Në njërën prej fotove shkruhet shqip: “Parkim Privat”
Pas arrestimit të dy emigrantëve të paligjshëm shqiptarë që grabitën vilën e Princit William dhe Princeshës Kate, në Angli ka mbizotëruar sërish debati për emigracionin.
Për Partinë Reform UK të Nigel Farage, ngjarja ka shërbyer si pretekst për të sulmuar qeverinë se është treguar e butë ndaj emigracionit të paligjshëm. Nga ana tjetër, Home Office ka publikuar shifra zyrtare sipas të cilave në Britaninë e Madhe është ulur numri i azilkërkuesve dhe emigrantëve të paligjshëm.
Këtij debati i është bashkuar sot gazetarja dhe prezantuesja Michelle Dewberry në platformën X.
Ajo ka postuar foto të tabelave të parkimit, mbishkrimet e të cilave janë në gjuhën arabe, turke dhe në gjuhën shqipe. Në njërën prej tyre shkruhet shqip: “Parkim Privat”. Këto foto janë publikuar nga qyteti Hull në Angli, që njëkohësisht është edhe qyteti i lindjes i gazetares Dewberry. Sipas saj, këto foto tregojnë qartësisht realitetin në Mbretërinë e Bashkuar.
“Ja një foto që përmbledh në mënyrë të përkryer atë që po i ndodh vendit tonë…
Kjo tabelë është në një rrugë në vendin që unë e quaj shtëpi, Hull. Hull nuk është në Lindjen e Mesme. As në Shqipëri.
Hull është në Angli. (Edhe pse, mezi do ta kuptoje nga kjo foto).
Ndërsa politikanët debatojnë me njëri-tjetrin për të festuar një rënie të ‘Migrimit Neto’, ata nuk ju tregojnë se, edhe një herë, ne importuam qindra mijëra jo-evropianë (258,000). Ky numër është i barabartë me të gjithë popullsinë e një qyteti si Hull. Ajo që po i ndodh këtij vendi është skandaloze”, shkruan ajo.


Dewberry flet për “jo-evropianë”, por harron se shqiptarët janë ndër popujt më të vjetër të Evropës.
Ky është rasti i dytë që zëra ekstremë kundër emigracionit në Britani kapen pas detajeve të tilla periferike, si në këtë rast me gjuhën shqipe në tabelën e parkimit.
Dy ditë më parë, Zia Yusuf, drejtuesi i Reform UK për Çështjet e Brendshme (Shadow Home Secretary) u kap pas numrit të telefonatave që të burgosurit shqiptarë kishin bërë nga burgjet britanike dhe për këtë arsye sipas tij, ata duhet të deportoheshin.









