HomeAktualitet13 vite nga vdekja e Sokol Olldashit, vëllai i tij prek me...

13 vite nga vdekja e Sokol Olldashit, vëllai i tij prek me rrëfimin për dhimbjen e madhe: Edhe vëllai të lënka jetim

Advertismentspot_img

13 vite pas humbjes së Sokol Olldashit, vëllai i tij rikthen kujtimet më të dhimbshme dhe rrëfen një mungesë që koha nuk ka mundur ta zbehë

Sot, 20 nëntor 2026, mbushen 13 vite nga vdekja tragjike e Sokol Olldashit, një prej figurave të njohura të politikës shqiptare. Ndarja e parakohshme nga jeta e politikanit, në moshën 40-vjeçare, la pas një dhimbje të madhe te familjarët, miqtë dhe bashkëpunëtorët e tij.

Në këtë përvjetor, vëmendjen e ka tërhequr edhe mesazhi i vëllait të tij, Ardian Olldashi, i cili ka kujtuar me fjalë prekëse të ndjerin. Përmes një reagimi në rrjetet sociale, ai ka shprehur mallin për të vëllanë dhe boshllëkun që ka lënë largimi i tij, duke rrëfyer se jeta ka vazhduar, por një pjesë e zemrës së tij ka mbetur përgjithmonë me Sokolin.

Ardian Olldashi, i cili ka zgjedhur të qëndrojë larg vëmendjes mediatike, ka ndarë edhe më herët disa prej kujtimeve më personale për të vëllanë. Në një rrëfim për “DITA”, ai ka folur për marrëdhënien e veçantë mes tyre dhe dhimbjen që la pas humbja e tij.

“Kur e mendoj veten të plakur një ditë, përballë një filxhani kafeje, do të jem i dënuar të ndaj kujtimet me veten time. Vëllai është gjaku yt, shoqërues në jetë, pavarësisht çfarë ndodhesha do të doja t’i thoja një ditë: Koli, e mban mend kur ti…,kur ne…. Ja pra, që nuk do kem më kë të bisedojë në këtë dimension, ndaj në këtë pikë, ndihem si… jetim. Edhe vëllai të lënka të tillë…”

Ardiani është vëllai i madh i Sokol Olldashit dhe mes tyre kishte katër vite diferencë. Prindërit e tyre u ndanë kur të dy ishin ende fëmijë, por kjo nuk i pengoi të ruanin një marrëdhënie të ngushtë me njëri-tjetrin dhe me të dy prindërit. Ardiani emigroi në fillim të viteve ’90 dhe ndërtoi jetën jashtë Shqipërisë, ku krijoi familjen e tij me dy fëmijë, një djalë dhe një vajzë. Kjo e fundit kishte një lidhje veçanërisht të fortë me xhaxhain e saj, Sokolin.

Duke kujtuar vështirësitë që familja kishte kaluar, Ardiani tregonte se ishin rritur mes vuajtjeve, për shkak të internimit të familjes. Megjithatë, humbja e të vëllait kishte qenë goditja më e rëndë që kishte përjetuar deri në atë moment.

“Jemi rritur me vuajtje, kjo për shkak të internimit që ka kaluar familja jonë. Por ndarja nga jeta e Sokolit, është momenti më i vështirë në jetën time, deri më tani. E pranoj, nuk ka qenë e lehtë për ta përballuar, por jam dhe duhet të jem i fortë, për fëmijët e mi dhe të Kolit, pavarësisht se unë nuk e zëvendësoj dot figurën e babait, por do të jem aty, sa herë atë të kenë nevojë për ndihmë apo për një këshillë”, shprehej ai.

Një nga kujtimet më të vështira për Ardianin mbetet edhe mbrëmja e 20 nëntorit 2013, kur Sokol Olldashi humbi jetën në aksidentin automobilistik në aksin Tiranë-Elbasan, pranë Kërrabës. Ai rrëfente se atë mbrëmje kishte menduar disa herë të telefononte të vëllanë, por në fund nuk e kishte bërë.

“Mos më pyesni se nuk e di se përse, ku shkoi, kë takoi dhe me kë foli atë ditë! Pavarësisht, se e kisha vazhdimisht në mend që duhet ta merrja në telefon atë mbrëmje, nuk e mora, dhe mos më pyesni pse, se nuk di të them… Mos më pyesni për koiçidencat e çuditshme që kishte ai aksident, se nuk e di… Por mendoj se ishte një aksident. E di që vetë Sokoli nuk ishte aspak komod në atë kohë për shumë qarqe, për shumë fraksione politike dhe ndoshta shumë do ta brohorisnin daljen e Sokolit nga jeta politike dhe ndoshta janë lutur që të ndodhte ajo gjë, por ajo që ndodhi atë mbrëmje nuk ma merr mendja se ka qenë një gjë e kurdisur.. E kam të vështirë ta besoj”, tregonte Ardiani.

Sokol Olldashi humbi jetën në moshën 40-vjeçare, kur automjeti që drejtonte doli nga rruga dhe përfundoi në një greminë. Vdekja e tij tronditi politikën shqiptare, ndërsa pasoi një karrierë e rëndësishme në Partinë Demokratike.

Olldashi ishte angazhuar në lëvizjen demokratike që në dhjetor të vitit 1990 dhe më vonë drejtoi Forumin Rinor të Partisë Demokratike. Ai u zgjodh deputet në vitin 2001 dhe gjatë karrierës së tij mbajti edhe poste ministrore, fillimisht si Ministër i Brendshëm, në vitet 2005-2007, e më pas si Ministër i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, nga viti 2007 deri në vitin 2013. Në vitin 2013 kandidoi për drejtimin e Partisë Demokratike, por humbi garën përballë Lulzim Bashës.

Trembëdhjetë vite pas asaj mbrëmjeje tragjike, dhimbja e familjarëve mbetet e pranishme. Për Ardianin, mungesa e të vëllait nuk është thjesht kujtimi i një njeriu të dashur, por edhe mungesa e dikujt me të cilin do të kishte dashur të ndante gjithë momentet e jetës.

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular