SPAK ka paraqitur prova të reja në procesin gjyqësor ndaj Dritan Rexhepit dhe gjashtë të pandehurve të tjerë, të akuzuar për rrëmbimin dhe vrasjen e Jan Prengës.
Bëhet fjalë për komunikime të shkëmbyera përmes aplikacionit të enkriptuar Sky ECC, ku përfshihen biseda mes Dritan Rexhepit, Gentian Funiqit, Altin Hajrit dhe Geraldo Martinit. Gjykata e Posaçme vendosi pranimin e këtyre provave, ndërsa SPAK paraqiti në seancë interpretimin e komunikimeve dhe mënyrën se si, sipas akuzës, janë identifikuar personat që fshiheshin pas kodeve të përdorura në aplikacion.
Sipas prokurorisë, të pandehurit kanë komunikuar me njëri-tjetrin për ngarkesën e drogës dhe rrëmbimin e Jan Prengës. Bisedat, sipas SPAK, datojnë në vitin 2020 dhe përmbajnë edhe mesazhe që u janë dërguar të afërmve të Prengës, përfshirë vëllanë e tij që në atë kohë ndodhej në burg.
Një prej episodeve të përmendura nga organi i akuzës lidhet me mundësinë e rrëmbimit të babait të Ndrek Prengës, por në fund objektiv i rrëmbimit ishte Jan Prenga, vëllai i tij.
SPAK pretendon gjithashtu se në komunikime është diskutuar mundësia që çështja të hiqej nga kompetenca e Prokurorisë së Posaçme dhe të ndiqej nga një prokurori e zakonshme. Sipas akuzës, Gentian Funiqi ka komunikuar për këtë çështje, ndërsa bisedat tregojnë jo vetëm përfshirjen e të pandehurve në ngjarje, por edhe motivet që lidhen me vjedhjen e një sasie droge.
Gjatë seancës, SPAK ka renditur disa prej komunikimeve dhe datat kur ato janë zhvilluar. Për periudhën 2-4 prill 2020, Altin Hajri rezulton të ketë komunikuar me Gentian Funiqin për Festim Bexhdilin. Në një prej mesazheve, Hajri shkruan: “Ishalla ti mbushim mendjen, do përgatit pak ai”.
Sipas prokurorisë, në bisedat mes të pandehurve është diskutuar edhe për një ngarkesë droge në Ekuador.
Një tjetër komunikim, i datës korrik 2020, është cituar nga SPAK: “Të japim noj lek ta heqim nga SPAKu. Mësoje Festimin të thotë kam qenë i stresuar dhe kam folur nga frika”. Sipas interpretimit të prokurorisë, këto mesazhe tregonin se të pandehurit orientonin Festim Bexhdilin se çfarë duhej të deklaronte.
Në komunikimet mes Gentian Funiqit dhe Dritan Rexhepit përmendet edhe Ndrek Prenga, për të cilin, sipas SPAK, është diskutuar që të mbahej nën vëzhgim.
Prokuroria ka paraqitur gjithashtu një bisedë të datës 30 janar 2021, ku Dritan Rexhepi shkruan: “Paskan dalë ata çunat që zunë për pengun, kanë mbajtur brenda vetëm atë që kishte fol pak”.
Ndërkohë, komunikimet për trafikun e drogës vijojnë edhe në një episod tjetër, ku bëhet fjalë për një ngarkesë që ishte lagur nga uji i detit dhe për të cilën bashkëbiseduesit diskutonin gjetjen e një zgjidhjeje.
Nga ana tjetër, mbrojtja e Dritan Rexhepit ka kërkuar që t’i vihen në dispozicion komunikimet konkrete të nxjerra nga aplikacioni Sky ECC.
Në përfundim të seancës, gjykata caktoi datën 11 dhjetor, ora 10:00, për vijimin e procesit, kur mbrojtja do të paraqesë analizën e provave të depozituara nga SPAK.
Po ashtu, Gjykata e Posaçme urdhëroi njoftimin për procesin gjyqësor të Korado Keshtenjas, i cili është i arrestuar dhe ndodhet në Londër.









