Zhvillimi i pagesave të menjëhershme po transformon mënyrën se si kryhen transaksionet, duke sjellë shpejtësi, lehtësi dhe mundësi të reja për klientët dhe bizneset, por njëkohësisht edhe sfida të reja në parandalimin e fraud-it dhe krimit financiar. Në pararojë, Shoqata Shqiptare e Bankave (AAB), në bashkëpunim me Feedzai dhe partnerin e saj Facilization, organizoi workshop-in “Parandalimi i fraud-it dhe i krimit financiar në epokën e pagesave të menjëhershme”, me pjesëmarrjen e profesionistëve të sektorit bankar.
Workshop-i u fokusua në rreziqet që shoqërojnë pagesat e menjëhershme, veçanërisht mashtrimet ku klientët manipulohen për të autorizuar vetë transaksionet (APP fraud), përdorimi i llogarive “mule” dhe sfidat e identifikimit të aktivitetit të dyshimtë brenda pak sekondash. Diskutimet trajtuan gjithashtu rolin e inteligjencës artificiale në zbulimin e fraud-it dhe monitorimin AML në kohë reale, si dhe zhvillimet rregullatore evropiane në fushën e pagesave të menjëhershme dhe mbrojtjes së klientëve.
Feedzai, një nga ofruesit ndërkombëtarë të zgjidhjeve për parandalimin e fraud-it dhe krimit financiar, prezantoi qasjen e saj të bazuar në inteligjencën artificiale, e cila lidh sinjalet e rrezikut përgjatë gjithë ciklit të aktivitetit të klientit. Kjo qasje synon të kapërcejë kufizimet e sistemeve të fragmentuara, të identifikojë modele të ndërlidhura të aktivitetit të dyshimtë dhe të mundësojë ndërhyrje më të hershme, përpara se të materializohet humbja financiare. Feedzai është përzgjedhur gjithashtu nga Banka Qendrore Evropiane në kuadër të mekanizmit të zbulimit dhe parandalimit të fraud-it për euron digjitale









