Kandidati i PD me kryetar të komanduar Enkelejd Alibeaj për Bashkinë e Tiranës, Roland Bejko ka folur për zgjedhjet e 14 majti, ku është shprehur se ish-kryeministri Sali Berisha mund t’ia trashëgojë kreut të PL-së, Ilir Meta, pjesën e tij të Partisë Demokratike.
Bejko te ‘News24’ tha se vendimi për drejtimin e PD është marrë nga Gjykata dhe se vetë ai si kandidat përfaqëson ligjin e fortë kundër Berishizmit.
Sakaq shtoi se Meta dhe Berisha nuk mund të vijnë në pushtet pa mbështetjen e SHBA dhe BE, pasi janë një figura të vjetra e të konsumuara që nuk ngjallin shpresa, por i japin fuqi kryeministri Edi Rama që të rijë në pushtet.
“Kauza ime është largimi nga e shkuara e keqe, Berishizmi dhe të kemi një PD të mirëfilltë. Nuk do jetë kryetari që do vendosë nesër por forumet politike. Të ketë një demokraci funksionale. Në shtetin ligjor vendimet i marrin gjykatat dhe PD është parti mund të them sot që ‘unë jam Sali Berisha’, por nuk jam. Është një vendim gjykate që thotë se do të drejtohet nga Alibeaj. Pjesa tjetër është pa emër, ka qenë pjesë e PD por është ndarë. Berisha e ka futur në koalicionin me partinë komuniste. PD është e vetmja parti demokrate në zgjedhje. Nëse ne nuk do dilnim me kandidatë s’do kishte demokratë, por do kishte vetëm flamuj socialistë. Duhet të çlirohet demokracia shqiptare. Sot unë përfaqësoj ligjin e fortë kundër Berishizmit. Pa partneritet me SHBA-në, Britaninë dhe BE, ta harrojnë që të vijë në pushtet një figurë e vjetër e konsumuar dhe të japë shpresa. Këta janë Berisha dhe Meta. Berisha e sheh Metën si të besuar dhe ndoshta pjesën e PD që ka marrë do ia trashëgojë atij.
Paterica e Ramës është Berisha dhe Meta. Me Berishën non-grada dhe Metën pa parti të fuqishme, Rama do të rrijë në pushtet”, tha Bjeko.







