Sofra Dardane Orakull Dodone, flakadan i shpirtit shqiptar

0

Nga Azgan Haklaj

Sofra Dardane Orakull Dodone, flakadan i shpirtit shqiptar.

Besëlidhje e re dhe e amshuar e Kulturës Kombëtare Shqiptare.

Sofra Dardane është konfirmuar tashmë si festivali më i madh, gjithëpërfshirës e i rendësishëm i folkut, këngës dhe valles shqipe, tradicionale dhe asaj të përpunuar e muzikës moderne.
Ajo është kthyer në një referendum qytetaro-artistik.
Në edicionin e 17-të që përkon me 20 vjetorin e çlirimit të Kosovës Sofra Dardane do të mbledhë qindra artistë e mijra spektatorë nga të katër anët e trojeve etnike shqiptare, nga Çamëria e Pirros së Madh, Hasan Tahsinit e Bilal Xhaferit, Malësia e Madhe e Ded Gjon Lulit, Norës së Kelmendit, Tringë Smajles, Çun Mulës, Hodo Sokolit, dhe Baca Kurtit, Mitrovica e Isa Boletinit, Vlora e Ismail Qemalit, Drenica e Azem e Shote Galicës, Shaban Polluzhës, Jasharajve lëgjendarë, Shkodra dhe Ulqini të Teutës, Gjirokastra e Argjirosë dhe Antigonesë, Berati i Muzakajve, Rrafshi i Dukagjinit i trimit zëmadh Lek Dukagjini, me emrin e të cilit lidhet Kanuni Shqiptar dhe vazhdimi i Epopesë së Gjergj Kastriotit.
Nga Dukagjini i Epopesë së Dukagjinit të udhëhequr nga Hardinajt, Karadaku i Idriz Seferit e Agim Ramadanit.
Nga Maqedonia e Aleksandrit të Madh, Shkupi i Justinianit, Nënë Terezes Dervish Carës e Ali Ahmetit.
Nga Presheva e Ridvan Qazimit (Komandant Lleshit).
Simbolika e këtij tubimi artistik madhështor e tradicional vjen këtë vit më domethenës se kurrë më parë.
Sofra Dardane çel siparin me dt 10 qershor, 4 ditë pas Muajt të Madhnueshëm të Ramazanit, në Ditën e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit për të kulmuar për tre net, ku do të shpaloset koloriti i ngjyrave, kënga dhe vallja shqipe e cila ashtu si Filli i Arianës ka përshkruar historinë tonë mijra vjeçare, duke qenë prezent në momentet më të rendësishme të jetës tonë, në dasma e gëzime e në betejat për liri, në Tropojën e Eposit të Kreshnikëve të maleve krenare, ku Muji dhe Halili me bëmat e tyre jetësuan këtë Epos, këtë monument madhështor të gjenisë krijuese të Kombit Shqiptar, i paprecedent në historinë e njerëzimit.
Ansamblet, shoqerite kulturoro-artistike, kengëtarët dhe valltarët virtuozë nga të gjitha trojet etnike shqiptare do ta shndërrojnë qytetin e Mic Sokolit, Bajram Currit e Tahir Sinanit për tre net në kryeqytetin shpirtëror të Kombit.
Ky edicion përkon me ditëlindjen e 20-të të Kosovës së lirë e sanksionuar përjetësisht në ditëlindjen e Sen Antonit apo Shna Ndout siç e thërrasin dhe e nderojnë me dashuri shqiptarët e të gjitha besimeve Shenjtorin, mrekullitë e të cilit prej 8 shekujsh kanë hyrë në legjendë.
Në trojet tona të bekuara nga Zoti e të skalitura nga natyra ku flet shqip guri dhe druri, Sofra Dardane shnderrohet vetëvetiu në një Orakull Dodone, në një flakadan të shpirtit shqiptar.
Një komb si Ky i Yni, me një histori të lavdishme, mijravjeçare, që flet gjuhën e perendive e mbart në kujtesën e tij visare të rralla të kulturës së njerëzimit, tempuj të lashtë sa Bota, Eposin e vet epiko- legjendar e të Drejtën Zakonore është i pavdekshëm .
10 milion shqiptarë të Ballkanit të shpërndarë në 5 shtete janë sëbashku në Sofrën Dardane.
Ylli polar që shendrit sot në Ballkan mban siglën “Made in Albania”.
Faktori shqiptar është më shumë se kurrë vendimtar e determinues në Ballkan, përkundër aleancës famëkeqe e antishpiptare ose ruso-turko-serbe.
Shqiptarët e Malit të Zi dhe të Maqedonisë ia dolën që busullën politike të këtyre shteteve ta orientojnë në NATO dhe BE, ndërkohë që Kosova me Kryeministrin e saj heroik De Golin shqiptar Ramush Haradinaj i vuni kufirin tek thana Serbisë së Vuçiçit dhe sivëllezërve të tij Thaçi-Rama.
Pak ditë më parë në Samitin e Berlinit u varros njëherë e përgjithmonë endrra e Serbisë Madhe e frymëzuar nga traktatet filozofike, ksenofobe, kriminale të Vuk Karagjiçit, Ilia Garashianinit, Çubriolloviçit, Qosiçit.
