Home Blog Page 9

Mekanika e protestave brenda një autokracie. Vetëm një xhiro nga bulevardi…dhe propaganda na ther me sarkazëm: “Opozita nuk fiton dot asgjë/nga Andi Mustafaj

0

Nga Andi Mustafaj
Në një autokraci moderne,

protesta nuk është thjesht mjet presioni.

Është instrument psikologjik.

Dhe përdorimi i gabuar i saj është dhuratë për regjimin.

Sepse autokracia mbahet gjallë nga një gjë:

perceptimi i forcës.

Jo forca reale por perceptimi.

Në fakt, si çdo sistem i ndërtuar nga njerëzit, edhe autokracitë rrëzohen nga njerëzit.

Ndaj regjimi ka nevojë që qytetarët ta besojnë se ai “nuk rrëzohet dot”.

Këtu fillon problemi ynë.

Ti del në protestë.

Shfryhesh.

Shkarkon energjinë.

Kthehesh në shtëpi.

Regjimi vazhdon të qëndrojë.

Në nënndërgjegjen e shoqërisë mbetet një frazë e thjeshtë:

“Ata janë të dobët. Ai është i fortë.”

Protestë pas proteste, pa plan dhe pa përshkallëzim,

opozita humbet energjinë

dhe regjimi fiton perceptimin.

Partia nuk është krijuar për të bërë protesta.

E kam thënë dhe e kam shkruar:

Partia politike nuk është organizatë protestash.

Në një vend normal, këtë rol e kanë OJQ-të, sindikatat, grupet e interesit, qytetarët aktivë.

Partia i mbështet.

Nuk i prodhon.

Por në Shqipëri, trupat e ndërmjetëm mungojnë.

Ndaj protestat i bën partia.

Dhe në atë moment, partia del nga roli i saj natyral dhe humbet koherencë.

Partia është një rezervuar.

Ka një vend ku futet uji: energjia, njerëzit, shpresa.

Dhe një vend ku del uji: protesta.

Kur hap rezervuarin, energjia del.

Shkarkohet.

Protesta mbaron.

Por kush e mbush rezervuarin?

Këtu kemi dështuar ne.

Ne e hapim rezervuarin sa herë “duhet protestuar”.

Pa ritëm.

Pa plan mbushjeje.

Pa burime të reja energjie.

Pa njerëz të rinj.

Pa lidhje të reja shoqërore.

Pa organizim.

Dhe një ditë… rezervuari shteron.

Si krijohet një cikël proteste që funksionon brenda autokracisë?

1. Mbushja e vazhdueshme e rezervuarit

Jo vetëm zemërim.

Jo vetëm kundërshtim.

Por strukturë, program, hapje, fjalë, organizim.

Qenia kundër diçkaje nuk të bën automatikisht pro diçkaje tjetër.

2. Strategjia e shkallëzimit

Protesta nuk është akt i vetëm.

Është seri aktesh që duhet të kenë rritje, ritëm, kosto politike për pushtetin.

Nëse gjithçka ngec në formën “dalim – bëjmë xhoron – ikim”,

atëherë ne bëhemi karburant i propagandës.

3. Qellimi i matshëm

Protesta duhet të ketë objektiv të qartë:

Çfarë kërkojmë?

Si matet suksesi?

Çfarë ndryshon pas saj?

Pa këto, protesta është vetëm shkarkim i radhës.

4. Fitoret e vogla

Autokracia thyhet me fitore të vogla, jo me një ditë të madhe.

Çdo hap mbrapa i regjimit është fitore që ndërton perceptimin e forcës së opozitës

dhe perceptimi është arma kryesore e betejës politike.

Çfarë ndodh kur nuk i respektojmë këto rregulla?

S’ka përshkallëzim.

S’ka mbushje.

S’ka matje.

Vetëm një xhiro nga bulevardi…

dhe propaganda na ther me sarkazëm:

“Opozita nuk fiton dot asgjë.”

Në këtë mënyrë, ne nuk godasim regjimin.

Ne ushqejmë regjimin.

Ne bëhemi vektorët e tij, jo kundërshtarët e tij.

Pa dashur sigurisht,

Por pak rendësi ka kjo.

Protesta nuk është magji.

Protesta është mekanikë.

Dhe mekanika kërkon strategji.

Kërkon mendim.

Kërkon disiplinë.

Kërkon organizim.

Kërkon një rezervuar që mbushet më shpejt se sa shkarkohet.

