HomeKryesoreBrezi që lind sot në Shqipëri mund të fitojë 42% më shumë...

Brezi që lind sot në Shqipëri mund të fitojë 42% më shumë nga përmirësimi i shëndetësisë dhe arsimit

Advertismentspot_img

Një fëmije në Shqipëri i mungon një vit shkollor krahasuar me një fëmijë në Kroaci dhe kur të dalë nga sistemi arsimor ka rezultate më të dobëta në të nxënë. Më vonë në jetë, kur të gjejë punë, ka shumë gjasa të punojë pa pagë.

Këto diferenca shpjegojnë pse Shqipëria mori vetëm 203 pikë në “Indeksin e Kapitalit Njerëzor Plus të Bankës Botërore për vitin 2025”, kundrejt 239 pikëve në Kroaci dhe 240 pikëve mesatarisht në Europë dhe Azinë Qendrore.

Indeksi, i cili ka një maksimum prej 325 pikësh, vlerëson se si ndikojnë shëndeti, arsimi dhe përvoja në punë në aftësinë e një fëmije të lindur sot për të punuar dhe për të fituar të ardhura kur të rritet.

Brenda Ballkanit Perëndimor, Shqipëria renditet e treta, pas Serbisë, me 230 pikë, dhe Malit të Zi, me 219. Vendi ynë është pranë Maqedonisë së Veriut, me 202 pikë, ndërsa Bosnja dhe Hercegovina shënon 192 pikë dhe Kosova 171.

Në një skenar që përfshin përmirësime në të tria fushat, arsimin, punësimin dhe shëndetësinë Banka vlerëson se të ardhurat e ardhshme të brezit që lind sot në Shqipëri mund të ishin 42% më të larta, nëse vendi do të arrinte rezultatet e ekonomive me PBB të ngjashme për frymë dhe me kapital njerëzor më të zhvilluar.

Hendeku nis në shkollë

Arsimi është fusha ku Shqipëria ka diferencën më të madhe me mesataren e Europës dhe Azisë Qendrore. Banka Botërore e zbërthen këtë diferencë duke e krahasuar Shqipërinë me Kroacinë. Vitet e pritshme të shkollimit janë 11,9 në Shqipëri dhe 12,8 në Kroaci. Hendeku shihet edhe në atë që nxënësit arrijnë të mësojnë gjatë këtyre viteve.

Në matjen e harmonizuar të rezultateve të të nxënit, Shqipëria merr 441 pikë dhe Kroacia 491. Diferenca vazhdon në arsimin e lartë, ku treguesi i përfundimit arrin në 31% në Shqipëri dhe në 41% në Kroaci.

Sipas simulimit të Bankës Botërore, arritja e nivelit të Kroacisë vetëm në këta tre tregues arsimorë do ta ngrinte Shqipërinë nga 203 në 230 pikë. Në modelin e Bankës, një përmirësim i tillë do të rriste me rreth 27% të ardhurat e ardhshme të brezit që lind sot.

Në punësim, diferenca është te puna me pagë

Përqindja e të rriturve që punojnë është pothuajse e njëjtë në Shqipëri dhe në Kroaci, përkatësisht 76% dhe 77%. Por nga të rriturit që punojnë, 56% janë të punësuar me pagë në Shqipëri, kundrejt 87% në Kroaci. Mes të rinjve që punojnë, hendeku është edhe më i gjerë, me 49% në Shqipëri dhe 94% në Kroaci. Kjo është një nga arsyet pse Shqipëria mori vlerësime shumë të dobëta me vetëm 37 pikë në komponentin e punësimit.

Në shëndet, Shqipëria gjithashtu është në nivelin mesatar të Europës dhe Azisë Qendrore, me 46 pikë nga 50. Në këtë komponent, Banka mat mundësinë për të mbijetuar deri në moshën 60 vjeç dhe përqindjen e fëmijëve pa vonesë në rritjen fizike. Monitor

Advertismentspot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
Advertismentspot_img
RELATED ARTICLES
Advertismentspot_img
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular