve lirinë për të rregulluar detajet e vogla pa pasur nevojë të prishin rrjedhën e postimeve apo të nisin gjithçka nga zeroja.
Sipas përditësimit të ri, brenda këtij afati 15-minutësh, ju mund të korrigjoni gabimet në tekst, të ndryshoni shkrimin, ngjitëset (stickers), vizatimet apo edhe muzikën e sfondit.
Pjesa më e rëndësishme e këtij ndryshimi është se gjatë modifikimit, të gjitha shikimet, pëlqimet dhe përgjigjet që “Story” ka marrë deri në atë moment mbeten të paprekura. Ky përditësim pritet të lehtësojë ndjeshëm përdoruesit dhe krijuesit e përmbajtjes, të cilët shpesh e vënë re një gabim vetëm disa sekonda pasi e kanë publikuar postimin.