Merz dhe Macron kërkojnë veprim urgjent për autonomi digjitale të Bashkimit Evropian nga SHBA dhe Kina

0

Kancelari gjerman Friedrich Merz bëri thirrje për ‘veprim të drejtpërdrejtë nga Bashkimi Evropian në sferën digjitale’ , duke theksuar nevojën që Evropa të fitojë autonomi digjitale nga SHBA dhe Kina.

Gjithashtu presidenti francez Emmanuel Macron tha se Evropa “refuzon të bëhet e varur nga SHBA dhe Kinës në sektorin digjital”.

Duke folur në një samit në Berlin mbi sovranitetin digjital të Evropës, të dy udhëheqësit theksuan vazhdimisht se autonomia digjitale është e lidhur ngushtë me sigurinë dhe prosperitetin e Evropës.

“Ndryshimet që po shohim aktualisht në botë, në qendrat politike dhe ekonomike të pushtetit, kërkojnë veprime të menjëhershme në sferën digjitale”, tha Merz teksa i bëri thirrje Evropës të veprojë për të shmangur lëshimin e ardhshëm të sferës digjitale gjithnjë e më të rëndësishme për SHBA-në dhe Kinën.

“Çështjet e së ardhmes”, tha Kancelari në mënyrë karakteristike, “do të vendosen kryesisht në sferën digjitale dhe SHBA-të dhe Kina, dy superfuqi digjitale, po konkurrojnë për pozicionin udhëheqës në fushën e teknologjisë.

“Evropa nuk duhet t’ua lëshojë këtë fushë atyre (…) Kjo nuk do të thotë që ne mbështesim izolacionizmin dhe proteksionizmin. Ne përjetojmë një varësi nga të dy vendet dhe ky lloj varësie përdoret si levë presioni në politikën e pushtetit”, tha ai dhe gjithashtu theksoi nevojën që Evropa të jetë në gjendje të mbrohet nga sulmet kibernetike dhe fushatat e dezinformimit.

Emmanuel Macron, nga ana e tij, përmendi si përparësi kryesore “preferencën për evropianët”, veçanërisht në prokurimin publik, në mënyrë që të lejohet zhvillimi i “kampionëve” evropianë të teknologjisë.

Vjosa Osmani mandatoi Glauk Konjufcën për formimin e ekzekutivit! Të mërkurën mbahet seanca për Qeverinë e re të Kosovës

0

Të mërkurën e 19 nëntorit është caktuar që të mbahet seanca e Kuvendit për zgjedhjen e Qeverisë së re të Kosovës. Ajo do të nisë në orën 14:00.

Ndërkaq, në orën 11:00 është thirrur një seancë tjetër me disa pika të rendit të ditës, sikurse janë formimi i komisioneve parlamentare, më pas shqyrtimi i parë i projektligjit për ndarjet buxhetore, miratimi i buxhetit për tri komuna të Kosovës (Prishtinë, Gjilan dhe Zubin Potok), çështja e financimit të Radio Televizionit të Kosovës dhe ratifikimi i disa marrëveshjeve ndërkombëtare.

Reagime për seancën e parë

Deputetja Mimoza Kusari-Lila tha se LVV-ja dorëzoi kërkesën për seancën e parë me nëntë pika të rendit të ditës që përfshijnë disa marrëveshje ndërkombëtare, duke kërkuar mbështetjen e të gjitha partive, pasi argumentoi se ato “nuk i takojnë asnjë partie apo qeverie, ato janë në interes të të gjithë qytetarëve, pa dallim”.

“Për realizimin e kësaj agjende, është i domosdoshëm formimi i katër komisioneve të përhershme parlamentare, të cilat mund të formohen pavarësisht se kush është në pozitë apo opozitë, sepse numri i anëtarëve varet nga pesha e grupit parlamentar në Kuvend, nga gjithsej 11 anëtarë sa duhet të jenë”, shkroi ajo në Facebook.
Pas njoftimit për dy seancat, Lidhja Demokratike e Kosovës tha se nuk do të marrë pjesë në seancën e orës 11:00, duke argumentuar se aty përfshihen marrëveshje ndërkombëtare, kredi, borxhe dhe projektligje buxhetore që kërkojnë proces “serioz e konsultim”.

“LDK nuk merr pjesë në improvizime që shpërfillin rregulloren dhe e reduktojnë agjendën shtetërore në dekor fushate”, tha kjo parti përmes një njoftimi, duke shtuar se do të marrë pjesë vetëm në seancën për Qeverinë e re.

Kjo parti akuzoi LVV-në se po tenton “të përdorë institucionet e Republikës si instrument të lojërave të saj politike”.