Në Tiranë opozita vazhdon betejën epike e cila njeh epilog të vetin zhbërjen e regjimi kriminal, antikombëtar e antieuropian të Despotit Edi Rama, kalifati i të cilit është satelit i trekëndëshit Moskë-Ankara-Beograd.
Shqipëria ka ecur shpesh nëpër shekuj në tehun e shpatës, honeve e humnerave të historisë, është ndalur në udhëkryqet e saj, por ashtu si Feniksi është ngjallur dhe ka gjetur forcë si Anteu të ngrihet.
Veç qendreses së paepur e trimërisë legjendare, kultura ka luajtur një rol vendimtar në mbijetesën e racës shqiptare.
Aksioni i rilindasve tanë mendjendritur ishte qysh në krye të herës një aksion kulturor e vizionar.
Ky aksion zgjoi ndërgjegjen kombëtare e kulturore, shpalosi para botës shpirtin madhështor e fisnik shqiptar dhe visaret e tij kulturore e deshirën e flaktë për liri.
Këtë bënë pikërisht korifejtë e Kombit Tonë Barleti dhe Bardhi, Budi e Bogdani, Derada e Pashko Vasa, Mjeda e Konica e në kohët e reja gjeniu i letrave shqipe Kadareja.
Për ne shqiptarët përpara botës së përgjumur e indiferente, fuqive të mëdha e kancelarive të tyre të akullta diplomatike kanë reaguar personalitete të shkencës e kulturës europiane e asaj botërore.
E do te apostrofoja Lajbnicin, Bajronin, Gustav Mayer, Norbert Jokl-i, Edit Durham, Franc Nopça.
“Tash që e bamë Shqipërinë duhet ta bajnë shqiptarët” shkruante Homeri i ndjesive shqiptare Gjergj Fishta pas shpalljes së pavarsisë.
Trashigimia jonë kulturore sëbashku me gjuhën shqipe janë kalatë tona që nuk arriti kurrë ti pushtojë armiku.
Ato i mbijetuan mrekullisht rrebeshit të shekujve për tu shndërruar përjetesisht në ADN e Kombit Shqiptar.
Ky binom i shenjtë është antiteza e adhamullëve e gjinove që kanë uzurpuar vendimmarrjen për fatet e kultures shqiptare e kanë çuar atë në buzë të greminës.
Artistët janë misionarë të kombit dhe askush nuk do të guxojë ti fusë ata në qorrsokak.
Ata janë krenaria e kombit dhe aseti më i çmuar i një shoqërie që endërron prej shekujsh vendin e saj në gjirin e kombeve të civilizuara.
Sofra Dardane këtë vit do të mbledhë ajkën e artit shqiptar.
Qindra artistë do të marshojnë nga mbarë hapsira shqiptare dhe Diaspora për tu bërë pjesë e saj.
Mijra qytetarë të Tropojës, të qarkut Kukës, Rrafshit të Dukagjinit e më gjerë do të marshojnë për të festuar sëbashku në Tropojë në edicionin e 17- të Sofrës Dardane dhe 20- vjetorin e çlirimit të Kosovës me dt 10-11-12 qershor ora 18 në Stadiumin e Lojrave me Dorë në Qytetin e tribunit popullor Bajram Currit.
Ajo do të shtrohet nga Unioni Artistik i Kombit Shqiptar në prehër të alpeve, aty ku bashkuhet Drini me Valbonen, ku takon perenditë e Eskilit, rrëzë Shkelzenit qendrës së Shqipërisë etnike, ku janë arkivuar trimëritë e herkulëve shqiptarë të Mujit dhe Halilit e Gjergj Elez Alisë.
Menyja e saj janë këngët dhe vallet më të bukura shqiptare.
Sofrën Dardane ndonëse është sulmuar politikisht duke e përjashtuar nga projektet kulturore shtetërore, nuk ka termet as vullkan që mund ta lekundë, cunam as tajfun që mund ta gërvish e jo ma ta rrëzojë.
Ajo është Sofra e Bashkimit të Kombit.
Ka mbështetjen e Bashkisë Tropojë e kujdesin e veçantë të Kryetarit të Partisë Demokratike të Shqipërisë, Kryeminisrit të ardhshëm z Lulzim Basha.
Sofra Dardane ka bekimin e hyjnorëve Dervish Luzha e Rexhep Beli të cilët janë Nderi i Kombit.
Ajo ka bekimin e deshmorëve të kombit dhe gjakut të tyre të derdhur për liri.
Ajo ka bekimin e vet Zotit.
Ejeni të shijojmë këto tre net magjike që do të na dhurojë Unioni Artistik i Kombit Shqiptar “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” në edicionin e 17-të të Sofrës Dardane dhe në 20 vjetorin e çlirimit të Kosovës në Tropojë me dt 10-11-12 qershor në orën 18 në Stadiumin e Lojrave me Dorë në Qytetin e Bajram Currit.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.