Banka e Shqipërisë bëri të ditur se Fondi i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme nga arkëtimi i kontributit vjetor të bankave ka arritur në vlerën e 896,2 milionë lekë.
Me këtë të fundit, në total, pas derdhjes së kontributit vjetor të bankave për shtatë vite që nga themelimi i tij, Fondi i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme arrin në nivelin 4,5 miliardë lekë. Në një njoftim për shtyp, BSH-ja sjell në vëmendje se Fondi i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme u krijua në vitin 2018, për qëllime të zbatimit të instrumenteve të ndërhyrjes së jashtëzakonshme nga Banka e Shqipërisë.
Në zbatim të ligjit bankat paguajnë kontribute të rregullta vjetore, me qëllim plotësimin e nivelit të synuar të fondit. Sipas afatit të përcaktuar në ligj, Fondi i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme duhet të arrijë vlerën 8.5 miliardë lekë brenda vitit 2027. Për plotësimin e këtij niveli të synuar, gjatë vitit 2023, kontributi vjetor i sektorit bankar u përllogarit në vlerën 896.2 milionë lekë, ndërsa për 2024 ata derdhën 982.1 milionë lekë. Deri më 30 prill 2024, bankat derdhën 100% të kontributit të vitit të shtatë. Fondi i Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme administrohet nga Agjencia e Sigurimit të Depozitave, në përputhje me politikën e administrimit të mjeteve financiare të fondit, politikë kjo që miratohet nga Banka e Shqipërisë.
Ky fond mund të përdoret nga Banka e Shqipërisë për disa qëllime, të tilla si: garantimi i aktiveve ose pasiveve të bankës në ndërhyrje të jashtëzakonshme, bankës urë apo shoqërisë për administrimin e aktiveve, plotësimi i nevojës për likuiditet të bankës në procedurën e ndërhyrjes së jashtëzakonshme, bankës urë apo shoqërisë për administrimin e aktiveve, blerja e aktiveve të bankës në procedurën e ndërhyrjes së jashtëzakonshme, për të kontribuuar në kapital dhe për të siguruar fondet e tjera të nevojshme për bankën urë apo shoqërinë për administrimin e aktiveve, kompensimi i humbjeve të pambuluara që lindin për shkak të përjashtimit të detyrimeve të pranuara të kreditorëve të bankës në ndërhyrje të jashtëzakonshme, mbulimi i shpenzimeve për administrimin e Fondit të Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme etj..