“Prej tetë muajsh, vendi mbahet në pasiguri politike nga të njëjtët që sot paraqesin si urgjencë atë që vetë e kanë zvarritur. E njëjta logjikë u pa edhe me zvarritjen 15-ditore të mandatarit pa numra, një proces i humbur që nga fillimi dhe i përdorur vetëm për propagandë”, u tha në njoftim.

Në fund të tetorit, kryeparlamentari Dimal Basha, pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit, kishte deklaruar se nuk kishte gjetur mirëkuptim për formimin e komisioneve parlamentare, me qëllim që të shtyhen përpara si çështja e buxhetit të Kosovës, ajo për RTK-në, por edhe marrëveshjet ndërkombëtare.

Basha e pranoi se pa votimin e Qeverisë së re të Kosovës nuk dihet se kush është në pushtet dhe opozitë dhe për rrjedhojë nuk dihet se sa komisione do t’i takonin partive.
Pas kësaj mbledhjeje, nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, tha se potentohet të “simulohet demokracia duke shkelur Kushtetutën”.

Seanca për Qeverinë e Kosovës

Seanca për Qeverinë mbahet në ditën e fundit të mandatit kushtetues, pasi presidentja Vjosa Osmani, mandatoi më 4 nëntor Glauk Konjufcën nga Lëvizja Vetëvendosje për formimin e ekzekutivit të ri.

Sipas praktikave, Konjufca pritet të paraqesë një ekspoze para 120 deputetëve dhe të prezantojë kabinetin e ri qeverisës, për votimin e të cilit kërkohen të paktën 61 vota.
Pas propozimit si mandatar nga LVV-ja, Konjufca tha se dëshiron bashkëpunim me partitë parlamentare, por jo edhe ndonjë marrëveshje koalicioni.

Ai tha se kërkon mbështetjen e deputetëve për Qeverinë e tij, në mënyrë që të shmangen zgjedhjet parlamentare në dhjetor dhe që vendi të ketë ekzekutiv “së paku” deri në prill, kur duhet të zgjidhet presidenti i ri i vendit.

Ndërkaq, kreu i LVV-së, Albin Kurti, ka deklaruar se nuk sheh as “mundësi teorike” që të arrihet një koalicion me partitë e tjera shqiptare, të cilat, sipas tij, kanë “ndërtuar një urrejtje hibride ndaj meje”.

Gjatë propozimit të Konjufcës për mandatar, Kurti tha se ai do të marrë postin e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Jashtëm dhe Diasporës – post, që Kurti e kishte propozuar Konjufcën në ekzekutivin e propozuar më 26 tetor. Atëkohë, Kurti dështoi të siguronte 61 votat e nevojshme të deputetëve.

Kurti ishte mandatuar më 11 tetor nga Osmani për të formuar ekzekutivin e ri.
Mandatari i parë për kryeministër, sipas Kushtetutës i takon partisë së parë.
Pas dekretimit të Konjufcës, Osmani tha se partitë e tjera të mëdha shqiptare nuk kishin emër për mandatar, duke shtuar se në Kushtetutë thuhet se nëse ka emër të propozuar për mandatarin e dytë, presidentja duhet ta emërojë atë, e nuk ka hapësirë që të refuzojë emërimin e tij.

LVV-ja i ka fituar zgjedhjet e 9 shkurtit, por nuk ka siguruar ulëse të mjaftueshme në Kuvend që do t’i mundësonin që të formonte Qeverinë pa bashkëpunim me partitë e tjera.

Në zgjedhjet e 9 shkurtit, Partia Demokratike e Kosovës ka fituar 24 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës 20, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës pesë dhe tre deputetë ka Nisma Socialdemokrate, që në zgjedhje garoi në listë të përbashkët me AAK-në.
Lista Serbe ka nëntë nga dhjetë ulëset e garantuara për minoritetin serb, një e ka partia e Nenad Rashiqit dhe dhjetë ulëse të tjera i kanë fituar përfaqësuesit e minoriteteve të tjera./rel/

Ngërçi politik në Kosovë, ministri i Jashtëm i Gjermanisë: Duhet sa më shpejt një qeveri e aftë për veprim!

0

Ministri i Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Johann Wadephul,tha në Prishtinë se Kosovës i duhet sa më shpejt një qeveri e aftë për të vepruar, sepse votuesit janë duke pritur formimin e saj tash e 8 muaj. Këtë deklaratë, shefi i diplomacisë gjermane e bëri vetëm një ditë para se Parlamenti i Kosovës të provojë në tentimin e dytë që ta krijojë qeverinë e re me mandatarin Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosja.

