Një incident i pazakontë ka ndodhur gjatë ndeshjes së Kategorisë së Parë mes Pogradecit dhe Ilirisë.
Në minutën e 27-të të ndeshjes, futbollisti i Ilirisë, Santiago Selmani është përleshur në një dyluftim për topin me Mateo Shanajn e Pogradecit. Për një çast, Selmani shihet teksa i afrohet Shanajt dhe tenton ta kafshojë në qafë.
Arbitri i ndeshjes nuk ka ngurruar t’i tregojë kartonin e kuq Selmanit, ndërsa ka ndëshkuar me të verdhë Shanajn. Por ndeshja ka vijuar të tensionohet më tej, teksa Iliria ka tentuar të braktisë fushën e blertë.
Trajneri i ekipit ka ndërhyrë në fushë për të qetësuar lojtarët e tij, por edhe ai është ndëshkuar me karton të verdhë. Pogradeci e mbylli ndeshjen me fitore 3-0 duke u ngjitur në krye të renditjes.









