Votohet ligji që e bën Ramën pronar të të gjitha trojeve në bregdet

0

Parulla elektorale “të gjithë tepsinë vetëm për vete” e fushatës së Rilindjes në 2017-ën tashmë ka marrë edhe formë ligjore. Edi Rama është bërë pronari i vetëm i të gjitha tokave me vlerë miliarda euro të bregdetit shqiptar. Për këtë ai ka miratuar në Kuvend ligjin për Korporatës së Investimeve.

Ligji problematik mori 77 vota “pro”, vetëm 19 vota “kundër” të deputetëve të pakicës në Kuvend, ndërkohë që 3 prej tyre abstenuan. Ra në sy vota “kundër” e ish-ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj.

Loading...

Por çfarë bën ky ligj i ri me pronat e shqiptarëve?

Lapsi.al që e ka ka parë nen për nen vëren se përfundimi është i thjeshtë: “Ky ligj i jep të drejtë kryeministrit të “dhurojë” në përdorim tek oligarkët, të futet në marrëdhënie biznesi, pra të bëjë ç’të dojë, pa garë dhe pa tender, me pasuritë që u përkasin të gjithë shqiptarëve”.

Sepse “Korporata…” që ai tashmë ka miratuar do të marrë në zotërim të gjitha tokat në bregdet, dhe jo vetëm, por do i shpërndajë ato sipas vullnetit të një njeriu.

Dyshimet e para për këtë mega-aferë nisën në verën e shkuar, kur qeveria njoftoi se pjesa më e madhe e territorit përgjatë vijës bregdetare të Shqipërisë do t’i dedikohet një “fondi për mbështetjen e investimeve strategjike”.

Në këtë kuadër u pezullua edhe kalimi në pronësi i tokave të ish ndërmarrjeve bujqësore.
Qëllimi ishte i qartë: Qeveria duhet t’i ndante ato si toka shtetërore me kë biznes privat që t’i donte qejfi.

Duket se modeli i projektligjit shqiptar është marrë nga ai i despotit turk Rexhep Taip Erdogan, i cili vuri veten dhe dhëndrin e tij në drejtimin e Fondit të Pasurisë së Turqisë (TWF, Turkey Wealth Fund), i cili qe një ndërmarrje e krijuar me tokat publike të Turqisë, me justifikimin për të tërhequr investime të huaja strategjike.

Ky argument u përdor edhe nga Rilindja. Në relacionin që shoqëronte projektligjin thuhet se “ky institucion i ri do t’i lejojë Qeverisë të tërheqë investime më të mëdha, më të rëndësishme dhe strategjike”.

Dhe në bazë të kësaj premise është projektuar një çmenduri që grupon në një dorë të gjithë trojet dhe asetet publike, që “dhuron” ato me një liri absolute për të vepruar si kompani private, duke mos iu nënshtruar konkurrimit dhe garës, e madje madje, i jep lirinë “Korporatës…” të marrë edhe kredi duke vënë si kolateral pronat e të gjithë shqiptarëve.

Dhe gjithë ky organizëm që do të ketë në dorë të gjitha pasuritë më me vlerë të Shqipërisë, do të drejtohet nga një bord, i gjithi i caktuar nga Rama dhe i cili do të ketë gjysmën e tij të anëtarëve pjesëtarë nga bizneset private.

Pikërisht kjo skemë e tmerrshme grabitjeje, që tashmë ka marrë formë ligjore është denoncuar edhe nga opozita që ka dalë prej aty. Edhe më herët, por edhe pak minuta pas miratimit të ligjit, ish-deputetja e PD-së, Jorida Tabaku thotë se Kuvendi i Shqipërisë u kthye në Noter duke vulosur përfundimisht ligjin më të rëndësishëm të kësaj qeverie.

“Votimi ligjit të Korporatës së Investimeve është de fakto shtetëzimi dhe më pas dorëzimi në kadastrën personale të Oligarkëve të çdo prone private apo publike. Në 30 vjetorin e çlirimit të Shqipërisë nga komunizmi (një tjetër lloj Oligarkie) vendi përfundon në të njëjtën tragjedi” – shkruan Tabaku në Facebook.

Ish-deputetja demokrate thotë se në bashkëpunim me oligarkët, kryeministri do të menaxhojë gjithçka përmes supërstrukturës së KISH.