“Zhvillimi i Kosovës që nga përfundimi i luftës 1999 dhe që nga pavarësia në vitin 2008 është një histori e vërtetë suksesi. Për shumë kënd në rajon, Kosova është simbol i demokracisë dhe i një shoqërie të fortë civile. Në mënyrë që ky sukses të vazhdojë, Kosovës i duhet që sa më shpejt të ketë një qeveri të aftë për veprim si nga brenda ashtu edhe nga jashtë.

Votuesit janë duke pritur formimin e saj që prej tetë muajsh. Ata kanë pritje të arsyeshme që këto procese demokratike të marrin një përfundim pozitiv dhe këtu bën pjesë një qeveri stabile”, tha ministri Wadephul në një konferencë për media pas takimit që zhvilloi me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

Angazhim nga të dyja palët për dialogun Kosovë – Serbi

Shefi i diplomacisë gjermane, Johann Wadephul, tha se Gjermania mbështet dialogun për normalizim ndërmjet Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, por kërkoi angazhim nga të dyja palët.

“Ky proces ka ngecur kohëve të fundit. Është shumë e rëndësishme që këtu të ketë përparim konkret. Marrëveshja e Ohrit, e cila i përmban të gjitha elementet relevante për normalizim duhet të zbatohet shpejt dhe plotësisht, këtë e presim ne nga të dyja palët, dhe për këtë nevojitet më shumë angazhim si nga Kosova ashtu edhe nga Serbia.

Për Kosovën kjo nënkupton për shembull hapjen e nevojshme për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Është me rëndësi që politika e provokimit të ndërsjelltë dhe të menaxhimit permanent të krizave të marrë fund.Dialogu për normalizim duhet të vazhdojë me vullnetin për mirëkuptim.Ai është kriter i yni i vlerësimit për qeveritë në të dyja vendet”, tha Johann Wadephul. Sipas tij, Gjermania është e bindur se Kosova e ka forcën dhe vullnetin për të zbatuar reformat e nevojshme.

Mbështetje nga Gjermania

“Gjermania është e gatshme që t’iu ndihmojë me gjithë fuqinë që ka në këtë rrugëtim. Mbetet esenciale që gjendja këtu të mbetet e qetë, dhe të mos vijë te konfrontimet siç ka ndodhur më 2023, 2024”, tha kreu i diplomacisë gjermane duke iu referuar zhvillimeve në veri të Kosovës. Ai i vlerësoi lart marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë, duke theksuar se Gjermania është investitori më i madh në Kosovë dhe partneri më i madh tregtar.

“Në të gjitha temat që i diskutuam sot bëhet fjalë për sigurinë dhe për të ardhmen e kontinentit tonë. Është mirë që Kosova është në anën tonë dhe ne të gjitha vendet, qofshin anëtare të BE-së apo jo, duhet t’ia bëjmë të qartë Rusisë se destabilizimi, dezinformimi dhe manipulimi nuk kanë vend në kontinentin tonë. Përpjekjeve për destabilizim iu përgjigjemi me një Evropë të bashkuar dhe në këtë kuadër, zgjerimi i Evropës është një urgjencë gjeopolitike. Për këtë për herë të parë prej shumë vitesh ka një perspektivë realiste”, tha Wadephul.

Osmani: Thirrje për heqjen e masave të BE-së ndaj Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, nga ana e saj, kërkoi ndihmën e Gjermanisë për anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian dhe njëkohësisht bëri thirrje për heqjen e masave të BE-së ndaj Kosovës. Kosova është i vetmi vend në rajonin e Ballkanit që ende nuk e ka statusin e vendit kandidat për në BE.

“Vizita juaj në Kosovë është një dëshmi e qasjes suaj dhe qeverisë së udhëhequr nga kancelari Merz, se BE-ja mbetet e paplotë pa anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor. Populli i Kosovës e sheh Gjermaninë si aleatin më të besueshëm në gjithë kontinentin evropian. Ne synojmë të hyjmë si kontributdhënës e jo si barrë. Në këtë rrugëtim Kosova ka nevojë për mbështetjen e Gjermanisë. Heqja sa më parë e masave ndaj Kosovës është një urgjencë e domosdoshme për çka shpresojmë në përkrahjen e Gjermanisë”, tha presidentja Osmani. Ajo tha se në këtë kuadër roli i Gjermanisë është vendimtar, duke shtuar se “Kosova është 100 për qind e harmonizuar në politikën e jashtme të BE-së”.

