Moti i keq përfshin vendin/ 14 akse rrugore me rënie gurësh, 52 fidera jashtë pune, pesë avionë devijojnë nga Rinasi
Reshjet e dendura të shiut dhe erërat e forta kanë shkaktuar problematika në disa zona të vendit gjatë orëve të fundit, duke vështirësuar qarkullimin në disa akse rrugore, furnizimin me energji elektrike dhe trafikun ajror.
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, ka bërë një përditësim mbi situatën në të gjithë territorin, duke njoftuar se në 14 akse rrugore janë evidentuar rënie gurësh dhe inertesh, ndërsa 52 fidera të rrjetit elektrik rezultojnë jashtë funksionit.
Problemet me furnizimin me energji janë përqendruar kryesisht në zonat rurale të Matit, Mirditës, Lushnjës dhe Bajram Currit. Sipas raportimit, ndërhyrjet për riparimin e defekteve po vijojnë, por puna po vështirësohet nga distancat e mëdha të rrjetit elektrik dhe terreni i vështirë.
Rënie gurësh në 14 akse rrugore
Pavarësisht problematikave të raportuara, qarkullimi në të gjitha akset nacionale vijon normalisht. Rënia e gurëve dhe inerteve është evidentuar në këto segmente:
- Bogë–Theth
- Bajram Curri–Valbonë
- Ura e Bujanit–Qafë Morinë
- Sopot–Kërnajë
- Qafë Mejdan–Tropojë–Bucaj
- Bajram Curri–Fierzë
- Sopot–Kam
- Dushaj–Lekbibaj
- Kukës–Bushtricë
- Krumë–Qafë Prush
- Kryqëzimi Plepa–Kam Tropojë
- Kukës–Shishtavec
- Rrëshen–Shpal–Qafë Bene
Ndërkohë, në aksin Qafë Thore janë regjistruar reshje shiu të përziera me dëborë, por sipas autoriteteve rruga është mbajtur e pastër.
52 fidera jashtë pune, probleme me energjinë elektrike
Situata paraqitet më problematike në rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike, ku aktualisht 52 fidera janë jashtë funksionit. Zonat më të prekura janë ato rurale në Mat, Mirditë, Lushnjë dhe Bajram Curri.
Grupet e punës janë në terren për riparimin e defekteve dhe rikthimin e furnizimit me energji. Autoritetet bëjnë me dije se linjat 35 kV, nënstacionet dhe fiderat e tjerë dalës 20/10/6 kV, që furnizojnë me energji hidrovorët, janë në funksion.
Ndërkohë, sistemi i transmetimit të energjisë elektrike paraqitet në gjendje normale. Të gjitha linjat 400 kV, 220 kV dhe 110 kV, si dhe nënstacionet, vijojnë të operojnë pa probleme të raportuara.
Pesë avionë devijojnë nga Rinasi
Problematika janë regjistruar edhe në trafikun ajror në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza”. Për shkak të kushteve të pafavorshme atmosferike, pesë avionë nuk kanë mundur të ulen në aeroportin e Rinasit dhe janë detyruar të devijojnë drejt aeroporteve alternative.
Megjithatë, ngritjet e avionëve nga aeroporti i Tiranës vijojnë normalisht.
Situata në porte, ujësjellës dhe kaskadën e Drinit
Në Portin e Durrësit, tragetet kanë mbërritur sipas orarit dhe përpunimi i kontejnerëve po vijon normalisht. Reshjet e shiut kanë ndërprerë përkohësisht shkarkimin e një pjese të mallrave.
Sa i përket furnizimit me ujë të pijshëm, situata në shoqëritë e ujësjellës-kanalizimeve paraqitet normale, pa problematika të raportuara. Përjashtim ka bërë zona e Shkozetit, ku është evidentuar një bllokim i rrugës, i cili është menaxhuar nga strukturat përgjegjëse.
Ndërkohë, prurjet natyrore në kaskadën e Drinit raportohen në këto nivele:
- HEC Fierzë: 250 m³/s
- HEC Koman: 800 m³/s
- HEC Vau i Dejës: 50 m³/s
Autoritetet bëjnë me dije se grupet e punës në varësi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë vijojnë të jenë në terren për monitorimin e situatës dhe ndërhyrjen në zonat ku janë evidentuar problematika.









