Duket sikur Superliga turke është skena e preferuar për Qazim Laçin. Mesfushori ka gjetur sërish rrugën e rrjetës duke arritur për një periudhë të shkurtër rekordin e golave, që kishte gjatë pesë viteve në Francë.
Qazim Laçi po kalon një nga periudhat më të mira të karrierës së tij. Mesfushori i Kombëtares shqiptare ka shënuar sërish me Rizesporin, këtë herë në përballjen ndaj Kasëmpashës, ku i dha avantazhin skuadrës në minutën e 22-të.
Ndryshe nga golat e tij të zakonshëm, të ardhur nga distanca apo aksione individuale, këtë herë Laçi përfitoi nga një top i kthyer prej shtyllës, pas gjuajtjes së një shoku të skuadrës, për ta dërguar i qetë në rrjetë.
Ky ishte goli i katërt në kampionat për këtë sezon dhe i 11-ti në total me fanellën e Rizesporit. Një shifër që Laçi e kishte arritur edhe te Ajaccio, por në plot 158 ndeshje, përgjatë pesë sezoneve.
Në Turqi, mesfushorit shqiptar i janë dashur vetëm 50 takime për të realizuar 11 gola, ndërsa ka shtuar edhe 10 asiste. Ndërkohë, te Sparta e Pragës, në 116 ndeshje gjatë dy viteve e gjysmë, ai shënoi 6 gola dhe dha 18 asiste, rekordin e tij personal.
Shifra që tregojnë qartë rritjen e Laçit, i cili po konfirmon vlerat e tij në një kampionat më konkurrues, duke u kthyer në një nga pikat e rëndësishme të Rizesporit.