“Ne pajtohemi plotësisht me qasjen e qeverisë së re gjermane që rruga drejt BE-së duhet të bazohet në merita. Kosova është ekonomia më e re evropiane por është dinamike e digjitale. Kosova mbetet e përkushtuar ndaj fqinjësisë së mirë. Përderisa Kosova mbetet nën masa të BE-së as dialogu nuk mund të konsiderohet i barabartë”, tha Osmani./DW

“Qëndrojmë me kokën lart”, Rama në Bruksel: Hapëm grup-kapitujt për 14 muaj! Pesë të mirat që sjell zgjerimi sipas kryeministrit

0

Komisioni Evropian po organizon sot, 18 nëntor, Forumin e Zgjerimit të BE, ngjarjen e parë të këtij lloji, kushtuar prioritetit të tij 2024–2029. Kryeministri Edi Rama i cili ndodhet në Bruksel në vijim të agjendës për çeljen e grup-kapitullit të fundit të negociatave, vuri theksin pikërisht te zgjerimi dhe avancimi i Shqipërisë në përmbushjen e detyrave.

“Duhet të rrëfej që duke ardhur këtu sot, e kapa veten duke menduar se çfarë mund të them tjetër për zgjerimin, kam folur aq shpesh për të, sa kam frikë se mund të botoj edhe një libër. Zgjerimi dhe e ardhmja janë të pandashme”, u shpreh ai në nisje të fjalës së tij.

Megjithatë tha se në vend të zgjerimit, preferon fjalën “ribashkim”.

“Ajo që nuk na vrau, na bëri më të fortë. Ne i bëjmë këto për veten tonë, brezin tonë dhe të ardhmen e Shqipërisë. Ne vazhdojmë punën a thua se negociatat janë hapur prej kohësh. Qëndrojmë drejt, me kokën lart pasi për vetëm 14 muaj kemi hapur të gjithë kapitujt dhe e kemi vendosur veten në krye të bllokut të Ballkanit Perëndimor”, tha kreu i qeverisë shqiptare.

“Në barometrin e fundit europian, Shqipëria ishte në krye të listës me 92% të qytetarëvre të saj besnikë të BE-së”, theksoi kryeministri.

Reshtoi pesë të mira që sipas tij sjell procesi i zgjerimit, si më poshtë:

Ribashkimi shëron plagët historike, rikthen lidhjet e kombeve të ndara me forcë, rikthen identitetin europian të atyre që u mbajtën jashtë me dhunë e jo me zgjedhje.

Zgjeron jo vetëm gjeografinë e BE-së, por të stabilitetit e demokracisë.

Përmbush një premtim të vjetër për ata që luftuan për liri e për të cilët Europa ishte një fener i vërtetë. Por ky premtim i vjetër duhet mbajtur plotësisht.

Sjell prosperitet, zgjerimi është edhe ekonomik. Zgjerohet tregu, ka dinamizëm e energji rinore.

Zgjerimi funksionon, sa herë BE ka futur anëtarë të rinj në familje përfitimet kanë tejkaluar frikën, faktet e ilustrojnë këtë dhe s’ka asnjë arsye pse të ndodhë e kundërta.

Tha se nëse e kundërta e zgjerimit ndodh, kontinenti do ketë ndjenjën e pafuqisë, një Europë që tradhton idenë e themelimit të vet dhe që nuk është e përshtatshme të mbijetojë si lojtar i madh në këtë lojë të re.

Fjalën e tij e mbylli duke iu drejtuar Komisioneres Marta Kos.

“Teksa shkruan historinë me ne, duhet të sigurohet që historia të shkruajë për të në faqet e saj. Antologjia e plotë e një zgjerimi të bërë nga unë, duhet të jetë libri që ajo duhet të botojë. Faleminderit për durimin!”, përfundoi në shenjë mirënjohjeje, numri një i kabinetit.

Forumi i Zgjerimit është pika e takimit për të gjithë profesionistët që punojnë mbi një nga prioritetet kryesore të mandatit 2024–2029 të Komisionit Europian, të cilët janë të angazhuar në mënyrë aktive në agjendën më ambicioze të zgjerimit të më shumë se një dekade.

Kujtojmë se të hënën, 17 nëntor, Shqipëria çeli të gjashtë grup-kapitujt në negociatat me BE-në, një fazë që pasohet me plotësimin e pikave të ndërmjetme e deri te objektivi kryesor, anëtarësimi i plotë i vendit në vitin 2027.

Ky moment historik u festua me verë e tortë në kryeqytetin belg, ku Rama mbajti një konferencë të përbashkët për shtyp me Komisioneren për Zgjerimin e BE-së, Marta Kos, dhe Ministren daneze për Çështjet Evropiane, Marie Bjerre.

Kreu i qeverisë ishte edhe në Hagë, ku takoi homologun e tij, Dick Schoof