Mes të ndaluarve në operacionin antidrogë në Stamboll janë edhe aktore të njohura të serialeve turke, si dhe emra të njohur të biznesit
Një operacion i gjerë antidrogë i zhvilluar nga autoritetet turke në Stamboll ka vënë në shënjestër disa emra të njohur të artit, televizionit dhe biznesit. Mes personave të ndaluar janë këngëtari dhe aktori Özcan Deniz, aktoret Deniz Çakır dhe Burcu Özberk, si dhe biznesmeni İbrahim İzzet Özilhan.
Sipas raportimeve të mediave turke, për 35 persona janë lëshuar urdhër-ndalime në kuadër të një hetimi të drejtuar nga Prokuroria e Përgjithshme e Stambollit. Deri në mëngjesin e së mërkurës, 25 nëntor, 24 prej tyre janë ndaluar, ndërsa autoritetet vijojnë kërkimet për personat e tjerë.
Operacioni u zhvillua mbrëmjen e së martës dhe është pjesë e një hetimi që përfshin dyshime për prostitucion, trafikim dhe furnizim me lëndë narkotike, si dhe përdorim apo posedim të substancave të ndaluara.
Sipas prokurorisë turke, vendimet për ndalimin e të dyshuarve janë marrë pas shqyrtimit të deklarimeve të tyre, dëshmive të personave të marrë në pyetje, materialeve dixhitale dhe telefonave celularë të sekuestruar, si dhe raporteve të ekspertizës dhe dëshmive të dëshmitarëve të fshehtë.
Në mesin e të ndaluarve është edhe İbrahim İzzet Özilhan, anëtar i bordit drejtues të grupit të njohur të biznesit Anadolu Group. Ai mban gjithashtu postin e nënkryetarit të Shoqatës Turke të Industrisë dhe Biznesit (TÜSİAD) dhe është nipi i një prej themeluesve të Anadolu Group.
Sipas mediave turke, hetimi ndaj personazheve të njohur është pjesë e një procesi më të gjerë që vijon prej tetorit të vitit 2025. Gjatë kësaj periudhe, disa emra të njohur nga muzika, televizioni dhe biznesi janë thirrur për të dhënë dëshmi, ndërsa në raste të mëparshme janë marrë edhe mostra biologjike për analiza.
Prokuroria ka bërë të ditur se hetimet vijojnë në të gjitha drejtimet. Deri më tani, personat e ndaluar janë të dyshuar dhe ndaj tyre nuk ka një vendim përfundimtar fajësie.