“Tanimë ai ka legjitimuar çdo dashakeqësi të tijën personale ndaj njerëzve apo pasurisë së tyre. De facto pronari i vetëm i Shqipërisë, do të ndajë për të gjithë apo për atë që do- pronat e bregut në Jug, Veri apo Durrës. Ai është njeriu që do të vendosë për të shpërndarë lejet për “rezortet” oligarkike në pyjet, gërxhet, kodrat dhe malet e Shqipërisë.

Njësoj siç po konverton Tiranën në fillim si kryebashkiak dhe tani përmes marionetës që buzëqesh, do betonizojë Shqipërinë. Pronarët do jenë fundi i kavallit, ligji investimeve strategjike dhe ligji aktual i Kompensimit të Pronave bashkë me KISH do t’ua zhvlerësojnë pushtetin” – shkruan Tabaku.

Ish-deputetja thekson se në mungesë të një Gjykate Kushtetuese që sipas saj Rama e shkatërroi me vetëdije, në mungesë të zgjedhjeve të lira, nën bekimin e të inkriminuarve (që do t’i pasurojë edhe më) Rama do të shndërrohet në kryeministrin absolut.

Superfuqitë e Korporatës së Investimeve

Së pari “Korporata e Investimeve” përjashtohet nga ligji i Prokurimeve Publike. Që do të thotë se ajo nuk ka asnjë pengesë ligjore për të vendosur se cilit privat do t’ia japë për shfrytëzim apo për blerje një tokë në bregdet. Pasuria i kalon pa asnjë procedurë atij me të cilin Edi Rama do që të bëjë pazar.

Së dyti ky projektligj shkel në mënyrë flagrante Kushtetutën dhe autonominë e pushtetit lokal, duke i rrëmbyer pronat e bashkive për t’i vendosur në fondin e Korporatës së Investimeve, të drejtuar de facto nga Edi Rama. Pushtetit lokal i merret pa asnjë procedurë çdo pasuri publike, që qeveria mendon se duhet ta bëjë pjesë të Korporatës së Investimeve,

Së treti Korporata e Investimeve është e lirë të marrë kredi, e pakontrolluar nga askush dhe në rast të mos-shlyerjes së saj, të humbasë pronën publike që do të vendosë si garanci. Kjo është një skemë flagrante korrupsioni. Me këtë ligj askush nuk mban përgjegjësi për dështimin e pagesës së kredisë. Për pasojë, me lejen e Edi Ramës, prona publike i kalon menjëherë bankës, duke realizuar kështu tjetërsimin e pronës publike nga shteti tek privati.

Në fakt sikurse shihet, ky model Erdoganesk, është një shtrirje e pakufishme mbi gjithë Shqipërinë e ligjit antikushtetues special që u përdor për t’i dhënë kompanisë Fusha truallin publik rreth teatrit kombëtar. Pavarësisht se ai u kritikua nga BE për shkelje të normave të përparimit të Shqipërisë drejt Brukselit, për mungesën e garës dhe lirisë ne treg, ai po tentohet të kthehet në rregull në qeverinë e rilindjes.

Lë të imagjinojmë për një çast se ç’mund të ndodhë nëse ligji vihet në zbatim.

“Korporata…” e urdhëruar politikisht nga Edi Rama zotëron të themi një tokë në bregdetin e Kakomesë. Ajo hyn në një bashkëpunim me një nga 10 klientët oligarkë të kryeministrit me kushtin: ajo ka tokën, privati bën investimin.

Ata marrin së bashku, sepse ia lejon ligji, një kredi të madhe nga një bankë private duke lënë si kolateral tokën shtetërore. Por le të mendojmë për një moment se investimi shkon keq.

Publiku humbet edhe mundësinë e një projekti strategjik në turizëm, edhe tokën e lënë kolateral tek banka. Pra shpejt e shpejt toka publike kalon në duar të privatit me çmim më të lirë pa mbajtur përgjegjësi askush.

Dhe imagjinoni një rast edhe më të keq. Sikur e gjitha të jetë konceptuar si një skemë mashtruese, që toka t’i kalojë privatit që në fillim, në mënyrë korruptive, pa asnjë garë apo tender, vetëm si pasojë e një vendimmarrje politike e njerëzve të ngarkuar nga qeveria.

Ky është ligji që sapo miratoi Edi Rama në Parlament, që është edhe grabitja e fundit e asaj pak që ka mbetur pasuri publike në këtë vend. Tepsia do të jetë vërtet vetëm në një dorë, ashtu sikurse “votuan” shqiptarët në 2017. ©LAPSI.al

Loading...

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.